Braktisja e Qytetarit
Është i njohur tashmë “trendi” i fundit i slloganeve politike. Pavarësisht formave të larmishme, të gjitha në thelb shprehin një merak të vetëm: qytetarin. Hallet e problemet e tij. Mirëqënien e tij materiale e shpirtërore. Sigurinë e perspektivën e tij. Dhe para së gjithash, dinjitetin e qytetarit tonë fatlum. Po të cilit qytetar – do të pyesni ju? Qytetar – askushit, është përgjigja jonë. Sepse “qytetari” që referon politika në diskursin e saj –s’ka asnjë lidhje e pikë ngjasimi me shtetasin konkret të këtij vendi. Dhe sidomos, asnjë lidhje me telashet e problemet mes të cilave lëviz ai, nga mëngjezi e deri në mëngjezin tjetër Asnjë ngjasim nuk ka mes “etalonit” në fjalë dhe atij qytetari që shohim të dalë çdo mëngjez nga shtëpia, i parruar e turivarur, pa asnjë ide për ditën që e pret, dhe për shanset e mbijetesës ...deri javën tjetër. Tek flet nga podiumi pra, politika jonë ka parasysh qytetarin virtual, model, standard, europian, euro-atlantik, global. I njëjtë me atë që referon parlamenti, danez, suedez apo luksemburgas. Me të njëjtin kompletim e rreth nevojash, me të njëjtin mentalitet e perceptim. Dhe mbi të gjitha, fjala është për një “qytetar” të vetëm. Ose më mirë vetëm për hijen e tij: “qytetarin” si nocion. I cili, si nocion që është, nuk shkakton telashe, nuk shan e as bërtet, nuk ka faturë buxhetore, nuk të pret rrugën dhe nuk bën skandale.
***Kjo formulë garanton dy gjëra. Së pari, lejon mbajtjen e spektaklit politik në një profil të lartë dhe elegant. Duke lejuar që koha kryesore t’i kushtohet politikës së madhe. Asaj që kalohet aeroporteve, korridoreve diplomatike, pritje-përcjelljeve, workshopeve e seminareve të forta. Asaj ku ngrihet autoriteti personal e garantohet suksesi elektoral. Ku impresionohen ndërkombëtarët e tërhiqet mbështetja e tyre. Sepse të gjithë shkrihen e mahniten kur në mes është fjala “qytetar”. Që edhe në çështjet e mëdha politika jonë s’po qullos kurrgjë ky është një fakt që s’prish dhe aq punë. Ne sërisht po shkojmë drejt zgjedhjeve pa karta identiteti e pa përshtatjen e kodit zgjedhor (dhe askujt s’i vjen turp për këtë), reforma në drejtësi duket se “u shterua” me sherrin Spahiu – Alibeaj, ndërsa çështja e pronës vazhdon të rrijë pezull si pendul kambane (veç po fryu ndonjë erë mund t’ja dëgjojmë zërin). Sidoqoftë nuk ka dyshim se politika e madhe, ajo e larta, qiellorja, filozofikja e kontekstualja, mbetet i vetmi interes i lojtarëve tanë politikë. Me çështjet e vogla e bezditë e përditëshme të njerëzve ata përgjithësisht nuk merren. Janë shumë-shumë lart e shumë sqimatarë për t’i prekur ato. Dhe mbi të gjitha shumë të zënë. Në kohën qeverisëse bëjnë biznes. Ndërsa nga bizneset (familjare), marrin frymëzim. Për punë të mëtejshme qeverisëse.
Së dyti, kjo taktikë i çliron të gjithë nga përgjegjësia e zgjidhjeve. Të cilat në se do të binim në nivelin e shtetasve konkretë, do të duhet të ishin konkrete. Duke vendosur si qëllim sublim programor “qytetarin” virtual (dhe jo ndoca qytetarë konkretë të lagjes, pa punë e pa shtëpi e me lista veresie), politika jonë nuk ka nevojë të gjejë zgjidhje jo e jo, por as as të mbajë shënim listën e problemeve. Boll për kaq vjet me punë konkrete e të përditshme. Aq të padenja e të bezdisura janë bërë bezditë e përditëshme qytetare sa që me to s’po pranojnë të merret më as qeverisjet vendore. Edhe vetë ekipet bashkiake e komunare – këto skuadra pune që qytetari i ka zgjedhur pikërisht për shërbime e përkujdesje të përditëshme ndaj tij – ja kanë varur atij. Edhe ato preferojnë politikën e madhe. Atë ku gatuhen amendime kushtetuese, “vuajtjet” e “shtypjet” e minoriteteve, koalicione ndërpartiake, sisteme elektorale, dushqe e antidushqe. Dhe ku projektohen fitore të ardhëshme . Raste të rralla janë ato kur drejtuesit ndihmojnë direkt zgjedhësit e tyre, fjala vjen në mbjelljen dhe korrjen e kulturës së vetme me leverdi: kanabisit.
***Po cilat janë këto probleme të vërteta në “nivelin qytetar”?. Janë shumë. Edhe po t’i lëmë mënjanë ato më kryesoret: papunësinë, padrejtësinë, çmimet e përjashtimin social, edhe sikur të ndaleshim fjala vjen vetëm në rrethin e ulët të problemeve “komunale”, përsëri lista e telasheve del tërkuzë. Ja disa nga titujt që na vijnë në mend menjëherë, nisur thjesht nga një ditë jete e jona në Tiranë: Qytetari dhe ndotja e ajrit (nga marmita që s’dihet si e kanë kaluar testin teknik). Qytetari dhe zhurmat (nga diskua në bodrumin e pallatit apo nga lokali për karshi). Qytetari dhe qentë (që sot ndihen vërtet zotër të rrugëve dhe zonave rreth pallatit). Qytetari dhe plehrat (që përhapin pisllëk e sëmundje edhe në rastet kur qytetarët janë të mbarë dhe i hedhin qeset bukuri në kazanë. Sepse sapo kthejmë krahët mbi to lëshohen qentë dhe grumbulluesit e plehrave e kanaçeve, që shqyejnë qeset dhe spërkasin rrugën). Qytetari dhe trotuari (i zënë arbitrarisht nga kafenetë e zonës apo nga parkimi fodull i njerëzve me njohje). Qytetari dhe lavazhet (që jo vetëm thithin pa masë ujin e zhurmojnë pa rreshtur, por së bashku me plot lokale arbitrare po hanë përditë edhe parkun “e gjelbër” të Tiranës; mjafton një sy rrugës së Elbasanit). Qytetari dhe parkimi (i pamundur, për shkak se buzërrugët janë bllokuar e janë “privatizuar” me shenja e hekura gjithfarësoj; me leje dhe pa leje të bashkisë). Qytetari dhe bombolat e gazit (që shiten poshtë pallatit). Qytetari dhe antenat e operatorëve celularë dhe televizivë (që rrezatojnë vdekjen mbi pallate, jo vetëm pa lejen por edhe pa dijeninë e banorëve), etj, etj.
***Lista e çështjeve të tilla s’ka të mbaruar. Janë vetëm disa çështje “komunale”. Që eufemikisht le t’i quajmë “bezdisje të qytetarit”. Duken të dorës së dytë. Por që në fakt, janë pikërisht ato që po i çojnë njerëzit gjithnjë e më shpesh në dyert e klinikave e farmacive. Nga kllapat më sipër shohim se përgjithësisht kemi të bëjmë me përgjegjësi direkte të qeverisësve vendorë. Atyre që thonë se vigjilojnë natë e ditë mbi hallet e komunitetit. Dhe që parreshtur ngrejnë platforma me në qendër ..qytetarin. Qytetarin abstrakt sigurisht.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj