Di-Xheji Berisha dhe Opozita kercimtare
E majta opozitare së fundmi po dëshmon se është bërë pre e një pasioni të ri. Luftës me shifra. Mbrapa një çehre alarmi ndaj paradës euforike të kryeministrit -e denjë për titullin “7 muajt që sollën parajsën”, tek zëdhënësit e opozitës nuk mund të mos vërehej edhe një lloj lumturimi i brendshëm. Si dhe një lloj qetësimi triumfal. I cili mund të lexohet në shumë mënyra. Si kënaqësi tekniko-profesionale nga përdorimi i “armëve” të kundërshtarit (sa mirë ditkemi edhe ne të luftojmë me shifra dhe tregues raportesh), si perceptim i një fitoreje shpartalluese në debat, si një prezantim i fuqishëm publik paraelektoral, si një kushtrim për shtrëngimin e rradhëve opozitare drejt fitores së vërtetë, etj. etj.
***Mirpo ka edhe një shpjegim të fundit, tjetërsoj, mjaft larg natyrës së kësaj liste, i cili në fakt nuk është pa bazë dhe do ta them përse. Ky shpjegim thotë se kjo lloj “replike shifrore” ndaj një “lëvizje shifrore” të zotit Berisha, nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i lojës së tij agjitative politike. Një lloj kontributi për të kompletuar tablonë teatrale të “dabatit”, pluralizmit” dhe “oponencës politike”. Duke i hequr asaj gjithë përmbajtjen, presionin dhe ngarkesën e duhur opozitare. Mesazhi i vetëm që nxjerrim nga podiumi i kreut të opozitës është tejet i varfër: Berisha –duket sikur thotë ai -nuk është aq i zoti sa duket! Ka plot mangësira. E thotë dhe raporti i FMN-së! Kaq. A thua se vërtet këto shifra janë problemi i mprehtë i shqiptarëve. Kur dihet që raportet e FMN-së janë dokumentat më të pa-përdorshëm politikisht. Ku interpretimi është krejt i hapur, krejt i lirë. Ku çdo “pro” mund të lexohet njëherësh edhe si “kundra”. A thua se kjo ishte dritarja e vetme nga u shpalos korrupsioni. Hendeku i tmerrshëm i pabarazisë sociale. Çimentim i një oligarkie pasanikësh me pushtet politik. Ineficienca qeverisëse. Tregu monopolistik. Trajtimi selektiv e klanor i bizneseve. Mashtrimi i madh me çmimet e tarifat. Sidomos me barrën fiskale. E cila ulet nominalisht, por ngrihet përditë realisht. Me anë të çmimeve të referencës. Akcizave. Paracaktimit të pagave minimale. Dhe masave represive tatimore-doganore. Vërtet e ka të vështirë opozita t’i shohë e dokumentojë këto? Të pyesë njerëzit e të shkruajë me të madhe hallet e shqiptarëve, që janë mal ngado të kthesh sytë? Asnjë fjalë nuk u tha këto ditë për nevojën e veprimit urgjent opozitar. Për largimin imediat të kësaj qeverisje. Qoftë edhe vetëm për arësyet e treguesve të cituar nga FMN-ja. Nivelit të korrupsionit, klimës së biznesit, mizerabilitetit të ndërmarrjeve publike, zbatimit të ligjit e shtetit ligjor, etj. Zotit Rama edhe aq i duket shumë. Aq i kujdesshëm duket ai se mos gjithë kjo kuptohet si nevojë për të prekur karriket e pushtetit të sotëm, sa që nxiton e sqaron se nuk e ka me zgjedhjet, as me rotacionn politik. Sot jo e jo që nuk e kërkon këtë por as në 2009, kur i bie rradha rotacionit. Sepse –sipas zotit Rama –vërtet që gjendja për qytetarin ka shkuar tek s’mban më, por për zgjidhjen pret puna. Sepse –siç thotë ai, “pa ndryshuar pozitivisht vetë politika shqiptare dhe raporti i saj me qytetarin s'mund të mjaftojë as ndryshimi i domosdoshëm i qeverisë vitin e ardhshëm”. Ç’ka do të thotë që nomenklatura e re le të rrijë atje, të shtypë, të mjelë, të fortifikohet e të pasurohet. Ndërsa me një zgjidhje afatgjatë po merret vetë zoti Rama. Avash-avash, përmes planit të tij gandist për pastrim të shpirtit e mendjes së njerëzve. Deri në krijimin e njerëzve të rinj. Në trajtë robotësh. Pultin e të cilëve duket se do ta mbajë në dorë vetë zoti Rama. Deri sa të vijë kjo ditë askush të mos ndërmarrë ndonjë lëvizje politike. Është e panevojshme. E padobishme.
***Në rastin më të mirë kjo nuk do të ishte veçse një naivitet i opozitës, një katandi e ulët kthjelltësie dhe veprimi opozitar. Ndërsa në rastin më të keq (dhe kjo natyrisht që është e frikëshme), shpjegimi ynë thotë se ky është një skenar i njohur e i para-pranuar nga të dyja palët. Për këtë na flet së pari vetë shfaqja që po shohim. Berisha hedh shifra e zoti Rama i diskuton ato. Berisha pret shirita e zoti Rama i zhvleftëson ato. Berisha ri-hedh premtime me ujë e drita, zëdhënësit opozitarë hedhin pikpyetje mbi to. A nuk ju duken pak si role të para-ndara? Ku njëri bën “Di Xhein” e tjetri kërcimtarin? Por këtu na çon edhe konteksti i ngjarjeve, në vazhdim. Standardi i dyfishtë që zoti Rama po dëshmon prej mbi një viti ndaj Berishës. Thelbi i të cilit është një: kritikë për gjëra dytësore, marrveshje e mbështetje për dështimet thelbësore. Kujtojmë edhe njëherë se kafeja e parë Rama-Berisha vitin që shkoi, u pi pikërisht nën atmosferën e një marrveshje të tillë. Ju kujtohet? Bëhej fjalë asokohe për një rindarje kompetencash mbi ndërtimet. Mirëkuptim i heshtur. Teksa Berisha shtriu pëllëmbën në hartën përreth metropolit (nga Priska në Vorë e nga Farka në Kashar), zoti Rama e mori këtë si leje për “zhvillimin urban” të atyre pak shesheve të mbetura brenda kryeqytetit. Nga fusha e aviacionit e gjer tek rrëza e parkut të gjelbër. Pasojat? Krejt të lexueshme sivjet. Berisha fiton Kasharin thuajse pa kundërshtar (bashkë me të edhe projektet “zhvillimore urbane” –padyshim). Ndërsa zoti Rama shpall po aq lehtë fituesin e “konkursit” të rradhës për zhvillimin e zonës pranë liqenit. Sigurisht një “studio presigjioze”. Kësaj here jo-franceze. Një spektakël ky interesant në të parë, por që s’e shohim të shkruar në asnjë akt ligjor të këtij vendi.
***Marrveshjet e konsensusi politik natyrisht që nevojiten e bëjnë punë. Por me dy kushte të nënkuptuara. E para, të jenë për aspirata e çështje publike e qytetare (dhe jo për interesa personash e grupesh). E dyta të funksionojnë. Asgjë të tillë nuk shohim në marrveshjen në fjalë. Edhe atëhere kur ato shpallen nën flamurin e reformave e dobisë qytetare, edhe kur për këtë arësye marrin mbështetje të gjerë të brendshme e të jashtme, ato shfaqin një difekt të madh: nuk funksionojnë. Kështu ndodhi me reformën zgjedhore – derisa shqiptarët s’kanë ende karta identiteti e shtyhen në rradhë për çertifikata. Kështu ndodhi me reformën në drejtësi –derisa kjo e fundit e ka të vështirë të artikulohet mbi proceset më të qarta të vitit, kështu po ndodh edhe me reformën kushtetuese. Ku e vetmja gjë mbi të cilën palët u morën vesh ishte ... dobësimi i presidentit Topi. Është e qartë: dy të fortëve s’ka ç’i duhet një lojtar i tretë.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj