Faqja e Pare | Analiza | Selim Belortaja | Fati i së djathtës, mes farsës dhe reales

Fati i së djathtës, mes farsës dhe reales

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font

Në vazhdim të “politikës së kopjes” – një spektakël i ri ky në praktikën e politikëbërjes mazhoritare, u shfaq një akt i ri. Po aq sipërfaqësor e joserioz si të mëpërshmet. Një kafe mes krerëve të dy partive –njëra në pushtet dhe tjetra përtej gardhit, u bë shkas për hamendje jo fort të pabaza. Thelbi i të cilave –së paku sipas shtypit, ishte....fati i së djathtës shqiptare (!). Bashkë me “lëndën” për shtypin kjo sigurisht, fton për reflektim të gjithë ata që për çështjen në fjalë kanë piktakime e ndjeshmëri personale.

***Që meraku i shëndoshë për të djathtën, është shqetësimi i fundit që mund t’u shkojë ndërmend, jo vetëm protagonistëve në fjalë por edhe shumicës së personazheve që kanë zënë vend e lëvrijnë në krahun e djathtë të presidiumit politik shqiptar, kjo dihet. Është një mendim që dora-dorës po zbardhet në kokën e shumicës së shqiptarëve prej më se shtatëmbëdhjetë vjetësh. Qysh atëhere kur kuptuan se ndarja nga sistemi i vjetër nuk u bë as e qartë, as e drejtë e as e plotë. Që ajo ndarje, nga pikvështrimi i brendshëm i shumicës së lidershipit të PD, nuk bëhej as për motive të pastra, pa le  pastaj për të realizuar “pengjet e mëdha të së djathtës shqiptare” –një e djathtë në fakt inekzistente, në 1990-ën. Dhe që, madje as njerëzit që uzurpuan forcat për ndryshimit, jo vetëm nuk ishin ata që duhej, por nuk kishin as ndonjë tharm të përbashkët me atë të kundërshtarëve natyralë të ish-regjimit. Përkundrazi, në përgjithësi e siç dëshmojnë edhe sot ish-krerët e Partisë së Punës, shumë syresh ishin emra të shkruara e të konsultuara mbi skrivanitë e asaj partie.  Mbi këtë temë pra, mund të rrimë e të endim jo një metër e dy por një top të tërë pëlhure vlerësuese.  Mirpo sa do të vlente kjo? Pikërisht këtu le të ndahemi pak nga gjithë ajo mori e larushi pozicionimesh të djathta në raport me politikën e ditës dhe me pushtetin në Shqipëri, dhe ku shquhen tre kategori kryesore.

E para, janë ata që vazhdojnë të përsërisin me bindje se ata vetë i takojnë qind për qind “të djathtës tradicionale” dhe se herët a vonë dita e kësaj “të djathte historike” do të vijë se s’bën”. Të tillë natyrisht që janë pak në Shqipëri. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të virtutshëm, shumica me rrënjë familjare të mëdha e të respektuara, por për këtë arësye edhe ..të shpartalluara pa kthim gjatë viteve komuniste. Në shpresën dhe pritshmërinë e tyre legjendare, durim-madhe, ata shfaqen në fakt sa krenarë aq edhe gjyhnaqarë. Në grupin e dytë përfshihen ata që për shumë arësye e bindje, jo thjesht historike, kanë zgjedhur të rreshtohen djathtas dhe që besojnë se të djathtës shqiptare vetëm teknikisht e rastësisht dikush i bën hile, i ze rrugën dhe e pengon përkohësisht që t’i qaset pushtetit. Ndërsa e treta, dhe akoma më “fakire” është ai takëm të djathtësh, të cilët mendojnë se ...tashmë janë në pushtet. Këtu hyjnë lloj-lloj njerëzish me apo ndonjë karrike pushteti të cilët ose kënaqen me pozitën mohuese, pra mjaftohen me faktin që partitë e majta nuk janë në pushtet (“vetëm ata të mos jenë” –është motoja e tyre), ose kanë rënë vërtet viktima të logos dhe “fjalorit” djathtist të disa partive shqiptare. Natyrisht, masën kryesore në përbërje të këtyre partive nuk e përbëjnë kategoritë e të djathtëve, si më sipër. Reparti kryesor i partive dihet që janë thjesht ...mbështetësit e liderit. Të cilët nga ana e vet janë sa të verbër aq edhe ...me katër sy.  Janë pra pasuesit e një personi dhe një lidershipi të caktuar, të cilët as nuk dijnë e as nuk vrasin mendjen të dijnë në se me këtë qëndrim i shërbejnë të djathtës apo të majtës. Ata mjaftohen me faktin që shkojnë mbrapa filanit. Sepse atje i kanë lidhjet ndër-personale dhe atje i marrin favoret. Ata janë pjella tipike të një sistemi politik ku postet dhe favoret me të cilat “bëhet lek”, vijnë valë-valë. Ikën Berisha ikin dhe avantazhet. Vjen Berisha vjen edhe pranvera në shtëpitë e tyre. Si dhe në llogaritë e tyre bankare.

***E djathta shqiptare, ashtu si edhe e majta shqiptare pa asnjë dallim, në Shqipëri kanë probleme të forta identiteti. Që vijnë së pari, si rezultat i mungesës së një tradite serioze e të qëndrueshme politike, ku spektri politik nuk u kristalizua ndonjëherë –as në kahjen e linjave konservatore apo liberalizmit ekonomik, as në kahjen e një social-demokracie tipike europiane. Së dyti, dhe më kryesorja, kjo mungesë linjash “spektrale” politike, është rezultat i “genocidit politik” të ushtruar me një ashpërsi të pashembullt nga rregjimi komunist shqiptar për shumë dekada. Në se kjo paqartësi spektrale është apo jo një mënxyrë, dhe në se mungesa e një “të djathte të shëndetshme” na prish apo s’na prish punë për të ardhmen kjo është një tjetër çështje.. Ndërprerja e vazhdimësisë politike madje edhe njerëzore në të djathtën historike shqiptare, natyrisht që është një goditje në rrjedhën normale dhe në pjekurinë politike të vendit. Por duke e marrë realitetin e sotëm kështu si erdhi e kështu si është, duhet thënë se për eficiencën e sotme kjo gjë nuk luan kurrfarë roli tanimë. Kjo sepse e djathta historike u dobësua dhe u hollua aq shumë sa s’mban. Pasi u zhvesh nga pasuria, e nga standarti i jetesës e u degdis nga ishte më keq, për shumë dekada ajo u privua madje edhe nga  shkollimi dhe nga dijet. Pika që e nxjerr fare qartë  dobësinë e të djathtës shqiptare në realitetin e sotëm politik është pikërisht rreshtimi i saj i nënshtruar e inferior, mbrapa klanesh e njerëzish që s’kishin asnjë lidhje me të djathtën, jo vetëm në kuptimin e traditës politike e shoqërore, por as edhe në kuptimin konceptual të një programi e alternative të djathtë. Prandaj edhe detyra kryesore, madje testi numur një i vetëdijes dhe ekzistencës politike të së djathtës së vërtetë sot sipas meje është ky: të zhvendosë nga poltronat njerëzit që ajo për inerci vazhdon t’i duartrokasë e hutuar. E të cilët s’kanë asnjë lidhje me motivin dhe mentalitetin e djathtë.

***Që një e djathtë e shëndetshme në Shqipëri, jo me ca portrete të fiksuara njerëzish, por si program e si alternativë mirëqeverisje, është më se e domosdoshme. Ashtu si është e domosdoshme edhe një rishikim e një ri-formatim i thellë programor nga e majta. Gjë të cilën lideri i PS-së duket se e ka marrë seriozisht. Ajo është e domosdoshme jo si një skenografi e rekuizitë, jo si një kompletim uniformash e pajimesh “të djathta apo të majta”, por sepse me kristalizimin dhe me rolin e saj aktiv lidhen çështje të rëndësishme të shtruara sot si prioritete në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit. Çështjet më të mprehta të së cilës (prona, privatizimet, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, shteti ligjor, transparenca, etj.) mbeten pikërisht ato që nuk mund të zgjidhen e as mund të formulohen drejt, pa kontributin -së paku pa bashkë-autorësinë e një të djathte të kthjellët e të mirëinformuar.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2009 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00