Faqja e Pare | Analiza | Selim Belortaja | Nga Reformat tek ...Gandizmi

Nga Reformat tek ...Gandizmi

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Mahatma Gandi në një tur proteste

S’duhet të jesh medoemos një ekspert Indie për të kuptuar se “gandizmi” sot ka rigjetur ndoshta terrenin më pjellor për ri-mbirje e harlisje të shpejtë: Shqipërinë. E njohur vonë me modelet e lëvizjeve shoqërore nëpër botë, jeta politike shqiptare, po tregon një dobësi të veçantë ndaj këtij trendi të mes-shekullit të kaluar. I cili pasdyshim la pas jo vetëm një finale të madhe kombëtare për Indinë, por edhe një trashëgimi eksperiencash e mësimesh për një reagim social e politik ndryshe.Nuk ka dyshim gjithashtu se “dishepulli” i parë i këtij shembulli dhe përçuesi më elokuent i mënyrës “gandiste” të reagimit e komunikimit është zoti Rama, jo vetëm pas ardhjes në krye të PS. Sot e gjithë sipërmarrja e tij e gjerë politike, shfaq disa tipare të konturuara aq qartë, sa që nuk le vend për të dyshuar mbi modelin e zgjedhur. Që është padyshim Mahatma Gandi i 1930-48-ës. A është ky një lajm i mirë apo i keq? Përgjigja këtu s’është aspak e lehtë. Në formulimin e saj mund të nisemi nga këndvështrimi tradicional mbi politikën dhe luftën ndërpartiake (kështu do të bënin shumica e militantëve në parti). Dhe mund të shtrembëronim buzët. Ashtu si të njëjtën çështje mund ta shikonim edhe ndryshe: si qytetarë që duan një jetë më të mirë (kështu do të bënin shumica e shtetasve të këtij vendi). Të cilëve politika s’ju hyn në punë përveçse si një vegël, si një mjet, që çon në rritjen e mirëqënies, sigurisë e jetës së tyre. Dhe në këtë rast miratimi do të lexohej qartë. Do të kishim pra dy vlerësime të ndryshme për të njëjtën pyetje. E vërteta sipas meje, është se ky model veprimi i zotit Rama ka kaluar një periudhë suksesi nga çdo këndvështrim ta marrësh. Si garanci për këtë mjafton qoftë edhe vetëm fakti që së fundi dialogu me Shqipërinë po rimerret thuajse i kopjuar edhe nga oponenti më i madh politik i PS-së, zoti Berisha. Nëpërmjet turit të tij të posashpallur “takim me qytetarët”. Të ishte një metodë koti, Berisha s’do ta kishte përqafuar kaq pa hezitim. Edhe pse shumë i vonuar, ai duket i ndjeu efektet...

Nga ana tjetër, ka një pikë kyçe që zoti Rama i pari (dhe zoti Berisha mbas tij) duhet ta nënvizojnë: atë që edhe gandizmi ka kufizimet e “kushtëzimet” e veta. Që ai nuk është as një proces universal, as dogmatik e as i përjetshëm. Jo vetëm për faktin që gandizmi kërkon një Mahatma Gandi. Jo vetëm për faktin që mbështetësit e zbatuesit e gandizmit ishin nga India. Por për shumë faktorë të aktualitetit e të rrethanave ku ndodhet Shqipëria me politikën, lidershipet e qytetarin e saj, sot. Pa asnjë pikëtakimi me Indinë e asaj kohe – politikisht një koloni britanike, e as me strukturat shoqërore e traditat e hinduve e muslimanëve të saj. Por faktori kryesor në këtë mes, ai që e bën gandizmin shqiptar thuajse asgjë më shumë se sa një aktivitet kulturor, është diçka tjetër. Është fakti që Shqipëria e vitit 2008 –kandidate për në NATO dhe thuajse-kandidate për në BE, ndryshe nga India e 1946-ës, e ka një kushtetutë të vetën dhe një program të plotë REFORMASH për t’u kryer e objektivash për t’u arritur. Ka madje edhe indikatorët për t’ja matur rezultatin. Kështu që nuk ka edhe shumë shtigje për të zgjedhur. Zgjedhjen e ka bërë dhe kjo është rruga e integrimit në BE. Kjo e bën edhe të lehtë gjykimin mbi arritjet e mosarritjet. Mjafton të shikojmë reformat dhe të masim shkallën dhe cilësinë e bërjes së tyre. Roli i pluralizmit kufizohet kështu në konkurrencën për reformat që kërkohen. Kush i bën mirë rri në pushtet, kush i bën keq duhet të ikë.Kjo sugjeron edhe atë që ture të tilla “gandiste” ta ngushtojnë e precizojnë pak më mirë fokusin e tyre. Ato s’ka nevojë që të lodhen në trajtesa të gjera gjysëm-spirituale e etiko-edukative. Pas këtij sqarimi, mendoj sidoqoftë se, në se deri më sot “dialogun” Rama mund ta quajmë me plot gojën një tur të suksesshëm, kryesisht në vështrimin njohës, komunikues e emancipues të shoqërisë shqiptare, nuk mund të themi të njëjtën gjë mbi vazhdimin e tij në të ardhmen. Ky cikël e ka arritur pikën e vet të ngopjes dhe ndodhet para dy alternativash: ose me këtë arsenal të ri eksperiencash t’i kthehet politikëbërjes normale (tashmë të pasuruar e modernizuar), ose të kalojë në një stad tjetër më të lartë e më efektiv të “dialogut”. Natyrisht në se një variant i tillë ekziston. Gjithsesi vazhdimi i njëtrajtshëm i këtij aksioni s’mund të jetë efektiv më tutje. Mendoj se i ka arritur caqet e optimales.Një arësye më shumë e “mbingopjes” me këtë metodë, por edhe një sinjal që “ky pilaf s’mban më ujë” është hyrja në të jëjtën valle e zotit Berisha. “Takimi me qytetarët”

Që të jemi më të qartë mbi origjinalin dhe ngjashmëritë e tentuara, por edhe mbi dobinë e risjelljes në skenë, le t’i heshim një sy, ç’sugjeron në fakt modeli “Gandi”?  Metoda e tij e ndërverpimit – Satyagraha  (shtegu për tek e vërteta), predikon që angazhimi në konflikt (përfshi edhe konfliktin debatues) duhet bërë në mënyrë konstruktive dhe jo mohuese e asgjësuese të kundërshtarit. Parimet bazë të Satyagraha-s si e vërteta, rruga paqësore dhe …vetësakrifikimi, kanë një piksynim të ndryshëm nga ai tradicional: mënyra se si njerëzit reagojnë thoshte Gandi, është më e rëndësishme se sa ajo se ç’farë ata arrijnë. Më të rëndësihme se çdo gjë, sipas tij, janë katër gjëra: së pari, një mënyrë të re komunikimi e cila dalëngadalë pranohet edhe nga oponentët. Së dyti, përjashtimin e akteve të dhunës së çdo forme dhe kërkimin e së vërtetës -ndryshe nga historia e deriatëhershme -si një zgjidhje të negociuar që mund t’i kënaqë të dyja palët në konflikt. Së treti, vlerësimi mbi triumfin apo objektivin final të mos lidhet me pozitën e atyre vetë, por me kapërcimin e situatës, përmes realizimit të një sinteze mes pretendimeve të kundërta apo të ndryshme të palëve. Së katërti, fleksibilitetin ose pranimin e tërheqjes nga pozicionet fillestare  në se për këtë krijohet një bindje e re si rezultat i përplasjes së ideve. Përmbledhur në dy fjalë metoda e Gandit ngrihet mbi dy shtylla: komunikimi i hapur e paparagjykime dhe përjashtimi i dhunës. Teknikisht, si mjete kundërshtimi, Satyagraha predikonte qëndresën paqësore dhe mosbindjen civile –terma që sot në Shqipëri i ndeshim jo dhe aq rallë. Në ka ndonjë gjë në këtë metodë, që vlen gjithandej, ajo është etika e komunikimit “Gandi”. Për studiuesit e komunikimit etik, retorikat nacionale, politike e populiste kryesisht shifen si joetike.  Disa nga normat që prezantojnë këta studiues, pra për përcjelljen e ideve publikut të gjerë, janë mëndja e hapur në kërkimin e së vërtetës, drejtësia, përparësia e motiveve publike mbi ato private, respekti për mendimin ndryshe, shpallja publike e argumenteve, dhe bindja e njerëzve pa ushtruar presion e pa fshehur faktet. Gjithë veprimi i Gandit të madh për të zgjidhur konfliktet, ngrihet pikërisht mbi këto norma etike të komunikimit. Prandaj ai në rradhë të parë klasifikohet si komunikim etik.

Pas kësaj njohje me modelin, e kemi më të qartë besoj rrezikun prej vazhdimit të kopimit të tij. Duket ashiqare se ajo që e gremis direkt gandizmin shqiptar këtej e tutje, duke e shndrruar gjithnjë e më shumë në material për Servantesin, do të ishin personazhet vetë. Gandisti i ri është zoti Berisha. Merret me mend përqasja e tij me imazhin “gandist” të paqes, arsyes, modestisë, e non-violencës. Ndërsa Rama, rrezikon për një arësye tjetër. Pikërisht për pranimin që ai i bën Berishës si bashkëpërçues i gandizmit në Shqipëri. Në se deri më sot, për koston e ngushtë poltike që shkakton kjo “hapje qytetare” ai ka një “skuzë”– dhe kjo është emancipimi shoqëror që aspiron politikani i ri Rama, nesër këtë nuk mund ta ketë. Do të referohet si Rama që pranoi Berishën për bashkëemancipues e freskues të poltikës shqiptare. Është tamam koha për ta shmangur këtë rrezik.

Sidoqoftë as sa më sipër nuk është thelbi i këtij shkrimi. Dështimi a mosdështimi i “gandizmit” shqiptar, nuk është çështja më e ndjeshme, as për mua e as për miliona shqiptarë si unë. Shumë më e rëndësishme për të gjithë, është diçka tjetër: përqafimi i “Gandizmit” si një rrugë për t’i rrëshkitur përgjegjësive. Barazimi i këtij turi nëpër kodra e lugina, thjesht me renë e pluhurit që ngrejnë karvanet e benz-ave të zinj.  Në rastin e zotit Rama, tejzgjatja e këtij refreni s’mund të mos lexohej më, si një ikje nga përgjegjësia e të bërit opozitë. Si shmangje nga ai angazhim i dyfishtë  “ballor” që ka opozita e sotme shqiptare. E kam fjalën jo aq për rotacionin pra shndrrimin e mazhorancës në opozitë, se sa për largimin e personit që sundon përballë, e që më qartë se kushdo mishëron tiparet e poltikës së vjetër. Ndërsa për vetë zotin Berisha, “gandizmi” sot është vërtet një dhuaratë nga qielli. Që e ndihmon njëkohësisht t’i rrëshkasë gjithshkaje. Së pari, Gërdecit (ku ka më mirë se sa ndërsa drejtësia e publiku pret sqarime,  ti të shtrish krahët anëve të horizontit duke ri-premtuar ..e ri-sugjestionua).  Së dyti, tensioneve të brendshme të mazhorancës (s’ka më mirë se t’i ndjekësh ato nga qafa e Llogarasë). Dhe së treti, si një largim hutues nga reformat e pakryera. Ka një listë të gjatë pikëpyetjesh mbi to. Ç’bëhet me “kafshatën” e varfërinë, me vaskat e florinjta, me papunësinë, me listat “veresie”, me monopolet, me çështjen e pronës, me “Shqipëria 1 Euro”, me ndotjen e ajrit, me korrupsionin e madh, me rryshfetin e vogël, me sigurinë rrugore, me “shërbesat” e shërbimeve publike,  me ekologjinë, me kapacitetet administrative, me klimën e biznesit, me konkurrueshmërinë, me “moshën e internetit” me eksportet, etj, etj. Ajo që ndoshta nuk di mirë zoti Berisha e stafi i “turit” të tij është vetëm një gjë: që këto pyetje sot nuk ngrihen vetëm në Tiranë.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00