Nje diplomat me qera
1.
U dëshmua se nuk ishte homoseksual, komunist, pijanec, narkoman e as borxhli. Pas një verifikimi të gjatë të hetuesve në Foreign Office, një formulim i këtillë iu kumtua Carne Rossit dhe ai mund të bëhej diplomat në shërbim të Mbretëreshës britanike, një karrierë 15-vjeçare, që do ta çonte te një udhëtim të brendshëm prej besimtarit ortodoks në politikën e jashtme britanike të një heretiku, që duke u kthyer mbrapa bënte copë e grimë jo vetëm politikën e jashtme britanike, por, pak a shumë, diplomacinë në tërësi.
Arsyeja e dorëheqjes nga Foreign Office shpjegohet në librin e tij "Diplomati i pavarur" (sapobotuar nga KOHA, Prishtinë) është politika britanike ndaj Irakut që kulminoi me sulmin ushtarak amerikan e britanik. Sipas Ross, që atëherë merrej me Irakun në Misionin britanik në OKB, pas 11 shtatorit të vitit 2001 (sulmin terrorist, të cilin e kishte përjetuar vetë në Nju Jork), Kryeministri Blair do të rishikonte shënimet e njëjta që ia jepte rrjeti britanik i spiunimit, por me sy të tjerë. Në formë të vetëdijshme, analizon ai, bëhej fabrikimi i të dhënave negative për Irakun, në mënyrë që të arsyetohej sulmi ushtarak, i cili po përgatitej kundër Saddam Huseinit.
Në dyqind faqe, autori nëpërmjet përshkrimeve të mbledhjeve të mërzitshme të Këshillit të Sigurimit, teorisë psikologjike dhe asaj të së drejtës ndërkombëtare, përpiqet të shpjegojë se si diplomacia u shndërrua në një armë jodemokratike të marrëdhënieve në botë.
Përtej teorisë, vetëpërshkrimi duket se e forcon më tepër tezën e tij kryesore për veprim jodemokratik. Në postin e tij të parë diplomatik, Ross mbërrin në Norvegji dhe që në ditën e parë të punës në ambasadën britanike bëhet vullnetar për të dhënë një analizë të karakterit të popullit norvegjez, bazuar në përvojën e tij disaorëshe të pritjes për valixhe në aeroportin e Oslos një natë më parë.
2.
Çka është demokratike e çka jo në politikën e jashtme? Sipas autorit, mungesa e kontrollit demokratik, mungesa e llogaridhënies e bën politikën e jashtme jodemokratike dhe kjo vlen pothuajse për të gjitha diplomacitë.
Kur do të hynte në restorantin e Prishtinës, në të cilin do të takohemi për së pari, Carne Ross tashmë kishte mbaruar rrugën e gjatë diplomatike, duke i shërbyer vendit të tij (apo siç plason në këtë libër, interesave të garniturave udhëheqëse të vendit të tij) dhe kishte filluar të punonte për OKB-së, Misionin në Kosovë.
Në fakt, kishte lënë shërbimin britanik, i cili, sipas përshkrimit në vetë librin e tij, megjithatë i është përkulur pak presionit të opinionit publik, në rastin e sanksioneve ndaj Irakut. Dhe, kishte filluar të punonte për shërbimin më jodemokratik në botë, atë të OKB-së, ku nuk ekziston, për nga definicioni, llogaridhënia demokratike.
Në restorant do të hynte i veshur me rrobat e një diplomati britanik dhe me detyrën e një diplomati të OKB-së. Një mendje e edukuar Perëndimore do të më shpjegonte njërën prej politikave më absurde të OKB-së, me besimin e një dogme: Kosova duhet të përmbushë standardet e shtetit për t‘u kualifikuar për t‘u bërë shtet, por ndërkohë të gjitha ingerencat shtetërore do t‘i mbajë UNMIK. Kjo është si për të thënë se po ta ndërtosh shtëpinë ajo mund të jetë e jotja, por ndërkohë nuk të lejohen materiali ndërtimor e as veglat.
Që të dy e pamë me sytë tanë ku çonte kjo politikë, duke u kthyer së bashku nga një konferencë në Zvicër më 17 mars të vitit 2004. Ndërsa hynim nga aeroporti i Prishtinës për në Prishtinë, në Mitrovicë kishte të vdekur nga armët e zjarrit e në Fushë Kosovë mund të shihej se si së bashku me shtëpitë e serbëve digjej edhe politika e "standardeve para statusit", përgjegjësi për zbatim i së cilës në UNMIK ishte Carne Ross.
Ky shënim nuk do të hyjë në libër. Pas dështimit të parë, me Irakun, ky do të ishte pranim i një dështimi të dytë. Herën e parë, qe dështim i përpjekjeve unilaterale anglo-amerikane për të diktuar politikën e vet në Irak. Herën e dytë ishte dështimi i multilateralizmit i vetë OKB-së.
3.
Por, kam frikë se edhe ajo që autori e konsideron të arritur do të mund të kualifikohej ndryshe. Pas Kosovës i kishte ardhur në mend një koncept i ri, ai i ofrimit të shërbimeve diplomatike private (ndonëse jo fitimprurëse), për vendet a popujt që nuk kanë mundësi t‘i kenë të vetat. Organizata "Independent Diplomat" (si titulli i librit) do të ofronte shërbimet e veta diplomatike vendeve si Kosova dhe Somaliland, shpjegonte autori.
Në Kosovë pakkush di se "Independent Diplomat" jepte shërbimet e veta autoriteteve kosovare (ndoshta vazhdon t‘i japë) dhe po të mos dilte një a dy herë në gazetë, e tëra do të mbetej e heshtur. Me të, edhe relacioni mes një organizate joqeveritare, e cila u ndërtua si kritikë ndaj mostransparencës dhe një qeverie si ajo e Kosovës që nuk dha një shpjegim se çfarë kontrate ka me "Independent Diplomat", për çfarë shërbimesh, me çfarë qëllimi e kosto.
Dhe, çfarë e afron me Somalilandin, për të cilin shumica e kosovarëve as që di gjë?
Ndoshta, përtej shpjegimeve, do të mjaftonte përshkrimi i një skene, të asaj që vetëquhej vizita historike e Kryeministrit të Kosovës në OKB. Në të, Kryeministri i atëhershëm Kosumi, do të ulet në sallën e Këshillit të Sigurimit, duke u ngutur të zërë një karrige në audiencë, që mos t‘ia zënë diplomatët e rinj e kureshtarë, do të dëgjojë Presidentin serb Tadiq, pa të drejtë për t‘iu përgjigjur, do të vërtitet korridoreve të OKB-së së bashku me autorin si pjesëtar formal i delegacionit të UNMIK-ut, do të presin për një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe do ta marrin konfirmimin për të. Do të takohen me sekretarin e përgjithshëm për 10 minuta rresht dhe nuk do të mbajë mend kush se çfarë u tha, por se u bë "takimi i parë historik" mes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe një Kryeministri të Kosovës, siç do të dëshmojë fotografia e duarshtrëngimit, trofeu më i vlefshëm i kësaj vizite që do ta gëzojë pa masë Kryeministrin.
Do të dalin në mbrëmje "në një limuzinë qesharake...dhe shëtisim lart-poshtë Manhattanit, derisa pimë vodka dhe vallëzojmë në ulëset tona. Më vonë, në një restorant ‘italian‘ shqiptaro-amerikan hamë e pimë pa kufi. Në mes të një zhurme zërash shqiptarë, sikur të ishim në Prishtinë. Unë jam jokosovari i vetëm aty". Kryeministri këndon himne nga koha kur ka qenë i burgosur politik...
4.
Të pathënat në këtë libër duket se janë po aq të rëndësishme për Kosovën sa edhe të shkruarat.
Nuk përmenden, por i kam lexuar disa raporte të ID ("Independent Diplomat") dërguar negociatorëve kosovarë, vonë gjatë procesit dhe kanë qenë raporte të mira, qoftë nga Nju Jorku apo Brukseli.
Por, çështja, për Kosovën nuk ishte se sa e suksesshme apo e pasuksesshme ishte ideja e kontraktimit të "diplomatëve privatë" (që, para disa vjetësh, kur nuk ekzistonte ID u thoshin lobistë). Çështja është se përse Kosova nuk ka ndërtuar shërbimin e vet diplomatik me vite të tëra dhe përse, ndonëse është tashmë e pavarur, nuk e ka as praninë më rudimentare në korridoret e OKB-së, për shembull?
Disa arsye ndoshta janë të fshehura në simbolikën e fotografisë "historike" të Kryeministrit të Kosovës. Nuk është me rëndësi se çka flitet, me rëndësi është se kush ka folur me sekretarin e OKB-së dhe ja dëshmia për këtë! E, kjo nuk ishte dobësi e këtij Kryeministri; ishte veçori e të gjithëve. Që të gjithë do të ktheheshin me fotografitë e tyre, dëshmi se "unë ia thashë...". Dhe, kontraktuesit si ID kishin këtë detyrë fundamentale: që ta sigurojnë fotografinë, të shkruajnë një artikull që do të plasohet në "Financial Times" apo "International Herald Tribune".
Dhe, përderisa përmbusheshin këto dy detyra, të fotografisë e artikullit, nuk kishte shtytje tjetër për të zhvilluar një prani në botë që do të lidhte gradualisht Kosovën me vendet e botës. Shikuar kështu, autori ka mbërritur të kundërtën e intencës për themelimin e ID-së: duke i shërbyer në formë krejtësisht jotransparente Kryeministrit të Kosovës jo vetëm që e ka privatizuar apo personalizuar atë që do të duhej të ishte politika e jashtme kosovare, por është përdorur në pengimin e zhvillimit të natyrshëm të saj, prej brenda.
5.
Kur të shkruhet historia, autori i këtij libri mund të thotë se organizata që ai themeloi si reagim kritik kundrejt politikës së jashtme britanike e ndihmoi pavarësimin e Kosovës, duke e bërë përfaqësimin e saj diplomatik.
Ndoshta në vend të këtij afirmimi tejet ambicioz, do të ishte mirë që të shkruajë një libër tjetër ku përshkruan Kosovën, siç e ka parë në vitet e UNMIK-ut dhe në përpjekjen për të bërë përfaqësimin e Kosovës apo vetëdijësimin e autoriteteve kosovare se u duhet një përfaqësim diplomatik. Me syrin e tij të mprehtë dhe cinizmin e rizbuluar, Carne Ross do të na ofronte një vistër të tërë skenash si ajo e stretch-limos në Manhattan, me të cilat do ta kuptonim veten në mënyrë shumë më dramatike se ç‘e bëjmë.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (4 vendosur):
Vendosni komentin tuaj