Faqja e Pare | Analiza | Një Varkë Noe për të shpëtuar drithin

Një Varkë Noe për të shpëtuar drithin

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Zhvillimet e muajve të fundit në tregjet botërore të produkteve ushqimore, duket se e bëjnë këtë titull shkrimi të merituar. Si kurrë më parë, indeksi i mallrave ushqimore e ka tejkaluar në peshë dhe influencë indeksin e mallrave të tjerë në bursat mbarëbotërore, si të tregjeve të metaleve dhe të letrave me vlerë. Një rritje historike e çmimeve të ushqimeve tashmë është prezente që prej gati dy vitesh dhe e shtrirë në gjithë globin. Sipas FAO-s, që prej vitit 2000, çmimet kanë shënuar një rritje prej 75%. Kjo ka krijuar një pështjellim politik dhe social në shumë pjesë të globit, veçanërisht në kontinentin afrikan, ku është dhe shkalla më e madhe e varfërisë. Rusia ka vendosur prej disa muajsh “ngrirjen” e çmimeve të prodhimeve bazë ushqimore si dhe kufizim të eksportit të drithërave. Rezervat botërore të drithërave janë tashmë në nivelet më të ulëta historike që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Profeti i zymtësisë dhe rritjes shpërthyese të popullsisë, Maltusi, është autori më i referuar ndër analistët dhe studiuesit. Tashmë, nuk ka dyshim se siguria ushqimore (food security) përbën sfidën më të madhe të njerëzimit në shekullin e 21-të.
Pse filloi tani? Çfarë ka ndodhur në këtë sektor jetik gjatë këtyre viteve?
Faktorë të kërkesës dhe të ofertës kanë vepruar njëkohësisht. Në anën e kërkesës, bota ka përjetuar një rritje sistematike dhe të qëndrueshme të mirëqenies së shoqërisë njerëzore. Vetëm në Kinë, mesatarisht 50 milionë banorë i shtohen çdo vit shtresës së mesme të popullsisë, që ka mundësi të shpenzojë më shumë në një dietë të pasur me bazë mishin, gjë që kërkon gjithnjë e më shumë drithëra për të mbështetur kërkesën për mish. Rritja e nivelit të mirëqenies, e mundësuar nga rritja e jashtëzakonshme ekonomike dhe e paprecedentë në historinë e njerëzimit, dhe e mbështetur nga revolucioni në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, akoma nuk po gjen të njëjtën balancë edhe në revolucionin e bioteknologjisë.
Faktorë të paparashikueshëm janë në veprim në anën e ofertës. Ndryshimet ekstremale klimaterike, kanë dëmtuar sipërfaqe të pamasa të tokës bujqësore në të gjithë globin. Prodhuesja më e madhe botërore e drithërave, Australia, po vuan që prej dy vitesh një thatësirë të jashtëzakonshme, gjë që ka ulur ndjeshëm shitjet e saj në tregjet botërore. Fermerët amerikanë po e gjejnë më të leverdishme të ngarkojnë drithërat në tankerat e firmave që prodhojnë biodiesel, se sa ta çojnë atë drejt pjatave të kuzhinës. Prodhimi i etanolit me bazë prodhimet bujqësore, po zhvendos sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore nga kultivimi i tyre për ushqim.
Besoj se tashmë pa frikë mund të shtrohet pyetja: “A është rritja ekonomike globale e qëndrueshme; që burimet ekonomike të sotme në dispozicion të shoqërisë të mund të përballojnë trendet e arritura në standardin e jetesës së shoqërisë?” Pyetja është frikësuese (në disa pjesë të botës madje kjo tingëllon dhe cinike!).
Natyrshëm që shpresat më të mëdha mbeten pas të rejave në revolucionin e bioteknologjisë; që kjo shkencë të bëjë atë që arriti revolucioni në sektorin e ICT. “Food safety” dhe “food security” kanë nevojë për më shumë pajtim midis tyre. Të qenët vetëm “bio” druaj se nuk ndihmon shumë në shoqërinë moderne të konsumit. Përkundrazi, ajo do të thellojë dhe më shumë ndarjen shoqërore, duke mundësuar “më shumë, por gjithnjë e për më pak njerëz (të pasur)”.
Analiza (spekulative) afatgjatë mund të vazhdojë më tej. Për shembull, që nga shembja e Murit të Berlinit, vlerësohet se rreth 24 milionë hektarë sipërfaqe toke bujqësore në ish-vendet komuniste janë lënë djerrë. Kjo përbën një potencial të rëndësishëm, që duke u nxitur nga konjuktura aktuale e çmimeve të mallrave ushqimore, mund të futen në veprimtari ekonomike, duke përmirësuar ofertën e mallrave ushqimore (në afat të mesëm?).
Rritja e çmimeve të mallrave ushqimore ka bërë gjithashtu që të bjerë koncepti i subvencioneve të këtij sektori në vendet e Perëndimit. Tashmë fermerët nga vendet në zhvillim kanë mundësi të prodhojnë më shumë dhe të shesin më shumë në tregjet botërore.  Por a janë investimet e nevojshme në këtë pjesë të botës të ndihmojnë në një afat të shkurtër dhe të mesëm?
Megjithëse asnjë profeci nuk mund të bëhet për këto dinamika dhe se cili do të jetë ekuilibri i ardhshëm në këto tregje, duket se për të paktën dy-tre vitet e ardhshme, ky nuk do të jetë një ekuilibër i lehtë. Leksionet politike janë të shumta mbi të cilat duhet punuar me shpejtësi, ashtu sikurse është kritike që këto sinjale tregu të përçohen tek fermeri në mënyrë që të përfitohet nga këto zhvillime dhe të zbuten disbalancat tregtare në këto tregje të brendshme.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0