Hic!
Disa javë më parë ndodhesha jashtë Shqipërisë dhe në një sms që i dërgova një mikut tim duke e pyetur se ç’bëhej në Shqipëri, përgjigja ishte: Hiç… Me fjalë të tjera unë e deshifrova: të njëjtat gjëra. Hiç është një nga shprehjet më të natyrshme dhe më të përdorshme në shqipen tonë, e thënë nga ne shqiptarët. Ka shumë më tepër kuptim dhe më shumë ngarkesë emocionale se sa asgjë-ja. Rëndesa nervoze me të cilën i mëshohet kësaj fjale nuk e kursen dot një opinion të caktuar. Në rastin e sms-së që mora, për asnjë çast nuk mendova se në Shqipëri nuk ndodh asgjë…, përkundrazi mendova se ndodhin shumë gjëra të pakëndshme.
Më ngjan sikur Hiç, është një nga frazat moderne qytetare me të cilën kemi mbuluar dekada e dekada të historisë sonë të kaluar problematike. Ka qenë një nga shprehjet më të preferuara në vitet ’80, kur shkëmbimi i përshëndetjes me njëri-tjetrin do të kishte në mes ose në fund këtë pjesëz, e cila nënkuptonte jo vetëm gjendjen konkrete të momentit për shumë njerëz, por ishte kryesisht e lidhur me ndjesitë e tij shpirtërore të parealizuara, me mungesën e lirisë së individit. Në atë periudhë, gjithsesi, ishte një mundësi e hollë për të shprehur qoftë edhe pak disidence…
Duke e mbajtur mend si të tillë prej vitesh, e përsëritur ende me të njëjtin intensitet emocional në formë, përmbajtja e kësaj fjale më shqetëson, sepse ndodh në një realitet të një sistemi politiko-social ndryshe nga i pari. Prandaj, kur një përgjigje e tillë vjen pas një pyetje për gjendjen politike apo sociale në Shqipëri, Hiç, më shumë se një fjalë, bëhet një fenomen.
Qofsha e gabuar në ndjesitë e mia, por intensiteti i përdorimit të kësaj fjale është si një barometër për të përcaktuar jo vetëm ecurinë e fenomeneve dhe ngjarjeve, por edhe raportin e individit me ato fenomene dhe ngjarje. Kur Hiç thuhet nga një njeri i angazhuar në sferat shoqërore, ka dy gjëra. Ose ky person është lodhur nga ato që e rrethojnë, është përpjekur të bëjë diçka dhe s’ka gjetur mirëkuptimin për ta bërë siç duhet, është lodhur nga mediokriteti që e rrethon, nuk mundet më kur sheh mungesën totale të përkushtimit për të ndryshuar gjërat, s’ka miq që mund ta ndjekin në një qëllim idealist, rreth vetes sheh se amoralja është bërë shumë natyrshëm morale dhe se shfaqjet e moralit njerëzor janë kthyer në barsoleta kafenesh. Ndonjëherë ky njeri është pjesë e disa pjesëve të vockla të dramës së përditshme dhe bëhet padashje aktor i saj. P.sh., duke qenë një drejtues i një shoqate të paangazhuar politikisht, i duhet të bashkëpunojë me një institucion shtetëror dhe një mesditë është kthyer në zyrën e tij i zhgënjyer dhe i demoralizuar, kur pas një takimi me një drejtor drejtorie, i caktuar si bashkëpunëtor, në vend të një bisede normale për punën, drejtori i drejtorisë fërkonte duart para dhe pasi e piu kafenë, dhe ne fund tha: “S’po na bie në dorë ndonjë pare”… Versioni tjetër mund të jetë i një tjetërkujt, kushdo qoftë, një njeri që nuk merr pjesë aktive në jetën politike ose sociale, një vëzhgues i trishtuar, i cili duhet të rrijë në radhë për të paguar faturat e pakuptueshme të ujit dhe dritës, kur pasi ka kërkuar disa herë shpjegim se pse për muaj të tërë fatura i vjen me 0 shpenzime dhe për muaj të tjerë me shifra shumë të larta… I lodhur nga pyetjet e vazhdueshme që i ka bërë vetes, të afërmve, ose kur ka mundur edhe ndonjë zyrë abuzive shtetërore dhe asnjëherë s’ka marrë përgjigje, ai ka heshtur dhe është mbledhur në filozofinë e HIÇ-it. Por është edhe ai lloji tjetër, disi jashtë kësaj kategorie: i atij që nuk do të dijë se ç’ndodh rreth tij, mjafton të përmbushë interesat personale-materiale, pavarësisht se mbi cilin shkel. Çdo gjë tjetër jashtë këtyre interesave, për këtë tip, është përcaktimi: Hiç. Në këtë rast, kjo i shkon më shumë drejtorit të drejtorisë që fërkon duart dhe kërkon para…
Ose… pasi shtypi shqiptar për javë me radhë ka rrëfyer emra dhe bëma bashkëpunëtorësh të sigurimit, fakte dhe dëshmitarë, çuditërisht askujt s’i bën përshtypje se kjo pjesë e hidhur e së kaluarës po na rëndon të tashmen dhe errëson të ardhmen dhe në këtë rast përdorimi i Hiç-it është një ironi e hidhur që na kthehet e na godet si boomerang çdo ditë, por ne të mjerët nuk jemi në gjendje ta shikojmë.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (3 vendosur):
"Sa ta keme turkun nder mende, kurre prej zorit s'del ky vende....vazhdon.
Vendosni komentin tuaj