Faqja e Pare | Analiza | Me duar te lira

Me duar te lira

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Shteti i dyte shqiptar nisi jetën e tij në një Ballkan ende të trazuar. Pavarësia e Kosovës, të cilën disa breza të gjallë shqiptarësh patën rastin ta shohin dhe përjetojnë përkundër asaj që kishin besuar, është një ngjarje që mesa duket do ta modelojë ngadalë, por pa ndalur, jo vetëm arkitekturën politike të rajonit, por në një farë  mase ndoshta edhe vetë marrëdhëniet ndërkombëtare Tendosja e dukshme mes Perëndimit dhe Rusisë do të ketë pasoja për sot dhe për nesër, për këtë pjesë të kontinentit, por edhe për zhvillime e procese mijëra kilometra larg nesh. Reagimet e para, pas deklaratës së pavarësisë së Kuvendit të Kosovës, dëshmuan se ka një grup shtetesh që e shohin realisht pavarësinë si një objektiv të pashmangshëm. Këto shtete po e mbajnë me korrektesë premtimin për ta njohur Kosovën si shtet sovran. Ka një grup tjetër shtetesh që edhe ato, mesa po shohim, e kanë pasur seriozisht kur janë shprehur kundër pavarësisë. Ky grup i dytë, mjaft heterogjen për nga motivet e qëndrimit ndaj shtetit të ri kosovar, do të vijë duke u ngushtuar me kalimin e kohës. Por realisht Kosova ka zyrtarizuar, bashkë me precedentin e pavarësisë së njëanshme, edhe epokën e një krize të re mes Rusisë nga njëra anë dhe SHBA-së e Bashkimit Evropian nga ana tjetër, konturet e të cilës mbeten për t’u zbuluar gradualisht. Kosova e sotme duket se u kthye në valvulën e shkarkimit të një trysnie të akumuluar mes palëve, e cila ka brenda kriza që fillojnë me luftën në Irak dhe politikën ndaj Iranit, e që mbarojnë me instalimet anti-raketë të SHBA në Çeki e Poloni, apo me situatën në republikat e Kaukazit dhe shtrirjen e NATO-s drejt Lindjes. Nëse kjo nuk është një Luftë e Ftohtë numër dy, pak mungon nga të qenit e tillë.
Megjithatë kjo duket t’u interesojë pak kosovarëve, të cilët sot kanë një shtet dhe një flamur. Të parin, ashtu siç e kishin ëndërruar, të dytin jo edhe aq “kuq e zi” sa ç’do ta kishin dashur. Qeveria kosovare e vonoi shpalljen e simboleve të reja shtetërore, ndoshta edhe për t’i dhënë mundësi kosovarëve që të shpalosin rrugëve, mureve, lokaleve e deri edhe majë malesh indin e tyre kombëtar, përkatësinë e tyre shpirtërore ndaj një simboli me siguri do të mbetet edhe më tej e vetmja pikë referimi.
Shteti i ri i Kosovës përbën tashmë një prezencë që duhet të bëjë të mendohen edhe në Tiranë. Të mbajtura deri më sot nën tryezë për arsye të kuptueshme, planet e politikës zyrtare të Shqipërisë për t’iu përgjigjur këtij momenti cilësisht të ri, duhet të fillojnë të marrin shtat. Nuk ka arsye për të besuar se Tirana nuk ka menduar asnjë çast për këtë moment, por ka motive për të qenë vigjilent për të vërejtur sesi do ta përdorin në të dy anët e kufirit këtë oportunitet historik. Pak politikanë shqiptarë u panë në Prishtinë në ditën e shpalljes së pavarësisë. Një regji e padukshme kishte evituar me kujdes praninë e klasës tonë politike në atë vend, në atë çast. Tashmë kujdesi nevojitet të pasohet me realizëm dhe politikë energjike. Rruga drejt Morinës mbetet arteria e madhe që do të hapë shtegun për të vendosur komunikimin e parë të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përtej asaj që është shkruar për atë rrugë (ç’ka nuk nënkupton aspak ngadalësimin apo sabotimin e projektit), duhet thënë se në atë trase që po hapet, duhen shtrirë shinat e një bashkëpunimi shumëplanësh. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë pse të bashkohen në një shtet të vetëm, për të pritur që të nisin nga integrimi ekonomik, kulturor e arsimor.
Një pjesë e këtij procesi ka filluar, natyrisht i dëmtuar sa nga hutimi tetëvjeçar ndërshqiptar, aq edhe nga prezenca vigjilente e pranisë ndërkombëtare këtej dhe andej kufirit. Skrupujt e një Kosove nën administrim ndërkombëtar tashmë kanë rënë në një pjesë të mirë. Është koha që politika të mendojë, me kujdes dhe pa retorikë patriotike boshe, sesi këto dy pjesë të kombit të nisin të shkëmbejnë mes tyre njerëz, mallra dhe ide. Është e pafalshme që kufiri shtetëror Shqipëri-Kosovë vijon të jetë ndër më të padepërtueshmit e Ballkanit, ndër më pak të pajisurit me infrastrukturë dhe mundësi të tjera komunikimi.
Është koha që ky izolim - mbetje e një kohe tjetër, të nisë të marrë fund në këtë epokë të re të Kosovës-shtet. Mediat elektronike dhe ato të shkruara dhanë këto ditë një leksion të mirë për politikën, kur transmetuan direkt dhe në mënyrë kapilare gjithë çfarë ndodhi në Kosovë gjatë orëve të Pavarësisë. Mbetet që pas gazetarëve, në Kosovë të shkelin më shumë biznesmenë, politikanë, artistë dhe mësues. Serbia nuk është më aty, bashkësia ndërkombëtare po fillon të lëshojë diçka nga qëndrimi i saj prej mësuesi. Është pra koha që shqiptarët, këtej dhe andej, të fillojnë të mendojnë për këtë situatë krejtësisht të re. Një vonesë në këto kushte drejt një marrëdhënieje intensive ndërshtetërore (asgjë më tepër në fakt), do të ishte historikisht e pafalshme, sepse tashmë askush, përveç vetvetes, nuk na pengon më që ta bëjmë këtë. Duart i kemi të lira, le t’i përdorim.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00