Shoqeria shqiptare e mbushur me Gjoleke e me Abaze
Fillimisht kisha lexuar diçka në shtypin e përditshëm mbi filmin e Dhimitër Anagnostit, "Gjoleka, i biri i Abazit". Më pas, për të më foli vetë Anagnosti në një takim të rastësishëm. Nuk është se më tha ndonjë gjë të madhe, pasi njerëz si Dhimitër Anagnosti nuk i lë qibra të flasin për veten; por nuk ishte e zorshme, megjithatë, të kuptoje se ai ishte i kënaqur nga filmi që kish bërë, gjë që më bëri tej mase kureshtar. E po prisja herën për ta parë, e cila erdhi në një prej këtyre ditëve konvaleshente të ndërrimit të viteve. Filmi u shfaq nga një televizion kombëtar (TV Klan). Dhe ishte thëthitës nga fillimi deri në fund.
Po ç‘është ky film? Në filmin "Gjoleka, i biri i Abazit" tregohet një copëz autentike e Shqipërisë së djeshme. Flitet me një gjuhë Rossellini-ane, gjë jo fort familjare për kinemanë shqiptare. Duket sikur ideja e neorealizmit Rossellini-ain të transferuar në kinemanë shqiptare komprometohet prej fabulës së qëmtuar në të shkuarën (ngjarja e Anagnostit zhvillohet në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, ndërsa neorealistët italianë e kishin zakon të flisnin për kohën e tyre), por nuk ka arsye ta marrim seriozisht këtë gjoja ikje prej paradigmës. Shqipëria e sotme nuk ndryshon kushedi se çfarë prej Shqipërisë së djeshme, dhe ky afermacion na sillet më i vërtetë akoma kur fjala është për strukturën psiko-mentale të shoqërisë sonë. Me fjalë të tjera, shoqëria shqiptare ka qenë e është një shoqëri e sunduar prej Abazësh, një shoqëri ku rriten veç Gjolekë shpirtgjymtuar, e një shoqëri ku çdo shpirt i lirë e çdo mendje e gdhendur refuzohen, përbuzen ose urrehen, tok me bartësit e tyre.
Po kush është Abazi, Gjoleka e të tjerët? Këtu është vendi për të shpjeguar me pak fjalë fabulën e filmit. Abazi është një banor i hinterland-it në bregun e detit tonë të jugut. I padalë. I palëçitur. I pagdhendur. Fshatar tipik shqiptar i viteve ‘30 të shekullit XX, i cili çdo prurje apo prirje moderne e shihte si një minë të vënë mú në themelet e rendit të gjërave, gjë që dukej te fakti se ai shenjtëronte jetën e izoluar pastorale të të parëve të vet, shenjtëronte doket e zakonet e ngrira, që mezi rregullojnë një bashkëjetesë primitive mes njerëzish. Dhe "virtytet" e kësaj jete të ashpër e të mjerë baritore Abazi kërkon t‘i përcjellë te fëmijët e vet, e në radhë të parë te Gjoleka, djali i tij i vetëm, të cilin e do ashtu si dinë të duan të gjithë njerëzit mendjembyllur e fanatikë: në mënyrë egoiste. Duhet theksuar kjo: në mënyrë egoiste. Prindër të tillë në asnjë rrethanë nuk mendojnë për lumturinë e fëmijëve; përkundrazi, ata mendojnë veç për kararin e tyre, të cilin e maskojnë pas merakut për identitetin, apelin e të parëve, moralin e rendin tradicional të vlerave, që për ta përbën të vjetrën që nuk vjetrohet kurrë. Këtë e ilustron më së miri një skenë e filmit, në të cilën Abazi, duke mos lexuar mirë një rreng të Gjolekës kinse të vetëvrarë, zë e vajton në mënyrën më tronditëse. Çfarë vajton? Vdekjen e të birit? As që bëhet fjalë: "Ti vare veten, mor bir, por nuk të erdhi keq për mua? Pse më turpërove në sy të fshatit, mor bir? Apo ishte pikërisht kjo çfarë ti doje? Doje të më turpëroje, apo jo?" Dhe kur zbulon rrengun, nuk gëzohet që djali nuk ka vdekur, që djali është mrekullisht gjallë, por tërbohet prej guximit të Gjolekës për të vënë në lojë të atin e për t‘i bërë naftën jetës së shpifur të fshatit, ku njerëzit nuk bënin gjë tjetër, veçse ngrefoseshin me padijen e tyre, ia nxinin jetën sho-shoqit, rrihnin gratë e fëmijët dhe urrenin fqinjët e të afërmit me mendje e me shpirt të lirë.
Anagnosti ka krijuar një sandwich: Abazi, Gjoleka, Serveti. Ky i fundit është shqiptari i kthyer nga mërgimi i gjatë në Amerikë; kthehet me mendje tjetër; kthehet në fshatin e vet, që është po ai; kthehet edhe për t‘u çelur sytë bashkëfshatarëve e bashkatdhetarëve të vet e për të sjellë pakëz modernitet në atë qoshe të harruar të botës dhe për këtë financon hapjen e një shkolle; kthehet gjithashtu edhe për ta gëzuar pjesën e mbetur të jetës në vendin e vet. Zhgënjimi është kolosal: të vetët e trajtojnë si një kodosh, si të prishur e të shthurur, madje më keq akoma, e trajtojnë si të ishte i sëmurë prej gërbulës. Abazi vetë nuk nguron ta këshillojë herë pas here të birin: mos rri me Servetin bir, e mos ia vër veshin! Gati-gati i thotë: Serveti është djalli, biri im.
Intriga e filmit ka diçka prej ngjarjes së Salemit të Massachusetts-it, më shumë se tre shekuj më parë, kur djajtë e vërtetë vishnin kostume engjëjsh, e kur njerëzit me shpirt të lirë paditeshin e linçoheshin si djaj prej djajve. Ndoshta asosacjoni i Shtrigave të Salemit mund të ngjajë i kërkuar dhe haluçinant? Epo mirë, ka një asosacjon tjetër më të njëmendtë: filmi na sillet më së shumti e në mënyrë këmbëngulëse si një déjà vu torturuese, gjë që duket te kumti kryesor i tij. Ashtu si në Shqipërinë e filmit të Anagnostit, edhe në Shqipërinë e këtyre ditëve, janë Abazët ata që sundojnë; në mos janë Abazët, janë Gjolekët e rritur e të edukuar prej Abazëve, pa pasur asnjëherë mundësinë e dëshirën për t‘u rebeluar. Shqipëria e kohëve tona, ashtu si Shqipëria në filmin e Anagnostit "Gjoleka, i biri i Abazit", nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse t‘u japë munxët djemve të vet të kthyer nga Amerika, alias shqiptarëve të ndershëm, idealistë, të dijshëm e mendjehapur.
Kumt i rëndë? Hm, një art i mirë të tilla i ka kumtet.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (2 vendosur):
Vendosni komentin tuaj