Faqja e Pare | Analiza | Stacionet blu te autobuzit roze

Stacionet blu te autobuzit roze

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Kur Kryetari i PS, Edi Rama, ia behu me enciklikën e tij tronditëse "urbi et orbi", duke e shpallur bashkëpunimin PD-PS si "boshtin e patjetërsueshëm" të politikës shqiptare (26 shkurt 2008), të rrallë ishin ata që e morën seriozisht paralajmërimin e kryesocialistit, se tash e tutje përfundonte era e politikës së "poleve" dhe niste era e politikës së "boshtit". Akoma më të paktë qenë ata që dyshuan se me politikën e "boshtit", në një farë mënyre merrte fund dialektika dhe fillonte metafizika ...merrte fund shumësi dhe fillonte njëjësi, merrte fund pluralizmi dhe fillonte (rifillonte) monizmi, merrte fund demokracia dhe… As hedhja në ajër e fshatit të Gërdecit, as shembja në tokë e pallatit të Gjirokastrës nuk mundi të tronditë sadopak këtë çiftëzim, më atipikun, më të panatyrshmin e më shterpin e historisë moderne të Shqipërisë. Për ta shpjeguar këtë çudi të vitit të mbrapshtë 2008, nuk mjafton të shohësh e të dëgjosh atë që ofron spektakli i përditshëm i politikës. Duhet të zbresësh poshtë, në basifondet e botës së mistereve, aty ku veprojnë disa forca të "nëndheshme", të cilat nuk arrijnë të kapen nga sytë e veshët e qytetarit të thjeshtë.
Ndërkohë, ajo që hë-për-hë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi shohin të shfaqet e të lëvizë në sipërfaqen e tokës, është metafora e autobusit rozë, që lëviz në drejtim të paditur. Autobus, i cili herë pas here ndalet në stacione të ndërmjetme, që qëllojnë të jenë gjithnjë blu. Dhe ku shfaqet gjithnjë i njëjti vdekatar "i rastësishëm", udhërrëfyesi Sali, i cili, me një buzëqeshje prej shejtani, i tregon shoferit drejtimin për të arritur tek stacioni blu i radhës.
Por, le ta lemë për një çast metaforën e suksesshme blushiane e t'i kthehemi realiteteve rozablu të politikës shqiptare të muajve të fundit. Paradoksalisht, oshtima e shpërthimit të Gërdecit, shungullima e kolapsit të Gjirokastrës, ulërimat e aferave korruptive të shekullit, protestat e padëgjuara të opozitës, thirrjet e papërfillura të ndërkombëtarëve, pra, e gjithë kjo katrahurë ka shërbyer si mikroklima ideale për të inkubuar e për të pjellë frutet jashtë-stine të "dashurisë" PD-PS. Duke filluar me ndryshimet kushtetuese, të cilat më së pari i dhanë Shqipërisë një ligj kushtetues për sistemin e ri zgjedhor, i cili do të duhej të garantonte "boshtin" PS-PD dhe të eliminonte "kolateralët", LSI e të tjerë… Por jo vetëm kaq. Ndryshimet në fjalë u konceptuan gjithashtu të tillë, që të vinin "nën morsë" institucionin e Presidentit: për këtë qëllim u fiksua zgjedhja e tij me shumicë të thjeshtë votash, që nënkupton një president të zgjedhur me bekimin e Kryeministrit. Pavarësisht se PD e PS kishin bërë një ndarje pune, dhe, siç deklaroi një ditë gushti një nga reformatorët e përhershëm të PS, "ne si PS mbajtëm reformën zgjedhore dhe i lamë PD-së ndryshimet kushtetuese", pra pavarësisht nga kjo, reformatorët e zellshëm të PS-së donin të vinin vulën e tyre edhe në rimodelimin e institucioneve kushtetuese. Dhe kur pikasën se kishte mbetur edhe një marzh i hollë pushteti e pavarësie e Presidentit, nxituan të propozojnë edhe ndryshimin e Rregullores së Parlamentit, në mënyrë që dekretet e Presidentit për institucionet e pavarura të "kolaudohen" në Komisionin përkatës të Parlamentit, që sot më shumë se kurrë është i Saliut. Rezultati i pritur i kësaj mbarsje rozablu, ishte kthimi i dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë, që ambasadori i SHBA dhe kolegët e tij evropianë e quajtën thjesht e prerë "një kthim i padenjë". Fruti tjetër i "reformës kushtetuese" ishte betonimi i institucionit të Kryeministrit dhe mpakja e rolit të Parlamentit, duke e zhveshur këtë të fundit nga çdo mundësi praktike për të kërkuar mocion mosbesimi për Kryeministrin. Dhe tani, pas 21 prillit, kryeministri Berisha është plotësisht i sigurt që një gjë tentativë e opozitës për mocion mosbesimi veçse do ta forconte pozicionin e tij, nga momenti që ajo nuk ka asnjë farë shansi për të patur sukses; ndaj edhe nuk nguron të përqeshë opozitën socialiste, sa herë që kjo belbëzon ndonjë fjalë "kritike", duke e ftuar atë ta godasë Kryeministrin me "mocione mosbesimi", sikur këto të ishin përkëdhelje apo breshëri topash leshi. Në fakt, të tilla do të jenë pas 21 prillit.
Por, ndryshimet kushtetuese nuk munguan të lëshojnë edhe një "pickim" të parë ndaj organit të Prokurorisë. Në fakt, dispozita e re, sipas së cilës mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përkufizohet në 5 vjet, ishte paralajmërimi për furtunën që po përgatitej të përplasej edhe mbi organin e Prokurorisë. Kryeministri Berisha e bëri që në muajin shtator një "testim" të pulsit, duke lançuar një projekt paraprak të Ligjit të ri për Prokurorinë: por nisma shkaktoi një reagim të paparë të vetë Prokurorisë, të partive opozitare e të ndërkombëtarëve, duke filluar nga SHBA, që në këto 18 vjet tranzicion kanë treguar vëmendje e vigjilencë krejt të veçantë ndaj çdo lëvizjeje që ndodh në sistemin e drejtësisë. Me atë rast, ambasadori Withers tha, pak a shumë, se një ligj për Prokurorinë nuk mund të ishte thjesht e vetëm ligj i qeverisë dhe i maxhorancës. U duk se breshka Berisha u tkurr në guaskën e saj, duke pritur kohë më të mira për të vjellur nga goja ligjin për "Prokurorinë". Por pikërisht në atë çast tërheqjeje taktike, ia mbërriti kryesocialisti Edi Rama, që e bëri sakaq të vetën kauzën berishiane të ligjit për "Prokurorinë", duke e shpallur atë si prioritet të prioriteteve të Partisë Socialiste, si vetë arsyen e të qenit të saj. U injoruan zërat dashamirës që vinin nga selitë e ambasadave të huaja, dhe që i sugjeronin kryesocialistit të kurdisur kush e di se si, e kush e di se ku, që të mos nxitohej, se prioriteti i prioriteteve për politikën shqiptare duhej të ishte zbardhja e krimit shtetëror të Gërdecit, dhe se kjo "zbardhje" mund të kryhej fare mirë edhe me ligjin e vjetër të Prokurorisë. Po kryesocialisti "i zëmëruar" vazhdonte të deklaronte se ligji i ri i Prokurorisë ishte instrumenti me të cilin ai do të vinte në provë vullnetin për reforma të Berishës, ishte "çarku" me të cilin ai do ta zinte gafil këtë reformator të rremë. Ky ligj, sipas tij, do t'i jepte kurajo e siguri Prokurorisë në ndjekjen e krimeve me implikime të qeverisë: a thua se Prokurorisë dhe Kryeprokurores Rama nuk i mjaftonte mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, e opozitës dhe e opinionit të gjerë publik! A thua se ligji që kryesocialisti Rama kërkonte gjithë tërsëllëm nuk do të bëhej në zyrën e Berishës e nuk do të kalonte në Parlament me votat e shumicës, por do të ishte produkt i tij dhe i opozitës së tij! Atë kohë, në një moment guximi të jashtëzakonshëm, kryesocialisti Rama u "hakërrua" duke i dhënë një afat 30-ditor për realizimin e ligjit kryeministrit Berisha, i cili nuk u zemërua aspak nga ultimatumi i pazakontë. Sepse pikërisht kjo ishte gjëja që ai priste e dëshironte më së shumti: një ligj të bërë me shpejtësinë e vetëtimës, një ligj politik, që synonte të fuste përfundimisht në "morsë" edhe organin e Prokurorisë. Dhe kjo, pikërisht atëherë kur Prokuroria po merrej me dosjet e krimit shtetëror të Gërdecit, të vrasjes së biznesmenit Remzi Hoxha, të abuzimeve të rrugës Durrës-Kukës e me bëmat e batakçiut serb Damir Fazlliç, ortak në vjedhje e spiunllëqe, si dhe mik për kokë i Berishës dhe i qeverisë Berisha.
Kështu, pasi bënë me PD dhe për PD reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore, "reformistët" rozë noterizuan këto ditë dhjetori edhe Ligjin për Prokurorinë, që të zotët e punës e konsiderojnë me të drejtë si shtyllën vertebrore të reformës në drejtësi. Kryeprokurorja Ina Rama, e gjeti edhe kësaj radhe kurajën për t'ju kundërvënë asaj që ajo e quajti tentativë të hapur për ta vënë organin e Prokurorisë nën kontrollin e qeverisë. Sipas saj, heqja e imunitetit të prokurorëve, nënshtrimi i tyre ndaj inspektimeve, denoncimeve e pushimeve të njëanshme dhe të pakthyeshme të ministrit të Drejtësisë dhe, mbi të gjitha, akreditimi i këtij të fundit me të drejtën për të paraqitur në Kuvend një raport mbi punën e Prokurorisë, e vendos organin e Prokurorisë përballë rrezikut të një linçimi politik e moral. Me këtë ligj të diktuar, siç duket, nga basifondet e botës së krimit nacional e transnacional, në momente si ky aktuali, kur po hetohen aferat e shekullit, ekzekutivi mund të krijojë kazuse pa fund rreth veprimtarisë së Prokurorisë, duke e penguar, duke e devijuar dhe duke e shantazhuar atë.
Në këtë histori të re mbarsjeje ligjbërëse PD-PS, gjithçka është e errët. Mbetet vetëm një fije drite: qëndrimi i klasës së prokurorëve në mbrojtje të institucionit e të vetë shtetit. Kryeprokurorja Rama, pikërisht ajo, që në momentin e investiturës tinzari Berisha u përpoq ta prezantonte jo me atributet e rrepta të detyrës, por me atributet e buta të një femre, guxoi ta thotë të sajën në Komisionin mëkatar të Ligjeve dhe përballë një auditori ku përfaqësuesit e PD dhe ata të PS ishin bërë një. Me siguri, kryeprokurorja do të jetë tronditur përballë një skene promiskuiteti të paturp. Ç'është e vërteta, të tilla kanë ndodhur edhe më parë, por jo në praninë e saj.
Nuk ka dyshim që stacioni blu i radhës i autobusit rozë, ky Ligj i ri për Prokurorinë, e rëndon së tepërmi ndërgjegjen, edhe ashtu të papastër, të udhëheqjes socialiste. Ai tregon se PS-ja e sotme, larg së qeni forca që mishëron traditën më të mirë të projektimit, të ndërtimit e të forcimit të shtetit shqiptar, është kthyer, bashkë me Berishën, në një varrmihëse të shtetit e të institucioneve. Goditja me ligj e Prokurorisë në këtë moment të veçantë është më shumë se kaq, është edhe një inkurajim ndaj botës së krimit, që më shumë se kurrë i ka futur duart në punët e shtetit. Më kot noterët socialistë të reformave berishiane mundohen të rrezatojnë qetësi e siguri me buzëqeshjet e tyre të lëtyra. Njerëzit sot pyesin, përse iu vu kazma Kushtetutës, dhe përgjigja që vjen nga zyrat e PS ("ia dhamë Saliut Kushtetutën, në mënyrë që ai të na jepte Kodin") jo vetëm që nuk i qetëson, por i irriton. Qiraxhinjtë e sotëm të selisë rozë nuk mund t'i bindin shqiptarët për "interesat madhore" që e paskan shtyrë PS-në t'i bashkohet reformave berishiane. Sepse, dikush prej tyre, në një moment logoreje pa frena, e nxori edhe pa pirë bardhak atë që kishte në bark, kur deklaroi se "PS-ja nuk vë asgjë mbi interesat e saj". Deklaratë, që vlen si një lloj shpallje zyrtare e kthimit të PS-së në një parti të interesave periferike, gjithsesi jo kombëtare. Aq më pak mund të bindë popullin socialist justifikimi i këtyre tradhtive me "faktorin LSI". Në vitin 2005, Edi Rama punoi shumë, duke përdorur edhe fytyra sugjestionuese femrash, për të montuar rrenën e madhe, sipas së cilës LSI ishte një masë politikisht e pasigurt, madje një emanacion i PD. Mbi këtë bazë ndërtoi skemën anti-LSI, që do ta dëmtonte këtë të fundit në zgjedhjet e 2005 dhe, më tej, do të justifikonte kompromiset e paprincipta në emër të vendosjes së një sistemi politik të ngurtësuar, në emër të "boshtit" PD-PS. Por pas katër vjetësh gjërat kanë ndryshuar aq shumë, saqë edhe më naivi i socialistëve sot shtron pyetjen reale: "Ku po shkon PS", dhe jo pyetjen fantastike: "Ku ka gjasa të shkojë LSI", që i sugjerojnë manipolatorët e "fabrikës së ideve".
Ligji për Prokurorinë kaloi në Komisionin parlamentar me një nxitim prej hajnash, gjatë festave të fundvitit, kur fare natyrshëm, opinioni  brendshëm dhe i jashtëm "nuk e kanë mendjen". Ose e kanë atë gjetkë. Histeria anti-shtet e Berishës e arriti kështu edhe një tjetër fitore mbi shtetin. Kurse, autobusi i hutuar i PS-së e bëri kështu edhe një ndalesë tjetër të turpit. Tek stacioni i radhës i Berishës. Ashtu si në 21 prill, pasagjerët e tij, me buzëqeshje të lëtyra e të trembura, mundohen të shesin për fitore atë që është tradhtia dhe poshtërimi i tyre i radhës. Dhe si gjithnjë, pasagjerë e timonier, presin me ankth që fytyra e kallauzit Sali të shfaqet tek dera e hapur e autobusit, për t'i hedhur ngarkesës së tij vështrimin e zakonshëm përçmues, të shoqëruar nga refreni: "Ç'opozitë e kastruar". Që e shqipëruar bën: "Ç'opozitë e tredhur".

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Korrik, 2009 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
3.00