Faqja e Pare | Analiza | Prokuroria e tradhtuar

Prokuroria e tradhtuar

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
Ndryshimi i ligjit organik  të Prokurorisë, edhe pse i paralajmëruar tërhoqi jo pak vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri. Mjafton konsensusi i "çuditshëm" politik pozitë-opozitë që mundëson këtë ndryshim për të krijuar habi! Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria si një vend në tranzicion të gjatë e problematik ka prodhuar politikë "me shumicë" dhe sistemi i drejtësisë e veçanërisht Prokuroria janë vendosur shpesh në qendër të këtyre zhvillimeve politike më shumë sesa i takonte. Natyrisht që nuk ka qenë zgjidhja apo dëshira e prokurorëve për t'u bërë protagonistë të retorikes politike, ku atyre i ngelet vetëm të jenë thjesht në rolin e dëgjuesit!
Por ndërsa flitet shpesh për Prokurorinë si institucion, publiku ka shumë pak informacion  për ata që përbëjnë institucionin, prokurorët. Këta të fundit si pasojë e natyrës së punës dhe një tradite të qëndrimit larg mediave, janë shumë pak aktivë në jetën publike dhe shfaqen vetëm në imazhet e kronikave të gjyqeve me personazhe të njohur të botës së krimit apo politikës! Janë për t'u përshëndetur përpjekjet e Shoqatës së Prokurorëve dy vitet e fundit për t'u dëgjuar si zëri i prokurorëve.
Puna si prokuror është nga më të lodhshmet dhe stresueset në administratën publike, ndoshta e krahasueshme vetëm me atë të punonjësve të policisë! Por gjithsesi, pozicioni i prokurorit ngelet tërheqës për shumicën e juristëve, ndoshta pozicioni i dytë më i "lakmuar" mbas atij të gjyqtarit. Sot nuk është aspak e lehtë dhe duhen jo pak sakrifica për t'u emëruar prokuror! Shqipëria ka gati 300 prokurorë dhe çdo vit numri i tyre shtohet me shumë pak të rinj, ku prurja kryesore është nga shkolla e Magjistraturës. Midis qindra konkurrentëve nga studentë të mirë të Fakulteteve të Drejtësisë, çdo vit përzgjidhen jo më shumë se 10 kandidatë në shkollën e Magjistraturës, të cilët mbasi bëjnë edhe 3 vite shkollë kanë detyrimin të shkojnë atje ku i emërojnë. Dhe vitet e fundit për prokurorët ashtu si dhe gjyqtarët e rinj, mundësia e vetme është emërimi në një rreth periferik.
Për ironi, ndërsa prokurorët janë të detyruar të shkojnë atje "ku ka nevojë atdheu", i vetmi "privilegj" që prokurori e ka të sanksionur në ligjin aktual është ai përcaktuar në nenin 47: "Prokurori gëzon të drejtën e paradhënies apo të rimbursimit të plotë të shpenzimeve të transferimit të tij dhe të familjes, si dhe të transportit të orendive shtëpiake". E thënë në një gjuhë më të thjeshtë, prokurorit i paguhen vetëm shpenzimet e furgonit kur transferohet në një rreth tjetër.
Natyrisht që buxheti i shtetit shqiptar nuk ka mundësi t'u japë pagesat dhe privilegjet që gëzojnë kolegët e tyre në vendet e Europës. Por nëse do kishte vullnet politik, ndoshta mund të gjendej mënyra që prokurorëve t'u jepeshin disa benefite të vogla ekonomike të krahasueshme me kategori të tjera të zyrtarëve publikë! Ndoshta një pjesë e vogël e shpenzimeve që paguhen për karburantin dhe dietat e deputetëve të nderuar, edhe kur nuk shkelin asnjëherë në zonat e tyre elektorale do mjaftonin për të mbuluar shpenzimet e prokurorëve që punojnë nëpër rrethet e largëta. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për kreditë favorizuese apo qiratë që u paguhen deputetëve që vijnë nga rrethet në Tirane.  Po kështu do mjaftonit që disa qindra zyrtareve të lartë që u paguhen deri në 70 mijë leke telefon në muaj ti zbrisnin nga 10 mijë lekë dhe ti jepeshin prokuroreve, jo si privilegj por sepse u duhet shumë me tepër për nevojat e punës sesa anëtarëve të nderuar KQZ-se, të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, të Komisionit të Shërbimit Civil, Autoritetit të Konkurrencës etj., etj.
Por le t'i kthehemi ligjit të prokurorisë dhe amendimeve për të cilat tanimë është rënë dakord në parim nga ligjvënësit!
 Në fakt, "reformimi i ligjit" nuk duket se do të prekë strukturën dhe organizimin e prokurorisë dhe  si i tillë nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim në punën e përditshme të prokurorëve. Ndërsa mund të debatohet politikisht lidhur me aksesin e Ministrit të Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve ndaj institucionit, padyshim që pika më e nxehtë e ligjit nën këndvështrimin e prokurorëve është ndryshimi i nenit 36 të ligjit ekzistues "Mbrojtja nga procesi penal" ose ajo që njihet si imuniteti i prokurorëve!
Përfaqësues të politikës apo edhe juristë të njohur argumentojnë se imuniteti ashtu siç është në ligjin ekzistues, më shumë sesa mbrojte reale u jep prokurorëve një mbrojte formale dhe simbolike. Kjo pasi garancitë që të mbrojnë nga abuzimi policor dhe mundësia e një procedimi të padrejtë e sidomos arrestit gjenden në Kodin e Procedurës si për çdo qytetar ashtu si dhe për prokurorët. Thënë ndryshe, prokurorët nuk kanë pse të tremben nga barazimi që u bëhet me qytetarët e thjesht duke ju hequr imunitetin formal nga ndjekja penale.
Ndërsa mund të gjenden argumente ligjorë pro heqjes së imunitetit së prokurorëve në kuadër të "ngushtimit të imuniteteve" më të drejtë mund të pyesim perse mos tu hiqen kjo mbrojte e veçantë "deputeteve" apo edhe gjyqtarëve të gjitha shkallëve! Numërohen jo pak raste kur imuniteti është bërë pengesë për procedimin penal edhe për shkelje të ligjit të kryera botërisht para kamerave nga deputet e nderuar, por nuk është  evidentuar qoftë edhe një rast i vetëm  që imuniteti të këtë mbrojtur apo të jetë bërë pengesë për procedimin penal të një prokurori! E theksoj nuk ka asnjë rast kur Prokurori i Përgjithshëm në ushtrim të kompetencës qe i jep neni 36/2 i ligjit  të këtë "penguar" ushtrimin e ndjekjen penale ndaj një vartësi të tij!
Janë një numër i madh ligjesh që kanë nevojë të ndryshohen e për të cilat mund te shfrytëzohej konsesusi politik që bashkon votat e 3/5 të deputetëve. Si shembull ilustrues  mund të marrim Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Te dy këto kode janë miratuar në vitin 95 dhe  janë hartuar me nxitimin e kuptueshëm të fillim viteve 90-të ose thënë me saktë përkthyer keq e me shkurtime nga kodet respektive italiane! Amendimet e shumta të këtyre dy ligjeve të diktuara nga emergjencat e ditës gjatë 12 viteve i kanë bërë Kodin Penal dhe atë te Procedurës ti ngjajnë një " çadre të arnuar keq"! Mund të flitet gjatë për domosdoshmërinë e ndryshimeve apo edhe hartimit të një kodeve të reja pasi këto ligje janë drejtpërdrejt të prekshme si për qytetarët e thjeshtë ashtu edhe për interesat e shtetit.
Por shembuj të tillë mund të gjenden me shumicë  pasi nevoja e ndryshimeve të legjislacionit shqiptar për të përputhur më standardet e BE-së është parakusht i proceseve të integrimit në BE. Është e vështirë të besohet se " imuniteti" simbolik i prokurorëve të këtë qenë emergjenca e ditës apo domosdoshmëria për reformën në drejtësi!
Më të drejtë prokurorët mund të pyesin: Pse po ndryshohet për herë të 3-të që nga miratimi i Kushtetutës në vitin 1999 ligji organik i prokurorisë më të vetmin dallim të dukshëm : "dobësimin e pozitës së prokurorit"! E pra, kjo pyetje e mbase edhe të tjera besoj i shkojnë në mendje çdo prokurori që këtë fund viti në vend të rrogës se 13-të po merr si dhuratë ndryshimin e ligjit organik! Nuk do ishte e tepruar të thuhej se prokurorët ndihen disi të "tradhtuar" nga klasa politike! Më së pakti nga ligjvënësit, me të cilët kishin në dukje vetëm "një privilegj te përbashkët", imunitetin!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0