24 ore lajme: Kur Bashkim therret dhe Ramiz Alia Kur Bashkim therret dhe Ramiz Alia ================================================================================ Andrea Stefani on 11 December, 2008 01:28:00 E majta është katandisur aq "copë-copë" sa ditët e fundit thirrjeve për bashkimin e saj iu shtuan edhe ato të ish-presidentit të fundit komunist, Ramiz Alia. Bashkim po përse? Që e majta të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Kështu janë përpjekur ta përligjin thirrjen për bashkim dhe kështu bëri edhe Alia. "E majta duhet të bashkohet që të jetë një bllok, që të udhëheqë shqiptarët drejt fitores" - shkroi ish-presidenti në të përditshmen "Panorama". Dhe është e vërtetë që e majta vështirë se fiton në zgjedhjet e ardhshme me një antagonizëm kaq të egër në gjirin e saj, ndonëse për fitoren nuk është kusht që ajo të jetë e bashkuar si "një bllok". Pluralizmi në gjirin e së majtës, ashtu si edhe në gjirin e çdo krahu politik, nuk është asnjëherë i dëmshëm, madje përkundrazi, bëhet i dobishëm nëse partitë dhe liderët ndajnë disa vlera themelore të përbashkëta. Dhe bëhet fjalë në radhë të parë për ato vlera që e bëjnë një shtet e qytetarët e tij të lirë dhe i mbajnë të lirë. Bëhet fjalë për vlera të tilla si ndarja, kufizimi dhe baraspeshimi i pushteteve që bëjnë të mundur demokracinë liberale dhe e jetëgjatësojnë atë. Por e keqja është se në gjirin e së majtës kanë lindur së fundmi divergjenca të forta, pikërisht për vlera të tilla bazë. Sepse vlera të tilla themelore, shoqëritë, popujt, partitë dhe politikanët e tyre që aspirojnë liri, i fiksojnë në kushtetuta dhe përdorin kushtetutat për t‘i mbrojtur. Mjerisht, partia më e madhe e majtë, ose më saktë lidershipi i saj dhe Edi Rama, u bë bashkautor me Sali Berishën për disa amendime autoritariste në Kushtetutën e vendit, amendime që nuk ushqejnë lirinë, por autoritarizmin. Kështu, pavarësisht nga motivet fillestare të shemërisë mes Ramës dhe Metës, tashmë ndarja mes tyre është qartazi parimore. Ndaj dhe thirrjet për bashkim që anashkalojnë verbërisht këto divergjenca, janë të dënuara të mbeten në rrafshin moralistik, por nuk i vlejnë fare politikës dhe as bashkimit të së majtës. Përfshirë edhe thirrjen e Alisë. *** Ramiz Alia shkruan për të majtën se, "është e vërtetë që ‘çarja‘ është e madhe, jo aq për idetë e ndryshme, për programin, sesa për çështje që lidhen me grindje personale, me synime individuale". Pikërisht kjo nuk është plotësisht e vërtetë në stadin e tanishëm të përplasjes brenda së majtës dhe kryesisht mes PS dhe LSI. Tashmë, pasi kanë ndodhur disa ndryshime të Kushtetutës, që sipas deklarimeve të jo pak konstitucionalistëve, figurave të njohura të politikës dhe shoqërisë civile, kanë cenuar rëndë ndarjen dhe balancën e pushteteve, që i japin mundësi shumicës së nesërme të zgjedhë një President nga oborri i vet, që kanë përforcuar ato motive që e bëjnë një shumicë parlamentare më të nënshtruar ndaj Kryeministrit, që e kanë bërë pakicën edhe më të pafuqishme kundrejt Kryeministrit, që kanë shtuar mundësinë që shumica të kapë gjyqësorin nëpërmjet Presidentit dhe ia kanë shtuar po ashtu edhe mundësitë për presion mbi kryeprokurorin, tashmë çarja nuk mund të jetë as thjesht dhe as kryesisht për "grindje personale". Por ne nuk mund të presim që ish-presidenti komunist, Alia, të kuptojë dhe aspirojë thellësisht parimin demokratik të ndarjes së pushteteve, kur dihet që ai ka qenë për dekada të tëra në drejtim të një shteti totalitar, ku institucionet ishin "bllok" rreth partisë dhe liderit. Në këtë kuptim është e natyrshme që atij të mos i tingëllojnë fort alarmonjëse edhe amendamentet e Kushtetutës, që në njëfarë mënyre synojnë ta shndërrojnë jo vetëm një të majtë fituese, por edhe Parlamentin madje, edhe shtetin në një si "bllok" rreth Kryeministrit të ardhshëm. Liria e fjalës detyron ta pranosh Alinë me atë mendësi që trashëgon. Por ndërkaq, nuk mund t‘i falet autorësia e reformave dhe strategjive të tilla të mbrapshta (që kishim besuar se rrotulloheshin vetëm në kokën e autoritaristit Berisha) një lideri si Edi Rama, që pretendon të jetë i ri jo vetëm në moshë, por edhe në mendësi e politikë. Mjerisht, është e para herë pas 18 vjetësh, që nga rënia e komunizmit, që partia më e madhe e së majtës i rikthehet një formule autoritariste, duke ia rrëmbyer këtë ekskluzivitet lidershipit berishist. *** Të mos zgjatemi për padrejtësinë e hapur që iu bë partive të tjera me reformën zgjedhore dhe aq më tepër me Kodin Zgjedhor. Pasi dhunoi parimet e lirisë në Kushtetutë, lidershipi i PS dhe Rama u bashkua përsëri me Berishën edhe në një tjetër "konsensus" për dhunimin e parimit bazë të demokracisë, që është barazia e konkurrimit. Pra, as me lirinë dhe as me demokracinë. Kjo është rezultantja e tmerrshme e ndjekur nga lidershipi i Ramës vitin që po mbyllet. Dhe këtu Ramiz Alia ka të drejtë. E gjitha kjo reformë në bashkëpunim me Berishën, që në fakt e ka bërë thuajse të papajtueshme sherrnajën brenda së majtës, po bëhet për qëllime të ngushta pushteti të Ramës dhe të një klani të grupuar rreth tij. Kohët dhe faktet po tregojnë se në këtë skenar mund të kenë dorë edhe ca "ndërkombëtarë", që për momentin priren më shumë nga stabiliteti me përqendrim pushtetesh se sa nga puna mjaft e vështirë e montimit dhe përsosjes së mekanizmit të lirisë që i ndan pushtetet. Por ata mund të justifikohen fare mirë me prapambetjen e politikës shqiptare (pra me ca politikanë si Berisha apo Rama) që nuk iu dhanë mundësi të avanconin sa duhet për 18 vjet, në instalimin e institucioneve të demokracisë dhe prandaj të viheshin së fundmi, në kërkim të zgjidhjeje më pak demokratiko-liberale të detyruar edhe nga emergjenca dhe përparësi më globale. Kjo është në fakt, ajo që bashkësia ndërkombëtare e quan "realpolitikë". Po liderë si Rama si do të mund të justifikohen para shqiptarëve për këtë devijim të vendit të tyre nga trajektorja e lirisë, për këtë devijim nga "idealet e dhjetorit", për këtë largim nga liberalizmi kushtetues drejt autoritarizmit? Mos vallë do të thonë se kështu deshën ndërkombëtarët? Pas 18 vjet tranzicion, ka ardhur koha që edhe ndërkombëtarët t‘i bëjnë gjeopolitikat dhe strategjitë globale duke e llogaritur Shqipërinë si pjesë e demokracive liberale. Këtë duhet t‘ua imponojë atyre një politikë vërtet e re, një e majtë (por edhe një e djathtë) e lidhur shpirtërisht dhe idealisht me parimet e lirisë, me liberalizmin kushtetues. Nuk duhet të jetë autoritarizmi, por demokracia liberale ajo që duhet t‘u imponohet ndërkombëtarëve (gjë që pa dyshim do ta pranonin me kënaqësi) si një real-politikë në Shqipëri. Ky duhet të jetë qëllimi me i lartë i jetës politike shqiptare dhe për momentin, është vetë cikli politik që nxjerr në vijë të parë të këtij qëllimi (për shkak të pushtetit autoritarist të Berishës) ndonëse jo ekskluzivisht, opozitën e majtë. Prandaj e majta duhet t‘u rikthehet me urgjencë parimeve të lirisë, të tradhtuara nga amendamentet e 21 prillit. Vetëm mbi bazën e një korrektimi (dhe ky është në thelb propozimi i fundit i LSI dhe PS‘91) të tillë e majta do të mund të bashkohet, duke u mbetur besnike parimeve të lirisë. Dhe po në këtë kuptim fitorja e saj do t‘ia vlente për të gjithë shqiptarët. Sepse do të ishte një fitore e parimeve të lirisë mbi tendencat autoritariste. Ndryshe ç‘vlerë do të kish për shqiptarët një fitore e së majtës, që do të na çonte nga autoritarizmi berishist në autoritarizmin ramist, pra nga autoritarizmi në autoritarizëm? Pra, fitorja e vërtetë nuk është thjesht të mposhtësh një pushtet autoritarist, qoftë ky edhe pushteti i Berishës. Fitorja e vërtetë e lirisë është të mposhtësh autoritarizmin në Shqipëri. Dhe kjo nuk arrihet, nëse jo nënshtrimi, por liria bëhet fryma mbizotëruese e një shoqërie. Gjë tepër e vështirë (por jo e pamundur nëse ka institucione të lira) që nuk arrihet as duke bërë sikundër thotë Konica: të marrësh shpatën dhe t‘u çash kokën gomarëve që na udhëheqin dhe t‘u këllasësh në tru se ç‘është liria!