Kushneri dhe “laisse-faire†shqiptar
Menjëherë pas shpërthimit të konfliktit Gjeorgji-Rusi (ku kjo e fundit tentoi të shpalosë “muskujt” e saj të vjetër), Bernard Kushner, ministri i Jashtëm i Francës (që ka dhe presidencën e BE-së), në një intervistë në “Le Parisien”, bëri disa komente mjaft të mprehta, një “goditje e vërtetë në shenjë”, ende pa bërë vizitën urgjente në rajonin e konfliktit. Krahas thirrjes së përgjithshme për ndërprerje të luftimeve, ulje të armëve dhe shmangie të një gjakderdhjeje të mëtejshme, ai, nëpërmjet një paralelizmi të jetuar, midis të tjerash theksoi se, po të vonohej zgjidhja, ky konflikt përmbante potencialin e mjaftueshëm që të mund të çonte dhe në “shpërthimin e një spirale dhune, të ngjashme me atë të një dekade më parë në rajonin e Ballkanit”...
Po ashtu, po aty, duke analizuar përpjekjet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për përfshirje serioze në proceset integruese euro-atlantike e evropiane, në ngjashmëri me tre vendet baltike, ai, kur kujtonte se “ Rusia pa dyshim ndjehet e izoluar, madje e rrethuar në sajë të transformimeve në mjedisin shumë pranë saj”, nuk harronte të mos shtonte, që ai mbetej i bindur se “BE-ja nevojitet të gjejë një gjuhë të re, një mënyrë të re bashkëpunimi në lidhjet e saj me Moskën”...
Ndërsa, diku tjetër, ai nënvizonte pa asnjë ambiguitet se “natyra strategjike e këtij rajoni nuk është ndonjë sekret për askënd”. Dhe, natyrisht, këtu ai ka parasysh tubacionin e naftës BTC (Baku-Tbilisi-Ceyhan), që transporton naftën nga deti Kaspik në Perëndim, pa kaluar në territorin rus. Ndryshe mund të thuhet, naftë për Perëndimin, jashtë “rubineteve” politike apo “humorit të vrazhdë” të Moskës...
Siç shihet, në pohimin e parë krahasues të Kushnerit shprehet një shqetësim që, në një mënyrë apo tjetrën, lidhet me rajonin tonë, i cili, në sajë të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, akoma nuk e ka gjetur qetësinë e duhur. Dhe ndërkohë që Kushneri alarmohet, diplomacia shqiptare, në letargjinë e temperaturave tepër të larta të verës, shfaqet me apatinë e të “rënit të lapsit” për jo paralelizëm. Ajo është përfshirë në skemën e pakuptueshme të “laisser-faire”.
Ndërkohë që duhej të ndodhte e kundërta. Ajo duhej të aktivizohej dhe të orientohej me shpejtësi në këtë periudhë, aq më tepër që për këto zona të Kaukazit, Rusia kishte bërë paralajmërimet e saj kohë më parë, duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre edhe me procesin e pavarësimit të Kosovës. Pa harruar dhe faktin që në të gjithë këto muaj të fundit, deri në shtator, diplomacia serbe e ruse po vazhdojnë një fushatë intensive gjetje mbështetjeje me qellim e mbrapsht për të dërguar procesin e pavarësimit të Kosovës, nëpërmjet votave mbështetëse në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kurse, ne vazhdojmë të “lumturohemi” nga disa deklarata “olimpike”, po në takimet rutinë të “Lojërave Olimpike”! Apo me disa konferenca shtypi për shpalosje suksesesh, tepër euforike, pse jo dhe të pakuptimta në njëpasnjëshmërinë e tyre!...
Në pohimin e dytë shihet dhe fakti që Rusia e Putinit dhe e Medvedevit po i kundërvihet me forcë politikës së mëparshme të “mbufatjes” jelciniane. Kjo e fundit, e shumë viteve më parë, jo thjesht për ndonjë ndryshim parimor, por në radhë të parë nga nevoja e ngutshme për kredi e donacione monetare evropiane e amerikane, për të kapërcyer “shokun” ekonomiko-financiar të kohës.
Ndërsa, vitet e fundit, politika e Moskës po bën çmos, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, për të rifituar “autoritetin” dhe arrogancën politike të dikurshme dhe për t’u kthyer me të gjitha mjetet në dispozicion si një lojtare e fuqishme në arenën ndërkombëtare. Qoftë dhe duke manifestuar muskuj tashmë tepër të dobësuar në periferitë e saj. Aq më tepër, po të lexohet“vuajtja patriotike” e saj, kur e humbet apo nuk e ka më komandën politike, ndikimin e saj mbi vendet fqinje, dikur ish-republika sovjetike! Dhe kuptohet se, për të rikthyer këtë rol superfuqie, nuk mjafton vetëm potenciali i saj ushtarak, fuqia e armëve apo burimet e pasura natyrore, por, mbi të gjitha, nevojiten dhe “rubinetet” e çmuara të naftës.
Kalimi i tyre në duart të tjera, qoftë dhe në mënyrë të pjesshme në zona pranë saj, pa dyshim, shihet në mënyrë të vëngër nga politika në Moskë, që vazhdon të notojë midis autokratizmit putinist, centralizmit politik të tipit perandorak dhe reformimit ekonomik korrruptiv. Por dhe ulja e fundit e çmimit të hidrokarbureve nuk shihet me sy të mirë nga Moska, që stabilitetin ekonomik në rritje apo, le ta quajmë “boom”-in e kohëve të fundit, po e gjente, praktikisht, në ato çmime! ...
Pikërisht me naftën, krahas ndikimit politik e territorit rrethues, pra dhe natyrën strategjike të rajonit të konfliktit, lidhet, në një mënyrë apo tjetrën, dhe “nisma” ushtarake ruse. Madje, dhe qëndrimi brenda apo afër rajonit po kthehet në një objektiv tepër të dukshëm të Moskës. Qoftë dhe në kurriz të rritjes së pakënaqësisë e dyshimit ndërkombëtar. Propaganda e gjoja mbrojtjes së qytetarëve me origjinë ruse ndaj shkeljeve të lidhura me mosrespektimin e autonomisë, të lirive dhe të drejtave të tyre, janë thjesht fasada preteksti për një Rusi, që aktualisht është mjaft larg standardeve demokratike perëndimore.
Por, a është kjo situatë realisht serioze?! Padyshim! Madje, edhe për ne shqiptarët. Ajo ishte e pritshme. Për më tepër, është mjaft e qartë se gjithçka në rajonin e Kaukazit nuk po ndodh fare rastësisht. Bile, dhe projeksioni kohor në fillim të lojërave olimpike në Pekin, ku ishte përqendruar vëmendja e opinionit publik të mbarë botës...
Nga shumë analistë politikë, nuk përjashtohet fare mundësia, që Rusia, në këmbim të ashtuquajturave “lëshime”, të kërkojë “pjesën” e saj, për të cilën ka programuar prej kohësh dhe këto lëvizje kërcënuese ushtarake. Le të shohim më tej se çfarë është ajo pjesë?! Sepse një analizë paraprake dhe pritshmërie, prej strukturave kushtetuese për diplomacinë dhe politikën e jashtme, nuk duket se mund të imagjinohet. Aq më tepër kur lexon në media jo vetëm “gafa” partiake kryeministrore, por dhe përgjigje politike krejt sipërfaqësore, diku dhe “dëshirore”, pa pikën e kujdesit dhe të analizës!...
Sidoqoftë, nga trajtimi i konfliktit në fjalë, del mëse qartë dhe diçka tjetër bazike. Rusia si anëtare me të drejtë vote në Këshillin e Sigurimit mund t’i kundërvihet nxjerrjes së çdo rezolute në shërbim të paqes dhe stabilitetit të rajonit naftë e gaz-mbajtës të Kaukazit, jashtë orekseve të saj. Sepse, ajo aty jo vetëm ka “konflikt interesi”, por dëshiron ta luajë këtë kartë edhe për çështje të tjera, në funksion të fuqizimit të lojës së saj, për ish-republikat sovjetike apo aleatët besnikë të saj, ku, padyshim, futet dhe Serbia. Një arsye kjo më shumë për të mbështetur urgjencën e një reforme serioze në Këshillin e Sigurimit, deri për të zëvendësuar të drejtën e vetos me peshën specifike të votës të anëtarëve të tij të përhershëm dhe të përkohshëm, në numër më të shumtë...
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj