Dukuria “Topalli†si një risi
Vitet e fundit në PD e jashtë saj është vënë re një egërsim i pajustifikuar i zonjës Topalli, egërsi që duket sikur nuk shkon paralel me qenien femërore dhe aq më pak me origjinën e saj qytetare e katolike.
Tashmë është e qartë se Topalli ka meritën që Kuvendi të jetë transformuar, sidomos vitet e fundit, në një shesh vulgar sharjesh e sherresh, dhune e intolerance, shpërfilljesh e poshtërimesh arrogante ndaj pakicës.
Shumëkush ka dyshuar se kësisoj kryetarja e Kuvendit i shërben me përkushtim kryeministrit, si një kopje e Berishës, si një vegël e bindur dhe qorre në duart e tij. Por në fakt, po të vështrosh më në imtësi sjelljen e saj politike, del se nuk është tamam kështu. Kush ka parë ditët e fundit dokumentarin për zonjën Topalli në RTSH (të shfaqur jo rastësisht në ditët kur Berisha ishte në Kinë dhe ajo me pushime në Kroaci), e kupton se Topalli ka ngritur një “shtab mediatik” në RTSH, shtab që i shërben me “specialet” dhe me “lajmet”, të cilat dëshmojnë se ajo po ngulmon t’i imponohet opinionit publik si një figurë tejet e rëndësishme, po aq sa Berisha. Këtë dokumentar do ta përmendim jo se ka ndonjë vlerë, porse ai provon që Topalli i shërben të ardhmes së vet me një këmbëngulje të admirueshme dhe ambicie të pafre, qoftë edhe duke varur në muret e Kuvendit fotografi të zmadhuara të Marubit, ku “rastësisht” del edhe ndonjë gjysh i saj që ka pas qenë në sferat e larta…Kjo do të thotë se zonja Topalli synon për më “lart”, gjë që do të thotë se ajo shpreson për një zëvendësim të mundshëm të Berishës, sigurisht jo nëpërmjet luftës së brendshme e të shpallur, por duke amplifikuar me ekranin e RTSH-së emrin e një zonje që vjen nga një derë e madhe, të një “zonje të fortë”, po aq “të fortë” sa edhe një Berishë nesër i munguar ose i mënjanuar. Me “specialet” ajo beson se do të sigurojë mbështetjen e skifterëve në parti, të atyre që edhe sot e kësaj dite janë të bindur se pa Berishën nuk ka e nuk mund të ketë PD! Me “mbështetës” duhet pasur parasysh se në PD, krahu i fortë, ekstrem,”i së djathtës” është ai krah që të jep ose dështimin përfundimtar, ose fitoren e sigurt. Nëse si Kryetare Kuvendi,Topalli do të ishte sjellë më butësisht, duke respektuar standardet demokratike dhe rregulloren e Kuvendit, ajo do të ishte sot në pozitat e zonjës Trashani. Por ajo beson se “sukseset dhe meritat”e saj do ta çojnë shumë larg, ndaj ajo nuk mund të pranojnë të jetë as si Trashani, as si Bregu, aq më pak si Makbule Ceço!
Topalli nuk është më një provinciale e ndrojtur e viteve ‘97. Tashmë ajo e njeh nga brenda partinë dhe strukturat e saj dhe e di, ashtu si dhe Berisha, se vetëm po të “ushqesh” përditë me propagandë “të egër” partinë dhe ”qëndresëtarët” mund të mbijetosh e mund të përparosh në PD. Ajo e ka të qartë se Berisha, falë mbështetjes së këtij “krahu” ka qenë dhe është i paprekshëm, i pagabueshëm,.i pathyeshëm. Dokumentari në fjalë synonte të ushqente pikërisht këtë “krah”, sepse përcillte me shumë përkushtim e përdëllim vizitat e saj të pafundme anekënd botës, duke lënë të vetëkuptohej ky synim “i pafajshëm” i “zonjës së hekurt”: Vllazën të dashtun, shifeni vetë, jam unë ajo që ka siguruar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar! Binduni pra sa më duan mua ndërkombëtarët e ç’po bëj unë për lartësimin e partisë!
Nëse Berisha privatizoi NATO-n, Topalli po privatizon integrimin, qasjen tonë aq të mundimshme për në BE! Të dy këto “privatizime” janë, sipas tyre, “historike”. E, duke u trajtuar me vetëpropagandë si të tilla, ato automatikisht do të vilen nesër edhe si “merita historike” të padiskutueshme.. Parë me këtë sy, grumbullimi dhe shfaqja e vizitave në një dokumentar të stisur enkas për ture-nuret e Topallit, dëshironte të na mbushte mendjen se kryetarja e Kuvendit ka derdhur shumë mund e jo pak djersë për të mirën tonë, dhe se ajo ka mbështetje nga faktori ndërkombëtar më shumë se Berisha, i cili, për hir të së vërtetës, edhe pse edhe ai ka bërë shumë udhëtime jashtë vendit, ato nuk krahasohen me vizitat e Topallit, të cilat nuk kanë qenë si vizita për Olimpiadën në Kinë e as në Krans Montana, d.m.th nga shoqata dhe organizma ndërkombëtare! Aq më tepër që deklaratat e tij entuziaste për Kinën dhe partinë komuniste lanë shijen e hidhur te të djathtët e diasporës se Berisha e pranoi më në fund që ka dështuar me integrimin në BE, ndaj po kërkon integrimin me Kinën dhe partinë komuniste, si një nostalgji e vjetër e tij.. Kurse Topalli është në këtë drejtim e pozicionuar si më ”e djathtë”, si një udhëheqëse e vendosur që nuk u bën as edhe një lëshim të majtëve! Në këto tre vjet Berisha nuk ka marrë as edhe një ftesë zyrtare nga Uashingtoni e as nga ndonjë kryeqytet i rëndësishëm europian dhe këtë natyrisht që nuk e di vetëm Topalli; ja përse ajo po bën të pamundurën të udhëtojë sa më shumë jashtë vendit, duke marrë me vete përherë ekipe televizive më shumë se Presidenti, po edhe se kryeministri…Topalli, në fakt, ka pas qenë, deri para ca muajsh, kur Doktori i nervozuar bëri shkarkimemërimet “e domosdoshme” në RTSH, drejtoresha e përgjithshme e RTSH! Megjithatë, ajo sinqerisht vazhdon të faktorizohet e të shpresojë se, ashtu si firmosi fotokopjet e dokumentit të Pavarësisë, do të firmosë nesër edhe anëtarësimin tonë në BE e kamerat do fiksojnë aktin e saj “historik”, duke i lënë Berishës në dorë “dashurinë e tij të vjetër për Kinën”!
Topalli e di fort mirë dobinë e kësaj propagande, andaj i mëshon aq fort “suksesit të vizitave” të saj nëpër botë, herë me perçe në botën arabe e herë me luk sfilatash nëpër sallonet e Europës. Ndryshe nga ata që, që nga viti 1992 janë hakatur të dobësojnë apo eliminojnë rolin e Berishës në PD, Topalli e di se ky nuk mund të largohet duke e luftuar, duke i dalë ballas si kundërshtar, duke i marrë tinëz krahët, duke bërë “fraksione” e “puçe” (të cilat përherë kanë dështuar), por duke e përkrahur, duke imituar sjelljet e trillet e tij, duke u shfaqur “egër” përditë e më tepër sa dhe si ai, si dhe duke e shtyrë me heshtje e pajtim të bëjë sa më tepër gafa e gabime, faturën e të cilave, si përherë, do ta paguajë vetë ai...Ndaj “dokumentari” synonte (pa shumë djallëzi jezuite), të ”provonte” se Topallin përnjimend e duan dhe e përkrahin ndërkombëtarët, pavarësisht deklaratës së hidhur të ambasadorit amerikan dhe atij të OSBE-së kundër saj! Në të vërtetë, dokumentari special për Topallin linte të nënkuptohej se edhe dy ambasadorët nuk e kanë dhe aq me kryetaren e Kuvendit, se sa me Berishën, sepse, po të ishte ndryshe, ajo nuk do të ishte aq “e mirëpritur” në kancelaritë europiane!
Kryetarja e Kuvendit e di fort mirë se Berisha nuk mund të dalë nga skena prej gabimeve dhe gafave të veta, as nga forca të fshehta e konspirative brenda partisë, as nga trysnia e opozitës, as nga akuzat për korrupsion familjar e nepotizëm, as nga “vota e lirë dhe demokratike”, po vetëm nga “faktori ndërkombëtar”, pas ndonjë precipitimi të mundshëm e të pritshëm të “çështjes Gërdeci” nga amerikanët. Duke i mëshuar idesë se ajo, nga radhët e PD-së, është më “besnikja” e Doktorit dhe njëkohësisht edhe më e preferuara nga qarqet ndërkombëtare, Topalli e sheh veten që tani në karrigen e parë të PD-së, ëndërr që me sa duket, padurimi nuk e lejon të fshehë ambicien. Sjellja e ashpër dhe brutale e saj kundër opozitës në Kuvend jo vetëm që e neutralizon Berishën, ja zë me lezet sytë Doktorit , sepse duke kënaqur e përkëdhelur famën e tij, vë në gjumë shqisën paranojake të tij për të zbuluar përditë armiq! Ajo, kësisoj, i heq atij edhe të drejtën dhe mundësinë që Berisha të mbjellë nesër te “qëndresëtarët” farën rezervë të ndonjë pakënaqësie kundër saj…Kësisoj,Topalli në këto tre vjet është bërë jo vetëm numri dy në PD, po edhe kandidati më i sigurt për të mbajtur gjallë PD-në, pas ikjes hipotetike të Berishës. Ajo tanimë është instaluar edhe me emërimet e bëra në administratën e lartë, njëlloj si një byroist i fuqishëm vaktit që kishte në dorë të gjitha emërimet në ushtri, në Sigurim, gjykata dhe Komitet Qendror.
Largimi i Topit në presidencë, si dhe “përkrahja” e hapur e saj për ta paraqitur ish-nënkryetarin e PD, tash President, si një bukëshkalë, si mosmirënjohës, si të pabesë para syve të PD-së dhe veçanërisht të Berishës (synim që, me sa duket, e ka realizuar jo pa sukses), i ka hapur rrugën edhe më Topallit. As edhe një figurë tjetër, hë për hë, nuk është ravijëzuar në PD, si trashëgimtar i mundshëm, veç saj dhe Topit. Por Topi tanimë është eliminuar; ai e ka të qartë edhe vetë se pas ndryshimeve kushtetuese nuk ka për t’u rizgjedhur president, ashtu sikundër e di që nuk ka për ta gjetur të lirë as karrigen e nënkryetarit të partisë, për ta rinisur “luftën” aty ku e la…Fati i tij ka për të qenë i ngjashëm me Meidanin, në mos më keq! Edhe në këtë drejtim,Topalli del se ka luajtur fort bukur në favor të karrierës së vet!
Edhe mocionet për shkarkim ndaj saj, deri tani janë kthyer prej saj në karta krediti e besimi në PD. Ajo ka provuar më shumë edhe se Berisha (i cili u takua me Nanon, gjë që Topalli nuk e pëlqeu), se është e papajtueshme me “ish-komunistët”, pra është një përfaqësuese e denjë e ish-të përndjekurve, për shkak të origjinës së saj, po edhe se nuk ka pas qenë vetë komuniste…Nëse Berisha e largon para zgjedhjeve, duke i dhënë postin e ministrit të Jashtëm, si po thuhet, do të thotë se ai e ka kuptuar synimin e saj dhe me këtë lëvizje ai kënaq edhe ”ambasadorët” e Tiranës, edhe opozitës i jep një tjetër shans bashkëpunimi për reformën zgjedhore e të Drejtësisë, kushte këto të detyrueshme për futjen tonë në NATO. Njëkohësisht, mënjanon butë “rrezikun” e nesërm Topalli.
Por nëse e lë deri në fund të mandatit Kryetare, atëherë në zgjedhjet e ardhshme, nga PD-ja do të na paraqiten dy Berishë, njëri prej të cilëve me siguri do të korrë suksesin, ndërsa tjetri ka për të pasur po aq të sigurt humbjen
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 |



del.icio.us
Facebook
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj