Faqja e Pare | Analiza | Kush genjen, Withers, Mediu apo te dy?

Kush genjen, Withers, Mediu apo te dy?

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Koloneli afgan, Amanuddin, nuk gënjeu kur i tregonte reporterit të "New York Times" (NYT) arkat e çara prej kartoni dhe fishekët e ndryshkur, përhapur nëpër dyshemenë e një pike ushtarake në kufi me Pakistanin. Municioni, prodhim kinez i vitit 1966, duket sapo kish mbërritur nga Tirana. Muaj më pas, kur kjo aferë në kurriz të jetës së ushtarakëve që përballen me terrorizmin është rritur në superskandal, po del se ka shumë të vërteta edhe në deklarimet e majorit amerikan, Larry Harrison. Ky i fundit ka denoncuar një pajtim të ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers II, me një orvatje të ish-ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të fshehur origjinën kineze të municioneve.

Deri më sot ambasadori Withers nuk ka mundur dot të japë, sikundër premtoi, asnjë dokument që do të rivendikonte prestigjin e tij dhe të disa zyrtarëve të tjerë të Ambasadës përballë këtyre akuzave. Në të kundërtën, deklarimet e tij në adresë të Fatmir Mediut, e ekspozojnë edhe më shumë si të ngecur në mënyrë të papërligjur në rrjetën e një klani qeveritarësh të korruptuar. Trafiqet me municionet e këtyre qeveritarëve, ende me shumë pushtet në Tiranë, jo vetëm rrezikuan me fishekë të kalbur jetën e ushtarëve të koalicionit antiterror në Afganistan, por edhe shpërthyen një kupolë deri atëherë të nëndheshme, duke shkaktuar viktima civilësh dhe rrënoja në një fshat të varfër të Shqipërisë së varfër me emrin, tashmë tragjikisht të famshëm, Gërdec.


***

Në qendër të hetimeve mbetet një takim i ambasadorit Withers me ish-ministrin Mediu, në natën e 19 nëntorit të vitit të kaluar. Vetë Withers ka pohuar më në fund publikisht se ministri i Mbrojtjes, Mediu, që po sipas Withers ishte mjaft i emocionuar, i kishte kërkuar në atë takim gjëra të çuditshme, si bllokimin e investigimit të reporterit të "NYT", si dhe heqjen e ambalazheve kineze nga kutitë e fishekëve. Ndërkaq, vetë Mediu, jo më ministër, por ende kryetar i një partie të koalicionit në pushtet që po negocion një tjetër post në qeverinë "Berisha", ka dhënë të kuptohet se nuk ka pasur arsye të shfaqej emocional natën e 19 nëntorit, sepse ligji shqiptar, e lejon tregtimin e municioneve kineze. Kush gënjen, Withers apo Mediu? Në fakt, është pranuar, jo vetëm nga Withers, se më 19 nëntor Mediu kish kërkuar një takim urgjent që u zhvillua në ato orë, që përkufizohen si mesnatë. Kjo flet në favor të pohimit të Withers lidhur me një gjendje emocionale jo fort të qetë të Mediut. Por nëse jo origjina kineze e fishekëve, kush të ketë qenë shkaku i atij alarmi? Për ne përgjigjja është: Reporteri i "NYT".

Duket se Mediu donte që me çdo kusht të bllokohej investigimi i tij. Pse? Vetëm për origjinën kineze të fishekëve, për të cilën ai shitet publikisht moskokëçarës? Me sa duket jo. Mediu kishte hall se Nicholas Wood po investigonte shumë më tepër në aferën e municioneve që institucioni i tij, po zhvillonte me AEY dhe me kompaninë ndërmjetëse e fantazmë të quajtur "Evdin" në Qipro. Mediu gjakonte të mos publikoheshin, siç edhe ndodhi që në artikullin e parë të ‘NYT‘, telefonatat e fshehta të Trebickës me Diverolin ku përflitej Kryeministri Berisha dhe i biri, të përfshirë në trafikun e municioneve. Prandaj do të ishte normale të hamendësohej se ndoshta ka qenë pikërisht Kryeministri Berisha që e ka nxitur Mediun të takojë me urgjencë ambasadorin Withers natën e 19 nëntorit. Është normale të dyshosh se prapa gjendjes emocionale të ministrit, fshihej ankthi i Kryeministrit. Dhe Mediu duket që synoi ta mobilizonte Withers dhe ambasadën për bllokimin e investigimit të ‘NYT‘, duke i tundur para fytyrës si një "nder" të bërë SHBA-së, shitjen e fishekëve me origjinë kineze.

Kjo duket se ka qenë forma më e lehtë e shantazhit që mund të jetë përdorur. Sepse një ministër nuk do të guxonte ta ndërmerrte një hap të tillë, nëse ambasadori dhe ambasada amerikane (ndoshta edhe dikush në Pentagon) nuk do të kishin pasur dijeni që Shqipëria i shiste municione kineze SHBA, gjë që përbën thyerje të embargos së vendosur mbi Kinën po nga SHBA pra, një kontrabandë. Në mos Withers, dikush tjetër (ambasadori paraardhës ose dikush nga stafi i lartë) duhet të ketë pasur dijeni. Të paktën për trafikun e municioneve kineze. Po pse nuk e kanë denoncuar?


***

Por le të supozojmë se askush në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pra as edhe ambasadori Withers, nuk e dinte gjë për shitje të municioneve kineze një kontraktori amerikan deri në natën e 19 nëntorit kur kjo pranohet se u është pohuar nga Mediu. Ç‘ndodhi më pas? A iu drejtua ambasadori Withers ministrit shqiptar me vargjet e poemës "Skënderbeu" të Longfellout:


Rruga jonë këtu ndahet,

Shoqëria jonë më s‘mbahet


që na ka dëshmuar, duke i recituar në publik, se ai i njeh aq mirë?

A u angazhua ambasadori dhe ambasada urgjentisht në denoncimin dhe ndalimin e menjëhershëm të kësaj kontrabande në kundërshtim me ligjet e SHBA? A kanë vazhduar pas kësaj date të dërgohen nga Shqipëria fishekë kinezë në Afganistan? Është punë e hetimeve ta saktësojnë këtë gjë, por ne dimë se kontrata e AEY është pezulluar vetëm disa muaj më vonë, në mars 2008, pas shpërthimit në Gërdec. Akoma më vonë është anuluar. Ndërkaq, ka bërë përshtypje jo të mirë fakti që ambasada nuk e ka informuar Komitetin e Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të drejtuar nga kongresmeni Waxman, lidhur me takimin e mistershëm të 19 nëntorit. Komiteti në fjalë, që po heton ende mbi skandalin e trafikut të municioneve të AEY, i kishte kërkuar Ambasadës Amerikane në Tiranë, ta informonte për përfshirjen e gjithkujt nga personeli i saj, në kontakte me AEY, nënkontraktorët e saj apo me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes, lidhur me AEY. Sipas ambasadorit Withers, takimi i natës së 19 nëntorit, u shmang nga informacioni i Ambasadës për Komitetin e Mbikëqyrjes, sepse në atë takim nuk është përmendur fare emri i AEY.

Shkurt, Withers pretendon se kur Mediu i kërkoi ndihmë për të fshehur hieroglifët kinezë nga sytë e ‘NYT‘, as ai dhe as të tjerët prezentë në bisedë, nuk e dinin, nuk pyetën dhe nuk e morën dot vesh, se blerësi apo kontraktori amerikan ishte AEY. Kështu justifikon Withers se përse është refuzuar edhe sugjerimi i majorit Harrison, atashe ushtarak amerikan në Tiranë, që në informacionin e Ambasadës për Komitetin e Mbikëqyrjes, të figuronte edhe takimi i 19 nëntorit "ku ambasadori i rekomandoi ministrit të parandalonte që reporterët të shikonin municionet në aeroport të nesërmen dhe ministri i telefonoi gjeneralmajorit Spahiu rreth orës 23.00, që të zhvendoste të gjitha municionet nga aeroporti deri në orën 08.00 të mëngjesit të nesërm". Ky pozicion i Withers shfaqet shumë i çuditshëm, po aq "outlandish" sa edhe vetë propozimi që atij vetë i kishte bërë Mediu. Shihet se deri tani, arma mbrojtëse e ambasadorit është mosdija, një arsenal jo i lakmuar. Por kjo gjë kundërshtohet përsëri nga ato që majori Harrison i ka deklaruar Komitetit të Mbikëqyrjes. "Në kohën e takimit mes ministrit të Mbrojtjes, ambasadorit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Departamentit të Shtetit …ishte e qartë se kompania blerëse me një kontratë të SHBA ishte AEY" - citohet të jetë pyetur ndër të tjera majori Harrison. Dhe ky i fundit ka pohuar, nën betim, se një gjë e tillë ishte e qartë për pjesëmarrësit në bisedë. Kush gënjen? Hetimet e mëtejshme do ta provojnë. Por deri më sot dhe krejt ndryshe nga sa qe premtuar, edhe deklarimet e ambasadorit Withers nuk kanë mundur të sqarojnë pyetjet e ngritura nga kongresmeni Waxman "mbi rolin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri në aprovimin e një plani për të fshehur origjinën kineze të municioneve".

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0