Faqja e Pare | Analiza | Për opozitarët e opozitës

Për opozitarët e opozitës

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Ylli Manjani

Fabula

Një lepur ishte ulur buzë një kanali, kishte një arkë me birra dhe po bënte banja dielli. Të gjithë kafshët e pyllit që kalonin aty pranë e pyetën lepurin se si po ia kalonte. Lepuri përgjigjej:

Ja, po bëj banja dielli, po pi birrë dhe po pres të vijë luani që ta shkëlyj në dysh. Ndërkohë të gjithë kafshët që e dëgjonin këtë fjali të lepurit ia thanë luanit. Ky i fundit i prekur në sedër nga kafshët e pyllit, vendosi të shkonte vetë ta shihte lepurin. Kur e pa lepurin e pyeti:

Hë mo lepur ç‘bën? "Ja, po bëj banja dielli, po pimë nga një birrë dhe, flasim budallëqe".

Natyrisht, nuk është blasfemi të kritikosh veprimtarinë e një partie politike, edhe kur ajo është opozitë, por është e palogjikshme të merresh vetëm me punët e saj edhe kur ajo "s‘ka gjë në dorë". Logjika i rendit mendimet në opozitare ose jo, në varësi të faktit se kujt i drejtohet kritika. Kur kritika i drejtohet qeverisë, kritikuesit janë quajtur jetë e mot opozitarë. E kundërta do të thotë se kur kritikon opozitën je pushtetar ose instrument i tij. Njerëzit janë të lirë të zgjedhin cilindo pozicion të duan, por nuk mund të veshësh xhaketën e opozitarit dhe të jesh instrument i pushtetarit, sepse kjo është blasfemi.

Të gjithë kritikat ndaj opozitës, veçanërisht Partisë Socialiste, janë qesharake dhe krejt të palogjikshme. Kur deputetët e saj protestojnë në Kuvend, kritikohen si "bilbilenj", "destruktivë", "të rënë nga fiku" etj si këto. Kur opozita merr nismaligjvënëse, nxit reformat inegruese, kontribuon për zhvillimin normal të vendit, prapë të njëjtë kritizerë nuk janë dakord me këtë gjë. Një dreq e di se ç‘model kanë në kokë këta kritizerë. Ky kaos logjik është luks i madh për Shqipërinë që nuk ka asnjë ditë kohë për të humbur më për të kapur ritmet e zhvillimit drejt Evropës.

Kritizerët e sotëm nuk janë dakord me bashkëpunimin e opozitës me qeverinë për reformat e mëdha. Kritika motivohet rëndom me fjali patetike mbi e për Sali Berishën,(të cilat qëndrojnë), por nuk justifikojnë lënien e Shqipërisë edhe më mbrapa. Të bësh opozitë duke u marrë me defektet e rënda të Sali Berishës, nuk është gjë e re madje, është më e thjeshta e mundshme. Puna është se një opozitë në kuptimin bashkëkohor të fjalës ka në dorë më shumë sesa kaq. Një opozitë mund të nxisë ose të bllokojë ritmet e zhvillimit të vendit. Ne zgjodhëm të nxisim reformat për të marrë ftesën për në NATO. Kritizerët na shajnë, sepse dëgjojnë vetëm lajmet e qeverisë dhe jo hallet e Shqipërisë. Ky është një dallim i madh.

Një pjesë e kritikës se opozitës janë viktima të verbra të propagandës qeveritare. Kritikohet PSSH dhe Edi Rama se përse i dha shansin Sali Berishës që të merrte triumfin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo sentencë e kritikës ishte dhe mbetet e palogjikshme dhe e pavërtetë. PSSH, nëpërmjet Edi Ramës, që pas zgjedhjeve vendore propozuan 5 reformat e mëdha për integrimin e vendit. PSSH dhe Edi Rama punuan me ngulm që këto reforma të realizoheshin, me gjithë faktin se përballë kishim dhe kemi një qeveri të paaftë, të papërgjegjshme dhe tashmë qartësisht të provuar si të korruptuar. Por nuk është as faji e as përgjegjësia e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës që Shqipëria ka një Kryeministër faqezi që quan arritje të qeverisë edhe lindjet në maternitetet shqiptare.

Një pjesë e mirë e kritikëve "ankohen" se përse opozita nuk proteston në rrugë për Gërdecin, minatorët, pensionistët etj. Kjo pjesë e kritikës zakonisht vjen jo nga gërdecarët, as nga minatorët grevistë e as nga pensionistët e varfëruar nga kjo qeveri. Kjo kritikë vjen kryesisht nga "zengjinë" që shohin televizor në shtëpitë e tyre me kondicionerë dhe kanë luksin të dërgojnë ndonjë sms për t‘u dukur interesantë para udhëheqjes. Kur u kërkohet të dalin nga kondicioneri për të protestuar apo për të dhënë ndonjë kontribut konkret i drejtohen shtypit si mendimtarë dhe kritizerë të PS-së dhe Edi Ramës. Imagjinoni se sa dhembshuri kanë për njerëzit këta kritizerë. Kjo është hipokrizi e turpshme dhe nuk meriton të quhet as kritikë.

Një pjesë tjetër e kritikës vjen për shkak të modelit dështak dhe shkatërrimtar të imponuar nga Sali Berisha. Opozita e djeshme bëri ç‘mundi të pengonte zhvillimin përdori bomba, dogji e shkatërroi institucionet në mënyrë të përsëritur, shau shpifi e fyeu cilindo, brenda e jashtë vendit, nuk la derë ambasade pa trokitur për të përçuar imazhin e një Shqipërie të zhytur në krim e korrupsion e të tjera si këto. Në disa raste ia arriti, sepse ka disa gjëra siç është integrimi p.sh., që kërkojnë normalitet politik. Ky normalitet nuk iu ofrua kurrë Shqipërisë nga Sali Berisha në opozitë. Anormaliteti në kurriz të progresit nuk ka qenë e as është qëllimi i opozitës së sotme. Nëse na kritikojnë se përse nuk e kemi këtë qëllim, punë e madhe le të na kritikojnë. Për ne ka rëndësi që Shqipëria të zhvillohet dhe të ecë përpara. Natyrshëm, kur të jemi në qeverisje ritmi i zhvillimit do të jetë krejt tjetër.

Nuk dua të merrem me kritikët e partive të vogla, sepse ata janë tërësisht qesharakë. Kritika e tyre ka vetëm një datë dhe një emër. Data është 21 prilli, emri është Ilir Meta. Si kur flasin ashtu edhe kur zihet udhëheqësit e Partisë Demokratike në krye të shtetit, kritizerët tanë thonë se fajin e ka 21 prilli dhe Edi Rama. Se ç‘lidhje ka kjo vetëm ata e dinë. Megjithatë, jam i bindur se në një pikë dhe në një moment ne do takohemi dhe do të jemi në të njëjtin tren edhe me miqtë tanë kritizerë të kësaj kategorie. Këtë bindje ma japin plot mbështetës të këtyre kritizerëve, që nuk kanë asnjë lidhje me Sali Berishën nga njëra anë dhe e duan Shqipërinë më shumë se kritizerët nga ana tjetër.

Më në fund, të gjithë të helmuarit nga kritizerët tanë dembelë, dëshiroj t‘i ftoj të merren me hallet e tyre të përditshme dhe me hallin tonë të përbashkët që është qeverisja e keqe e shekullit. Hall më të madh sesa ky nuk ka. Kemi hyrë në vitin e fundit të të qeverisurit nga kjo mbrapshtinë qeveri dhe do të na duhet të jemi të gjithë bashkë për ta dërguar atë në pension politik. Helmi i kritikëve tanë se "Rama po mbështet Berishën", se ky i fundit "do fitojë zgjedhjet" e përralla të tjera si këto, janë përpëlitje të pashpresa për të kapë ndonjë llokmë nga pushteti i sotëm dhe nga ai i nesërmi.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
1.00