Shqiperia po qelbet, duhet te nderhyjme
Shqipëria po mbytet nga mbeturinat, i tërë vendi po qelbet. Nuk është një shqetësim ambientalistësh, të cilët reagojnë kur parametrat e pluhurit në ajër kalojnë normën e lejuar shkencërisht. Është një alarm që duhet marrë seriozisht. Zakonisht, në të tilla raste thuhet sa pa qenë vonë, por për këtë problem është vonë e madje shumë vonë. Por të veprosh, gjithsesi nuk është kurrë vonë. Kësaj vere, ashtu si mijëra njerëzve që kërkojnë t‘i fshihen vapës apo të kalojnë një fundjavë larg zhurmës së makinave e pluhurit të qytetit, kam shkelur shumë vende nga ato që në hartën tonë i shënojmë si pika turistike. Nga parku natyror i Llogorasë, në pyllin dhe parkun e Divjakës, parkun e Velipojës, të Shëngjinit, malin e Dajtit apo luginën e Drinit në Fierzë. Dhe kudo e njëjta pamje mizerjeje, i njëjti imazh kontradiktor, mes asaj që ka prodhuar natyra dhe monstruozitetit të sjelljes njerëzore me natyrën. Mbeturina kudo, qese, gazeta, shishe, kanoçe. Kushdo që shkon e shijon natyrën, lë pas çdo gjë që nuk i nevojitet më. Çdo ditë, çdo vit, të gjithë kanë kontribuar në krijimin e një situate të rëndë në të gjithë territorin e vendit. Në çdo plazh, shesh e lëndinë, njerëzit po sillen me mjedisin më keq se kafshët, një sjellje barbare, e cila që tani po na kushton shtrenjtë. Shumë mjedise tashmë janë thuajse të papërdorshme për t‘u frekuentuar. Në parkun e Divjakës, Velipojës apo Shëngjinit është vështirë të gjesh një vend ku mund të shkosh për piknik. Mendoni se si do të jenë këto vende pas dy apo tre vitesh, kur mijëra njerëz të tjerë të kenë qëndruar aty e të kenë lënë pas mbeturinat si një ushtri në arrati.
Edhe në qytete, ku makinat e pastrimit tërheqin çdo ditë mbeturinat, situata nuk është më e mirë. Në shumë pika grumbullimi, më shumë mbeturina ka jashtë se brenda në kazanë. Në pallatet e reja, ku gjallon më së shumti ruralizimi i veshur me firmato emigracioni, ka gra të parfumosura që i lënë mbeturinat në ashensor, pasi e kanë për ofendim t‘i shikojnë ndërsa mbajnë në dorë qesen me mbeturina. Në mjediset e brendshme të blloqeve të banimit gjen gjithmonë mbeturina që hidhen nga njerëz që nuk kanë asnjë element edukate qytetare, nuk kanë asnjë nocion të jetesës në komunitet. Dikur shqiptarët nuk prodhonin shumë mbeturina, nuk shkonin në piknikë dhe nuk e frekuentonin masivisht plazhin. Ndoshta ky ka qenë shkaku që vendi ynë nuk ka qenë i ndotur. Themi kështu, pasi nuk mund ta besojmë se dikur kemi qenë të edukuar e tani befas u shqytetëruam, u bëmë bastardë dhe të qelbur.
Nëse këto do të na i thoshte ndonjë gazetar i huaj që do të vëzhgonte sjelljen tonë me mjedisin, ne do të mërziteshim në mënyrë kolektive, e befas do të rrëmonin në arkiva për t‘i treguar botës se jemi popull me tradita të lashta, që jemi pasardhës të ilirëve dhe në Mesjetë u bëmë mbrojtësit e krishterimit nga vërshimi i hordhive osmane. Po kjo është e vërtetë, ne kemi qenë të tillë, por sot ama ne jemi populli më i paedukuar në Evropë dhe më i paqytetëruar edhe se fqinjët tanë. Të na ndiejnë mbrojtësit e qytetërimit, pasi kjo mund t‘i prekë e të na thonë se një popull i qytetëruar nuk gjykohet nga të tilla sjellje, por nga kultura dhe trashëgimia. Mund të jetë plotësisht e vërtetë, por nuk di se si t‘i quajmë ata njerëz që shkojnë në një lëndinë për piknik dhe ikin duke lënë pas një thes me mbeturina, ata që s‘e kanë për gjë të hapin xhamin e makinës e të hedhin në rrugë ambalazhe pijesh apo ushqimesh që kanë konsumuar brenda në makinë apo të hedhin mbeturinat nga dritarja e apartamentit drejt e në lulishte.
Me gjithë këto konstatime të neveritshme, problemi është se si mund të zgjidhet kjo çështje. Njëra është që qeveria të ndërmarrë një aksion e të pastrojë plazhet, parqet, pyjet e lëndinat. Por lukunia e paedukatë do të turret sërish e do t‘i qelbë brenda një vere të vetme prapë dhe qeveria nuk mund të paguajë nga një pastrues për çdo pushues. A duhet ne të presim derisa të qytetërohet shoqëria jonë, pra që njerëzit të revolucionarizohen në mentalitet dhe mënyrën e jetesës? Kjo zgjidhje ndoshta është e pamundur, pasi askush nuk na garanton se fëmijët do të jenë vullnetarisht më të edukuar se etërit. Ndaj zgjidhja mbetet ligji. Qeveria është e zënë me plot probleme të mëdha dhe kjo puna e edukimit ligjor të qytetarëve duket si jo fort emergjente. Por gjendja ku është katandisur mjedisi ynë është më shumë se emergjente, ndaj dhe duhet urgjent të ndërmerren lëvizje ligjore në këtë drejtim. Policisë rrugore duhet t‘i njihen kompetenca më të gjera për të penalizuar drejtuesit e automjeteve që ndotin mjedisin. Policia bashkiake, e cila sot duket si skuadër xhandarësh që i shërben kryetarit-qehaja për ndonjë ndërtim pa leje, duhet të ushtrojë më shumë funksione dhe të hetojë e penalizojë me gjoba qytetarët që shkaktojnë ndotjen e mjedisit publik. Në qytete duhet të stimulohen qytetarët që të denoncojnë individë apo familjeve që hedhin mbeturinat në rrugë e parqe publike. Me pak fjalë, ne duhet të bëjmë atë që bëhet fare rëndom në vendet e tjera. Nëse në një vend perëndimor hedh në rrugë qoftë edhe ambalazhin e një pakete, gjobitesh. Përse të mos bëhet edhe në Shqipëri kjo?
Disa ditë më parë, ndërsa ndiqja një debat mes qytetarëve dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, një banor e pyeti atë: Përse nuk gjobiten qytetarët që i hedhin mbeturinat jashtë kazanëve? "Epo, boll kemi punë të tjera ne, s‘do të merremi edhe me ata që hedhin plehrat në rrugë", ishte e habitshme përgjigjja e kryetarit, e cila na bën të mendojmë se më parë duhet të edukohen kryetarët e bashkive, pra pushtetarët.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | |
| 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 |
| 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 |
| 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 |
| 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj