Faqja e Pare | Analiza | Edhe nje here per sjelljen e me te fortit

Edhe nje here per sjelljen e me te fortit

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Besnik Mustafaj

Prej disa ditësh, në vëmendje të opinionit tonë publik është shtuar edhe një temë debati. Fjala është për ndryshimin e një neni në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për sqarim të lexuesit, Kuvendi i Shqipërisë, si çdo institucion tjetër publik apo privat, ka një rregullore të brendshme, mbi të cilën mbështetet funksionimi i natyrshëm i këtij institucioni. Siç merret lehtë me mend, ky është një dokument, që nuk ka asnjë fuqi vepruese jashtë mureve të Parlamentit tonë, i cili zyrtarisht quhet Kuvend. Për rrjedhojë, apriori do të duhej të besohej se ndryshimet që ne, deputetët, bëjmë në rregulloren tonë të brendshme nuk përbëjnë kurrfarë interesi për opinionin e gjerë publik. Rregullorja jonë nuk ka asgjë të krahasueshme me një ligj.

Gjatë jetës sime parlamentare prej shumë legjislaturash, kam pasur rastin mjaft herë të marr pjesë në debate e mandej në votime rregulloresh të hartuara nga e para, siç ishte ajo për Kuvendin e parë pluralist, atë të dalë nga zgjedhjet e marsit 1991, apo dhe në ndryshime për kapituj të caktuar të këtij dokumenti, kryer kohë më kohë, me qëllim që veprimtaria parlamentare t‘u përshtatej sa më mirë nevojave të zhvillimit të vendit. Ky objekt i punës sonë, nëpër komisione apo dhe në seanca plenare, nuk ka tërhequr kurrë vëmendjen e mediave dhe të mbarë opinionit publik si kësaj here. Aq më tepër që kësaj here volumi i ndryshimeve është më i vogël se kurrë: ai prek vetëm një nen, atë me numrin 111.

Nismën për një ndryshim të tillë e ka marrë kolegu im demokrat, Fatos Beja. Por, ndërkohë, me kolegun Beja, me një propozim për ndryshimin e këtij neni janë shprehur edhe dy kolegë socialistë, zotërinjtë Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Pa vonesë, me shumicë votash, ne vendosëm në seancë plenare që kjo nismë të merrej në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar parlamentare. Përtej debatit nëse duhej marrë kjo nismë në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar apo jo, gjithçka është në rregull dhe për më tepër, nxjerr në pah një bindje mbisunduese në të dy krahët e politikës se rregullorja dhe pikërisht neni në fjalë, ka nevojë për ndryshim, një ndryshim që duhet të çojë në forcimin e kontrollit parlamentar, mbi aftësitë dhe personalitetin e njerëzve, të cilët marrin besimin e deputetëve për të punuar në institucione shtetërore me rëndësi të posaçme, gjë që është plotësisht në përputhje me thelbin e republikës tonë si republikë parlamentare.

Në vazhdim të kësaj pune po shfaqen disa probleme parimore, ndaj të cilave na takon veçanërisht ne, deputetëve të djathtë, të tregohemi të vëmendshëm. Po veçoj dy prej tyre.

Së pari, mënyra e miratimit të këtyre ndryshimeve. Si veteran i këtij Parlamenti, po i lejoj vetes të kujtoj publikisht se rregulloret e Parlamentit, duke filluar me të parën, atë që sanksiononte funksionimin e Parlamentit pluralist 17 vite të shkuara e në vazhdim, janë hartuar dhe miratuar gjithmonë me konsensusin e shumicës dhe opozitës. Kjo ka ndodhur madje edhe në periudha kur tensioni brenda sallës së Parlamentit ka qenë shumë i lartë. Një punë e tillë e përbashkët me rregulloren ka ndikuar gjithsesi, për mirë në funksionimin e Parlamentit.

Kësaj radhe, për çudi, vërehet ndër ne, parlamentarët e shumicës, një farë arrogance për ta ndryshuar nenin 111 të rregullores tonë pa pjesëmarrjen e opozitës, duke shpërfillur një eksperiencë të vyer, që kemi krijuar ndër vite. E vërteta është se ne i kemi votat e mjaftueshme për ta hedhur një hap të tillë. Dua të them se nga ana formale, rregullorja do të ishte plotësisht e ligjshme edhe vetëm me votat e djathta. Por moralisht, ajo do të mbante një gand. Në gjykimin tim, dimensioni moral i rregullores së Parlamentit është i një rëndësie parimore, me ndikim të ndjeshëm në bashkëpunimin ndërparlamentar të spektrit tonë politik, që do të thotë se unë dhe jo vetëm unë në grupin tonë parlamentar, parapëlqejmë që drejtuesit tanë politikë të veprojnë sinqerisht për arritjen e një konsensusi me opozitën.

E vërteta është gjithashtu se drejtuesit tanë politikë në të gjitha nivelet kanë drejtuar ftesa të hapura për opozitën, që ajo të marrë pjesë e të japë kontributin e saj të natyrshëm në këtë proces. Është njoftuar edhe se në hartimin e ndryshimeve të kërkuara janë mbajtur parasysh propozimet e deputetëve socialistë Malaj e Dervishi. Ndërkohë, në seancën plenare të së hënës së kaluar, datë 30 qershor, dy kolegët socialistë deklaruan se nuk kishin depozituar asnjë propozim në Këshillin e Kuvendit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Ata thjesht kishin hedhur një ide në debatin publik, si hap i parë në përgatitjen e një pakete propozimesh, që do të vinin zyrtarisht nga ana e grupit parlamentar socialist. Normalisht, strukturat parlamentare, në zbatim të rregullores, marrin në shqyrtim propozimet e ardhura sipas një procedure të parashikuar qartë, gjë që nuk kishte ndodhur në rastin e zotërinjve Malaj e Dervishi. Nga pikëpamja formale, pra, ata kishin të drejtë të kundërshtonin njoftimin se kishin qenë kontributorë të ndryshimeve të propozuara. Ndërkaq, grupi parlamentar socialist nuk po jep ndonjë shenjë bindëse se nxiton të marrë pjesë në përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke lënë të duket kthjelltas për këdo se në deklaratat socialiste për vullnet të mirë ka një mungesë të theksuar sinqeriteti. Arroganca, që shfaqet ndër ne, demokratët, për t‘i bërë të vetëm ndryshimet, mund të merret pa ndonjë zor të madh edhe si reagim ndaj mungesës së sinqeritetit të vëllezërve tanë opozitarë, por gjykoj se nuk është reagimi më i matur, pjesë e të cilit do të dëshiroja vetë unë personalisht të isha. Arroganca është përgjithësisht shprehje e humbjes së durimit dhe historia e njerëzimit na mëson se janë zakonisht të dobëtit ata që e humbin durimin. Unë nuk e ndiej veten anëtar i një grupi parlamentar të dobët. Si të tillë, ne deputetët demokratë duhet ta konsiderojmë parimor konsensusin dhe të mos e humbim besimin për ta arritur.

Një problem tjetër parimor veçanërisht për ne, parlamentarët e shumicës, shfaqet te prapamendimi, i shprehur me zë apo jo, se këto ndryshime të rregullores po ndërmerren me qëllim zhvlerësimin e rolit të Presidentit të Republikës në emërimin e disa funksionarëve të lartë të shtetit, përfshirë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë apo ata të Gjykatës Kushtetuese. Është apo jo real ky prapamendim, pak rëndësi ka, për sa kohë ai ka zënë vend në opinionin publik. Me një fjalë, opinioni i gjerë publik i percepton si të tensionuara marrëdhëniet e Presidentit Topi me drejtuesit e shumicës qeverisëse. Pyetjet se deri në ç‘masë ky perceptim është realist, kush e ka fajin apo pse ka lindur një tension i tillë, e humbin vlerën përballë detyrimit që kemi ne, posaçërisht demokratët parlamentarë, ta rrëzojmë një perceptim si ky. Zoti Topi është një personalitet i formuar politikisht brenda familjes demokrate dhe ne e kemi çuar në krye të shtetit me bindjen në vlerat e tij dhe si një kontribut të çmuar që Partia Demokratike jep për Shqipërinë. Rrjedhimisht, çdo cen në funksionimin e marrëdhënieve institucionale midis Presidencës së Republikës, Kryesisë së Parlamentit dhe Kryeministrisë le të dyshohet para kombit se Partia Demokratike ka një defekt në aftësitë e saj qeverisëse. Me fjalë të tjera, rrezikon të dëmtohet besimi i shqiptarëve te Partia Demokratike si forcë e përgjegjshme politike. Askush nuk ka të drejtë t‘i japë Partisë Demokratike goditje të tilla, që pakësojnë shanset për të rifituar zgjedhjet vitin e ardhshëm. E kam shprehur bindjen time të thellë dhe e përsëris se koherenca në bashkëpunimin midis tri instancave qendrore të shtetit tonë, e që drejtohen nga tre demokratë, veç të tjerash, përbën edhe një bilanc që do të vlerësohet nga elektorati vitin e ardhshëm. Shenjë se elektorati do të marrë në konsideratë këtë bilanc është vëmendja e dukshme dhe jo e zakonshme, me të cilën opinioni ynë publik po ndjek përpjekjet tona për përmirësimin e Rregullores së Kuvendit.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0