Shteti informal, i maskuar me flamurin e NATO-s
Dje, Artan Lame na ofroi të shikonim në faqet e "Shqip" një dokument të Bashkisë së Shkodrës, lëshuar në tetor të vitit 1944. Dokumenti emërtohej "Leje kazani" dhe i jepte të drejtë qytetarit që ai të prodhonte raki nga rrushi i tij. Më herët, ndërsa gazetarët i kthehen herë pas here historisë së vrasjes së Qemal Stafës, duke e shtrydhur atë me shpresë se do pikojë ndonjë dëshmi e re, në një dokumentar më tërhoqi vëmendjen një burrë i moshuar, teksa thoshte: "Atë ditë, pra më 5 maj 1942, babai im ishte duke shkuar me biçikletë te centrali, që të paguante dritat". Këto fakte nuk kanë nevojë për komente, por po i risjellim për t‘i ballafaquar, me trishtim, me një realitet absurd të ditëve tona.
Në lagjen ku jetoj, në kryeqytet, përballë një blloku pallatesh të ndërtuara së fundmi, është një bllok vilash e shtëpish informale. Njerëzit kanë pushtuar aty tokën dhe ngritën, e ngrejnë ende, banesa pa leje. Ky nuk është më lajm në Shqipëri, por historia nuk mbaron këtu. Ai që zuri tokën dhe ndërtoi aty një shtëpi të thjeshtë, shkoi në Greqi dhe punoi atje. Madje duhet të ketë parë edhe Akropolin, pasi ai e prishi shtëpinë e vogël dhe po ndërton një me pesë kate, me kolona të bardha e statuja si të lashtësisë greke. Unë kam numëruar deri në pesë, por ai mund të vazhdojë më tej, pasi Kryeministri i ka thënë, atij dhe të tjerëve, se këto shtëpi e pallate do të bëhen të ligjshme, paçka se e kujt është toka dhe se ata nuk i kanë marrë leje askujt për të ndërtuar ato ngrehina.
Për të hapur edhe vende të reja pune, ngjitur me pallatin, ai ka ndërtuar së fundmi edhe një lavazh makinash që e merr ujin nga rrjeti i ujit të pijshëm. Ngjitur me të, një tjetër banor informal është i kënaqur me shtëpinë që ka ndërtuar më herët e nuk ka ndërmend të bëjë saraje, por po investon për ta bërë më të bukur kopshtin që nuk është hiç fare i tij. Ai gërmon brenda mureve të shtëpisë së tij pa leje dhe dheun e hedh pa asnjë problem m‘u në mes të rrugës, e që makinat më pas e shndërrojnë në pluhur, për ta thithur ne të tjerët. Po të kapërcesh te fqinji tjetër, shikon se edhe ai ka një oborr të madh përpara shtëpisë së tij dhe atë e ka bërë parking makinash. Çdo natë aty banorët e pallateve me leje e pa garazh, strehojnë makinat kundrejt një pagese prej 100 lekësh nata. Dhe pronari është korrekt. Nëse kalon data 2 e çdo muaji dhe nuk i ke dhënë paratë, ai të pret te dera. I thonë biznes, nuk ka shaka.
Meqë Tirana është qytet tmerrësisht i ndotur, lavazhet e makinave kanë goxha punë dhe për pasojë ata mbijetojnë edhe kur janë afër njëri-tjetrit. Kështu, 100 metra me poshtë një tjetër banor informal, përveç shtëpisë pa leje, parkingut pa leje, ka hapur edhe ai lavazh pa leje. Aty nuk lahen vetëm makina, por edhe tapiceri të ndryshme. Madje tani në verë, në pallate uji është me orar dhe banorët shkojnë e mbushin te lavazhi i makinave, pasi atje nuk shter kurrë. Këta njerëz janë nga Korça, Kukësi, Peshkopia, Erseka e zona të tjera të vendit. Por vulën ia vë mirditori në fund. Ai ka zënë bash rrugën, ka ndërtuar një mur të madh për të rrethuar shtëpinë dhe kur bashkia u kujtua të hidhte një dorë asfalt, mbërriti deri te muri i mirditorit dhe u kthye. Ai nuk pranoi ta prishte murin që të shtrohej e zgjerohej rruga.
Rreth 68 vjet më vonë, kur në një kohë lufte një burrë merrte leje edhe për të bërë raki rrushin e bahçes së tij dhe një tjetër shkonte të paguante dritat në të vetmin central që kishte Tirana, një tufë burrash bëjnë çfarë t‘u teket me pronën e tjetrit, pronën e shtetit dhe me mjedisin e të gjithëve. Brenda 15 vjetësh, një njeri arrin të ndërtojë një pallat privat me pesë kate, me një oborr 1 mijë metra katrorë, me lulishte, me biznes etj. Dhe e gjithë kjo pa leje. E mendoni dot se sa kohë e mund do t‘i duhej një njeriu të ndershëm ta bënte këtë pasuri në mënyrë të ligjshme? Këto rrëfime të trishta për ne të tjerët dhe shtetin tonë të grisur, ngjasin në një distancë prej vetëm 500 metra lineare. Por, kështu është në çdo lagje, në çdo qytet e fshat të këtij vendi. Madje, fshatrave nuk ka vetëm lavazh pa leje, por furra gëlqereje që djegin goma makinash, ka gurore që i vënë minat malit e bashkë me malin shkallmojnë fshatin me gjithë shtëpi. Banorët qajnë para kamerave, por shteti gjëkundi nuk duket t‘u shkojë në ndihmë.
Njerëzit janë të prirur të mos e respektojnë shtetin, këtu e kudo anembanë botës. Por është shteti ai që i bën ata të disiplinuar. Shteti krekoset në ekrane kur kap një tregtar që, mes potureve që importon, ka futur edhe një kilogram drogë. Dhe, për ta bërë këtë ai duhet të përgjojë telefona, të fusë informatorë në mesin e trafikantëve etj. Po si ka mundësi vallë që nuk bllokon dot një pallat që ndërtohet pa leje, si nuk e bllokon apo nuk e takson një biznes pa leje, të bllokojë një lavazh që përdor ujin e pijshëm për të larë makinat tani në verë? Ndokush mund të thotë se shteti merret me gjëra të mëdha, e këto shtëpitë, muret, oborret, lavazhet apo edhe furrat e guroret pa leje janë vogëlsira. Por këto dëshmi janë treguesi i faktit se ky shtet ka 15 vjet që nuk funksionon. Nuk është tregues i vitalitetit shtetëror makina e policisë që shkon në një vendngjarje, kur dikujt i marrin jetën, pasi kjo ndodh edhe në Kandaharin e Afganistanit të grirë nga plumbat. Në një vend ku gjithkush bën ç‘të dojë e kur të dojë, shteti nuk është asgjë më shumë, veç një rrangallë që nuk i ka funksionon asnjë ingranazh.
I lyer me ngjyra integrimesh, shteti shqiptar prezantohet salloneve të Evropës si i barabartë me të tjerët. Por, realisht ky i yni nuk ka kapur akoma standardet e një shteti që funksiononte në një vend të përfshirë nga Lufta e Dytë Botërore, që për fat të keq është i njëjti vend. Të jemi të sigurt: ajo që bëjmë sot ne shqiptarët, as në Irakun e pushtuar nuk mund të bëhet.
E, nëse dikujt mund t‘i duken të ekzagjeruara këto, bëni një test: Provoni të telefononi për të denoncuar fqinjin se po dhunon gruan. Telefononi të denonconi një njeri që ka parkuar makinën në mes të rrugës, duke e bllokuar atë. Provoni të denonconi një tregtar që ju ka vjedhur në peshë e llogari. Telefononi të denonconi një njeri që thyen një pemë në park, apo hedh mbeturinat në mes të rrugës. Telefononi të denonconi lokalin poshtë pallatit që ju prish qetësinë apo ndot mjedisin. Provoni të denonconi shoqërinë që ka ndërtuar pallatin që e keni blerë më shtrenjtë se në Romë, sepse punimet janë me cilësi të dobët dhe instalimet hidraulike e elektrike janë bërë për faqe të zezë. Provoni të denonconi një kafene që ka vënë një kabull majë shtyllës së ndriçimit publik për të vjedhur energji. Mund të bëni edhe shumë teste të tjera, por nga ana tjetër do t‘ju përgjigjen në dy mënyra: "S‘merremi ne me këtë problem, pyet një herë andej nga policia X", ose: "Po ty, ç‘të duhet me të tjerët? Shiko mor zotëri punët e tua". Ai që të përgjigjet në telefon është shteti ynë. Për kësi gjërash, në çdo vend demokratik, duke filluar nga fqinjët tanë që ende nuk kanë emër, shteti vihet në lëvizje. Lame kishte gjetur një faturë të ‘44-ës, por të jemi të sigurt se po të rrëmojmë deri te shteti osman, do të gjejmë tregues se edhe atëherë funksiononte më mirë.
Kerkoni ne arkiv
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | ||||
| 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
| 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 |
| 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 |
| 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj