24 ore lajme: Kushtetuta, keshtjella e gjithe lirive Kushtetuta, keshtjella e gjithe lirive ================================================================================ Andrea Stefani on 02 June, 2008 02:55:00 Përse me kërkesën për referendum të Komitetit të Mbrojtjes së Kushtetutës janë bashkuar edhe shumë figura të shquara të politikës dhe shoqërisë civile? Përse bashkë me iniciatorët tani referendum kërkojnë edhe Dritëroi, Moisiu, Mejdani, Lubonja, Uçi apo edhe lëvizja "Mjaft!"? Sepse të gjithë i bashkon ideja se Kushtetuta është kështjella e të gjitha lirive. Dhe me amendamentet e 21 prillit, në muret e Kushtetutës janë krijuar të çara nga fare lehtë mund të depërtojnë hordhitë e autoritarizmit, bedenat janë rrafshuar në atë farë feje sa tashmë kështjella nuk mbron dot më liritë e shqiptarëve. Mbi 10 vjet e mbajti të rrethuar kështjellën e Kushtetutës Prof. Dr. Sali Ramë Berisha, ashtu sikundër edhe Tursun Ulurgu Tunxhasllan pasha mbajti të rrethuar "kështjellën" e Kadaresë. Mbi 10 vjet i bombardoi muret e saj të ngritura me votat e popullit, me artilerinë e shpifjeve dhe të propagandës. Përse? Sepse Kushtetuta, ishte pengesa kryesore për autoritarizmin berishist. Edhe pasi Berisha u rikthye në pushtet, ajo nuk e lejonte që të nëpërkëmbte, ashtu sikundër epshon po pra ai liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Kushtetuta e ndalonte Berishën të shndërrohej në sundimtar absolut, nuk e lejonte që ta shtrinte Republikën nën këmbët e veta. Por me amendamentet e prillit, nuk ka më pengesë për hordhitë e autoritarizmit. Ka mbetur pa pushtuar vetëm një kullë nga valëvitet ende flamuri i lirive të pakapura, ka mbetur edhe një shpresë për demokracinë. Dhe ky është referendumi popullor. *** Po si mundi Berisha të çajë muret e Kushtetutës për të depërtuar në zemër të saj? Si mundi ta arrijë tani atë që nuk e kish arritur dot për 18 vjet rresht? Si përherë në pushtimin e një kështjelle, me ndihmë nga brenda saj. Edhe këtë herë qe një segment i koalicionit të mbrojtësve të Kështjellës, që i mundësuan "pashait" të depërtojë brenda saj. Pranimi nga lidershipi i PS, i kryesuar nga Edi Rama, i amendamenteve berishiste, ishte një shans që Berisha nuk e pati kurrë në këto 18 vjet. Ka ndodhur e pamendueshmja. Është njësoj si kur disa nga mbrojtësit e Kështjellës të prishnin vetë një pjesë të mureve të këshilluara nga ai që lakmon të pushtojë kështjellën e tyre: Shembini ato mure, sepse strukturat e tyre mbajtëse ndrydhin shumë tension! Edhe PS dhe deputetët e saj, të këshilluar nga Berisha, i shembën disa struktura dhe kolona të Kushtetutës, sepse gjoja ato krijonin shumë tension dhe kriza. Lidershipi i PS dhe Rama harruan, ose nuk kuptojnë se të ndërtosh do të thotë t‘i ekuilibrosh dhe jo t‘i fshish tensionet mes strukturave që bëjnë ndërtesën e demokracisë liberale. Një ndërtesë apo një kështjellë është në vetvete një tension i ekuilibruar. Vetëm një gërmadhë nuk përmban më asnjë tension, por e rrëzuar e lëshon veten nën sundimin e gravitetit. Dhe me amendamentet e 21 prillit, shumë struktura kushtetuese, mbrojtëse të lirive qytetare, janë shndërruar në gërmadha. Mbi to sundon gravitacioni poshtërues i autoritarizmit. Dhe e gjithë kjo hata u bë gjoja në emër të "mirëqeverisjes", të qeverisjes pa tensione, pa kriza. Po a nuk u ngopën shqiptarët për 45 vjet me një qeverisje ku pushtetin komunist, pavarësisht nga disfatat dhe varfëria, nuk e rrezikonte asgjë, asnjë tension, asnjë krizë? Rama dhe lidershipi socialist ka harruar se "mirëqeverisja" pa kriza ose pa rrezikun e krizave është simptoma e një qeverisjeje pa liri dhe si e tillë edhe pa ligj. Tashmë Rama dhe Berisha mund të mburren se eliminuan krizën e Presidentit, por "harrojnë" se eliminuan edhe nevojën për një President konsensual. Shmangën "krizën", por vranë edhe konsensusin, se nuk ka vend për konsensus aty ku mund të sundosh. Tashmë, pas ndryshimit rrufe të Kushtetutës, e kemi të sigurt që Presidenti do t‘i përkasë partisë në pushtet, ose e thënë më thjesht do emërohet nga Kryeministri. A nuk duket kjo si kurorëzim i despotizmit? Rama dhe Berisha kanë "harruar" se krizat me gjithë kostot e tyre janë forma të reagimit të lirisë, janë reagime të një sistemi të lirë për të kundërvepruar ndaj gabimeve të lidershipeve dhe qeverisjeve. Mungesa e krizave si stabilitet absolut, para se të jetë produkt i mirëqeverisjes, ka më shumë shanse të jetë simptomë e lirisë absolute të një lidershipi që duke kapur për fyti sistemin, nuk e lë atë të kundërveprojë ndaj keqqeverisjes. Dhe nuk ka sesi një "stabilitet" i tillë, i ngritur mbi shtypjen e lirisë, të mos kthehet në destabilitet. Stabilitet sjellin vetëm reformat që forcojnë lirinë, pavarësinë e institucioneve, që ruajnë balancat mes pushteteve dhe kufizojnë pushtetet. Nuk sjellin stabilitet "reformat" berishiste që i japin edhe më shumë pushtet Kryeministrit, duke e shndërruar Parlamentin dhe Presidentin e Republikës në vegla të qëllimeve të tij. Të tillë "reformë" përfaqësojnë edhe amendamentet e kundërshtuara aq fort nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës (KMK) të këtij bashkimi qytetar të pjesëtarëve dhe organizatave të shoqërisë civile me parti të majta e të djathta si LSI, PAD, PDS, LZHK, PSD. *** Amendamentet e Kushtetutës synojnë që të mos ketë mocione të suksesshme kundër një Kryeministri të pasuksesshëm dhe katastrofik, që të mos ketë një President Republike që të kundërshtojë apo balancojë vendimet apo ligjet antikushtetuese të shumicave në pushtet. Edhe duke kundërshtuar dhe penguar referendumin, këtë po përpiqen të bëjnë: të mos e lejojnë sistemin e demokracisë të kundërveprojë ndaj një akti sa arrogant (Berisha), aq edhe mjeran (Rama), që e kërcënon me vdekje demokracinë në Shqipëri. Po përpiqen të pengojnë referendumin, këtë të drejtë kushtetuese të sovranit popull. Bashkë, lidershipi i PS dhe PD, po përpiqen me censurë mediatike, me shpifje, me propagandë të rreme, sikur mbrojtja e Kushtetutës nuk është një çështje mbipartiake dhe gjithëqytetare, por një intrigë e LSI kundërt PS apo e Ilir Metës kundër Edi Ramës. Por bashkimi me kërkesën për Referendum, edhe figurave të shquara nga gjithë spektret politike dhe sociale, po i përgënjeshtron bindshëm këto insinuata banale. Nuk është intriga ajo që e shtyn Dritëroin të firmosë për referendum, por liria si e drejtë e pamohueshme e individit dhe e popullit. Po ashtu edhe ish-presidentët Moisiu dhe Mejdani. Po ashtu edhe "Mjaft!"-in. Është fisnikëria në mbrojtje të lirisë që i nxit dhe jo intriga në favor të sundimit të ndokujt. Mjerisht duket se lidershipi i PS nuk po e zbërthen drejt mesazhin e këtyre firmave. Nuk po arrin të kuptojë se po bëhet palë me autoritarizmin kundër lirisë duke mbjellë zhgënjim mes socialistëve. Palë jo vetëm në qëllim, por edhe në mjete. Sepse nuk habitemi me Berishën, por censura që mediat pranë Ramës po imponojnë mbi KMK dhe iniciativën për referendum, janë një shenjë alarmuese se "politika e re" e ofruar nga Rama trashëgon shumë thelbe të fshehura të një politike tmerrësisht të vjetër dhe anti-liri që ajo është stërbetuar se do t‘i luftojë. Armë e një politike të re nuk mund të jenë mungesa e transparencës, errësira, censura, trillimet, shpifja. Gjendja do të paraqitet edhe më shqetësuese, nëse lidershipi i PS do të intensifikojë përpjekjet për të bllokuar me anë të njerëzve të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tërheqjen e formularëve që duhen firmosur në emër të referendumit nga të paktën 50 mijë qytetarë. Do të ishte një dhunim i hapur i ligjit në emër të partisë, i frymës së shtetit në emër të pushtetit. Fshehja pas gjoja "pavarësisë" së KQZ, nuk do të shërbente për asgjë. Ashtu si PD deri sot, edhe PS do të merrte mbi vete turpin e manipulimit dhe bllokimit të mekanizmave demokratikë dhe balancues të sistemit, me anë të kapjes së institucioneve. Në rastin konkret të KQZ. Arroganca dhe tirania e shumicës së bashkuar mbi sistemin do të vetëdenoncohej edhe më keq. Dhe përsëri nuk habitemi dhe shqetësohemi për Berishën. Por ç‘duhet të themi për një lidership që nis e përdor që në opozitë metodat e urryera të sundimit të një pushteti që deri më sot e ka shpallur të urryer pikërisht se qeveris me të tilla metoda? *** Lëvizja për referendum, që synon të ringjallë Kushtetutën e miratuar nga populli po me referendum, do të forcohet pavarësisht censurave, shpifjeve dhe frontit të bashkuar të arrogancës. Ajo ka që sot qindra mijëra mbështetës. Po të qe ndryshe, nuk do të përpiqeshin ta pengonin. Por edhe qindra mijëra të tjerë do të bëhen me të, kur të kuptojnë më mirë se Kushtetuta është kështjella e gjithë atyre lirive që e bëjnë jetën e tyre më të mirë dhe më të begatë. Kur fshatari të kuptojë se pa Kushtetutën nuk korrekton dot një qeverisje arrogante, që nuk e nxit të mbjellë sepse është kapur nga monopolet e importeve; kur qytetari të kuptojë se buka shtrenjtohet ngaqë fshatari nuk është i lirë të mbjellë, sepse një qeverisje e papërgjegjshme nuk e ndihmon, nuk e krediton apo subvencionon. Dhe pa liritë dhe garancitë që ofron Kushtetuta, kjo qeverisje e papërgjegjshme nuk ndëshkohet dot demokratikisht. Me referendumin do të bashkohen gjithë ata të përzënë nga puna, kur të kuptojnë se dhunimi i Kushtetutës, i bërë më 21 prill, ka në thelb të njëjtën arrogancë me atë të largimit të tyre nga puna, duke dhunuar ligjin e nëpunësit civil. Do bashkohen sepse do kuptojnë që nuk mund të mbrohet vendi i punës, po nuk u mbrojt Kushtetuta që, duke qenë themeli i të gjitha lirive, është dhe themeli i të gjitha të drejtave. Me referendumin do bashkohen pronarët e grabitur nga komunizmi dhe të rigrabitur nga "demokracia", pikërisht sepse nuk është zbatuar fryma e Kushtetutës mbi shenjtërimin dhe paprekshmërinë e pronës private. Do të bashkohen në kërkesën për referendum se do të kuptojnë që nuk do ta fitojnë kurrë pronën e mohuar, nëse lejojnë që një pushtet të fuqizohet duke shqyer dhe gllabëruar nenet e Kushtetutës. Do bashkohen gazetarët që po e ndiejnë për ditë e më shumë sesi dora e fshehtë e politikës po depërton si një kancer në politikat editoriale të stacioneve dhe gazetave, duke kërcënuar lirinë e fjalës që garanton Kushtetuta. Do bashkohen bizneset që vuajnë këmbënguljen e një pushteti arrogant (dhe që po bëhet edhe më arrogant pas ndryshimeve në Kushtetutë), që e përdor policinë tatimore për të shantazhuar bizneset. Me referendumin do të bashkohen të gjithë ata që besojnë se liria është themeli i çdo drejtësie dhe përparimi dhe se amendamentet e 21 prillit kanë plagosur për vdekje liritë e të gjithëve.