Faqja e Pare | Analiza | E verteta mbi Gerdecin po varroset tok me viktimat

E verteta mbi Gerdecin po varroset tok me viktimat

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Mustafa Nano

Nuk kanë kaluar as dy muaj nga tragjedia e markës shtetërore në Gërdec, e megjithatë, për të po flitet gjithmonë e më pak. Gazetat dhe televizionet përcjellin herë pas here ndonjë informacion, por merret vesh që në këtë çalltisje, më shumë se sa nga shtysa deontologjike, janë të nxitura nga lajmet që rrjedhin pikë-pikë prej filtrave institucionalë. U fol për tetëqind faqe të përgatitura nga organi i akuzës, dhe në mënyrën më të çuditshme, këto tetëqind faqe u shtrydhën nga gazetarët në më pak se tetëqind fjalë. Në vend të merreshin me këtë, gazetarët kanë vijuar t‘i shkojnë nga pas Fatmir Mediut për ndonjë intervistë, në të cilën ai nuk ka bërë gjë tjetër, veçse është llokoçitur në atë baltovinën e frazave të veta pa fillim e pa fund, pa thënë absolutisht asgjë të re.

Komentatorët, siç ua kërkon puna, janë të fokusuar tek çështjet e ditës, ku në vend të Gërdecit, kanë dalë amendimet kushtetuese dhe miratimi që ndonjë visitor i huaj u bën këtyre amendimeve, korrupsioni galopant i nxjerrë në dritë prej sondazheve të organizmave ndërkombëtarë, denoncimet e bëra po prej organizmave ndërkombëtarë lidhur me ngushtimin e hapësirave për biznesin, rritja e borxhit publik, hallet e pafundme të opozitës së përçarë, heqja kolektive e imunitetit të deputetëve, etj, etj. E si për ironi të gjërave, vëmendja ka shkuar edhe tek tour-i më i ri në bazë i kryeministrit shqiptar, i cili, përballë një auditori të zgjedhur me kujdes, ka gjetur kohë të përurojë vepra të përuruara njëherë nga të tjerët e të flasë për anëtarësimin në NATO, për Sefgjinin, për debatikasit e G-99-ës, për gazetarët faqezinj, për Komitetin në Mbrojtje të Kushtetutës së Dushkut, për sondazhet e gabuara lidhur me korrupsionin, rrjedhimisht për arritjet e shkëlqyera të kësaj qeverie ("asnjë ministër nuk ka monopole" - ky ishte ilustrimi që i bëri ky njeri sukseseve të veta në luftën kundër korrupsionit), për rëndësinë që kanë amendimet kushtetuese e heqja e imunitetit parlamnetar ("ky është vendimi më i madh që politika ka marrë ndonjëherë gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit" - kjo ishte një nga mufkat që lëshoi së fundmi), e për rëndësinë që ka marrëveshja historike maxhorancë-opozitë në kuadrin e reformimit të institucioneve.

Po për Gërdecin? Asnjë fjalë për be. Duhej të ishte njeriu më i interesuar për ta mbajtur gjallë diskutimin mbi Gërdecin e për të bërë çmos që të dilte në shesh e gjithë e vërteta, pasi në këtë histori është nakatosur baxhanaku i tij i ndjerë, që punonte në Gërdec, ai vetë, që ka hedhur firmën në vendimin e qeverisë mbi punishten mafioze të çmontimit të armëve e municioneve; janë përmendur dhe fëmijët e tij, gjithashtu. Fakti që po bën të kundërtën, fakti që nuk po lë gur pa lëvizur për ta shpërqëndruar vëmendjen tonë e për ta varrosur të vërtetën në gërmadhat e Gërdecit, dëshmon se ai është njeriu më i interesuar për ta mbyllur këtë çështje.

Ca kohë më parë kam besuar se e vërteta mbi Gërdecin do të humbiste e do të tretej në kthinat e Prokurorisë së Përgjithshme, dhe nuk më ka shkuar mendja se politika do të ngrinte një mur të madh e të pakalueshëm për iniciativat e kësaj prokurorie. Nuk më ka shkuar mendja, pasi kam qenë i bindur që në këtë moment, sidomos në këtë moment, politika do të dëshmonte një përunjësi shembullore. "Nuk do të kenë kurajon për të nxjerrë yçkla e për të hedhur vickla gjatë procesit të hetimit të kësaj tragjedie, fajtorët e së cilës, edhe kur lihen pa u përmendur në emër të respektit për procesin e nisur, njihen megjithatë" - ja, këtë kam menduar, me sa duket në mënyrë naïve. Por po ndodh e kundërta. Politika po kërkon ta hedhë pas krahëve këtë ngjarje, si të jetë fjala për ndonjë privatizim të parëndësishëm të bërë me logjikë klienteliste. "Nuk mund t‘ia heqim imunitetin Fatmir Mediut, pasi duam fakte të dokumentuara", thanë njëzëri një numur deputetësh, të cilët në dorë mbanin raportin tetëqind faqesh të Prokurorisë së Përgjithshme.

Le ta themi troç: kjo është një sjellje e poshtër dhe e ndyrë. Kryeministri fshihet pas procedurave parlamentare, të cilat nuk qënkan në dorë të tij, Fatmir Mediu vetë fshihet pas një komploti konspirativ të ndërtuar mbi kurrizin e tij (nga kush dhe për ç‘arsye? Ja, këtë gjë duam të dimë ne të tjerët e bash këtë gjë nuk e thotë Fatmir Mediu), parlamenti fshihet pas shqetësimit mbi bazueshmërinë ligjore të kësaj kërkese, kryetarja e parlamentit fshihet pas përparësive të tjera në axhendën e vet prej partizaneje par excellence, një pjesë e opozitës fshihet pas aksionit të dialogut me maxhorancën në kuadër të kryerjes së reformave të domosdoshme e një pjesë tjetër e opozitës fshihet pas alarmit që ka dhënë për "puçin kushtetues".

Po mendohej prej të gjithëve, se kërkesa për heqje imunitetesh pas tragjedisë së Gërdecit do ta gjente gojëkyçur e të zgërlaqur parlamentin shqiptar; rrjedhimisht, po mendohej se asnjë deputet nuk do të guxonte të merrte lupën për të gjurmuar bazueshmërinë ligjore të kësaj kërkese të bërë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Po mendohej kështu, ngaqë së pari, të ndodhur përballë përmasave të kësaj tragjedie, përballë fakteve të zbuluara e të bëra publike në të gjitha organet e mass-media-s, të cilat nxjerrin në shesh natyrën shtetërore të këtij krimi, e përballë ndjeshmërisë e apelit të qytetarëve për t‘u vënë një emër fajtorëve, parlamentarët do ta kishin të zorshme të gjenin motive për të kundërshtuar iniciativat e organit të akuzës; ngaqë së dyti, prokurorët nuk po kërkojnë gjë tjetër në këtë mes, veçse t‘i heqin një deputeti atë mbrojtje që ata duan t‘ia heqin edhe vetes; ngaqë së treti, kërkesa për heqje imuniteti nuk po bëhet nga ndonjë instancë armike në funksion të qëllimeve armiqësore. Përkundrazi, po bëhet në funksion të hetimit të një tragjedie e po bëhet nga një institucion shtetëror, në krye të të cilit nuk është më demoni Sollaku, por ëngjëlli Ina Rama, alias - sa old-fashioned e qesharak ky krahasim! - Silvia Conti; ngaqë së katërti, pas heqjes së imunitetit askush nuk pret që Fatmir Mediu të linçohet e të kryqëzohet; ai thjesht nuk do të mund t‘i shmanget fillimisht një procesi hetimor, e më pas një procesi gjyqësor, i cili do të jetë i hapur, transparent, në sytë e të gjithëve.

Është e qartë, se kjo që po ndodh është një dëshmi tjetër që tregon se tragjedia e Gërdecit është pasojë e një krimi joint-venture, ku janë nakatosur sipërmarrje të rreme, sipërmarrës makutë, administratorë shtetërorë që kurojnë interesat e tyre në dëm të interesave të shtetit e të publikut, ministra, gjeneralë, e më në fund, don Berisha, tok me familjen e tarafin e tij.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
0