Misioni i pamundur
Partizanët parlamentarë të ndryshimeve kushtetuese kanë marrë këto ditë një mision krejtësisht të pamundur: Të ngrenë mure ligjore për mosmbajtjen e referendumit. Paradoksi nuk qëndron vetëm në investimin për të penguar këtë proces, po para së gjithash, në autorët e këtij investimi. Kjo iniciativë, e cila politikisht dhe juridikisht duhej të qëndronte në anën e PD-së, iniciatores, mbështetëses dhe asaj që kushtëzoi kalimin e neneve që kërkohen të testohen në publik, ka autorizuar me prokurë të posaçme për këtë mbrojtje PS-në.
Pothuaj, çdo ditë me radhë, politikanët juristë të saj po rreken të na mbushin mendjen se referendumi nuk mund të realizohet, se janë disa pengesa ligjore që e pamundësojnë një gjë të tillë, se ka kaluar 15 marsi, pasi është dita e fundit e paraqitjes së kërkesës, se edhe vitin tjetër është e pamundur, sepse jemi para zgjedhjeve parlamentare etj., etj. PS-ja, që jo krejt pa dashur po bën avokatinë e ndryshimeve kushtetuese me moral shumë të dyshimtë, është krejt jashtë rolit të saj si opozitë serioze në mbajtjen e flamurit të kundërshtimit me çdo mjet dhe kusht të këtij procesi. Është e tillë, jo vetëm se ka qenë frymëzuesja dhe mbrojtësja kryesore e kësaj Kushtetute në referendumin e vitit 1998, kur u certifikua ajo në popull, por edhe për faktin tjetër se aktorë të zëshëm të saj po vijojnë të shprehen se u zunë në befasi nga kërkesa e PD-së për ndryshimet, duke i cilësuar ato madje edhe "thikë pas shpine". Tani nuk po dimë kë të besojmë e të marrim për referencë, sinqeritetin e këtyre deklaratave në media, apo vokacionin e rënduar të ditëve të fundit për të mbrojtur atë çfarë kanë bërë nën presionin e urdhrit politik të radhës. Të detyruar me sa duket për të bërë interpretimet politike të pozicionit të PS-së, shumë prej tyre po shkasin nga debati normal që duhet të kishte mbi bazën morale dhe ndikimin në jetën politike të ndryshimeve, në artifice ligjore që mund të bëhen pengesë për të realizuar procesin referendar.
Politikanët juristë të saj, në vend që të sqarojnë se pse është një ide e gabuar referendumi, pse duhet shmangur realizimi i demokracisë së drejtpërdrejtë për çështje kapitale, të cilat sipas zotit Berisha shumë të ngazëllyer përbëjnë 70% të ndryshimeve të bëra me këtë rast në Kushtetutë, kanë marrë misionin të thonë se janë procedurat ligjore ato që pamundësojnë mbajtjen e tij. Por kur thonë kështu, përfaqësuesit e PS-së harrojnë se padashur kanë mohuar disa gjëra të tjera shumë të rëndësishme, siç është ajo që lufton çdo opozitë : Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ata thonë gati si naivisht, tamam si kukullat që kanë pranë teatrit komshi me selinë e tyre, se qeverisja "Berisha", me të gjitha indekset negative rekord që ka në të gjitha sferat e qeverisjes, do të vazhdojë e qetë deri në tetor të 2009-s, dhe jo vetëm që ata nuk do ta trazojnë fare për këtë, por do të pengojnë edhe çdo referendum që ia bën qejfin qeder qeverisë. Kur duhen edhe 1 vit e gjysmë të zhvillohen zgjedhjet, PS-ja e ka ndarë mendjen të mos i krijojë probleme të tilla të "vogla" Kryeministrit, me të cilin po mirëkuptohen e dashurohen jo vetëm në distancë. Harrojnë po ashtu krejt pa dashje se megjithëse në gjithë këtë periudhë sipas tyre mungojnë hapësirat e nevojshme për të zhvilluar referendumin, nuk u desh vetëm një natë dhe tri orë diskutim për të ndryshuar 10 nenet bazë të Kushtetutës.
Shumë ironike kur mendon se në sa pak kohë u rrëzuan të gjithë ato nene dhe u realizua kompromisi historik që nxori jashtë loje sovranin dhe sa shumë kohë kanë përpara për t‘ia kaluar në gjykim popullit dhe bëjnë çmos për të mos e llogaritur këtë kohë! Mundimi për të kërkuar në sirtarët e vjetër të politikës së konfliktit mjete penguese, përkthehet që tani në fitoren e parë të referendumit. Ajo që pengohet me çdo kusht për t‘u mohuar, ka shumë më tepër motive për të gjeneruar të drejta për t‘u arritur. Është një aksiomë që nuk mund ta tjetërsojë investimi negativ i vullneteve që kërkojnë të marrin pushtete të pamerituara.
Ky rol që luan sot PS-ja e komprometon keqas atë, jo thjesht për faktin se ka dy vite që lodhet për t‘iu mbushur mendjen shqiptarëve se është partizane e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe jo asaj përfaqësuese, por në kushtet e këtij Parlamenti me shumë figura të dyshimta sipas saj, është tërësisht jo legjitim dhe pa integritet një vendim madhor për ndryshimet e themeleve të shtetit. Duke e quajtur demokracinë përfaqësuese të përçudnuar, PS-ja lejon dhe tani avancon edhe më tej, mbron fanatikisht produktin aq shumë të përfolur e të kontestuar të kësaj demokracie, pra të deputetëve të korrupsionit, të deputetëve dushkarë, të deputetëve të trafikuar e të tjera citime që aq shumë janë perifrazuar nga përfaqësuesit e vetëquajtur Politikë e Re. Por pozicioni politik i PS-së avancon taktikisht gabim, sepse në vend që të ballafaqohen me idenë e gabuar sipas tyre të mbajtjes së referendumit, po shfaqin një zell të tepruar për të ngritur muret ligjorë që ndalojnë mbajtjen e tij. Roli i vështirë që kanë marrë disa juristë me synimin për të ardhme politikani bën që të tejkalojnë edhe nga pozicionet që ata duhet të jenë. Sigurisht shtrëngesa e zyrave ku marrin porositë po i detyron disa të kalojnë nga qëndrimet politike, nga argumentet që duhet të përdorin për të justifikuar pozicionin e realizuar në mënyrë rreshtore në sallën e Parlamentit, në interpretime ligjore që nuk lidhen aspak me statusin e tyre.
Mbahet apo nuk mbahet referendumi, cili nen i Kushtetutës apo i Kodit Zgjedhor e pengon këtë procedurë, kjo është e drejtë dhe detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kohën e duhur për t‘u shprehur, dhe aspak atribut i disa politikanëve juristë apo jo. Profesionalisht, po më pas edhe politikisht, pavarësisht presionit që mund të gjenden, nuk u lejohet të shprehen për interpretime që nuk janë aspak në tagrin e tyre dhe aq më shumë t‘i paragjykojnë që tani e të realizojnë forma presioni mediatike e politike për vendime që natyrisht do të kalojnë përmes institucioneve të cituara. Ata sigurisht janë krejt të lirë të jenë të përfshirë në mbrojtjen e pozicioneve që ka mbajtur grupi parlamentar i PS-së në votimin e 21 majit, në sqarimin politik dhe argumentimin ligjor të kësaj vote, por deri këtu, në përparësitë sipas tyre të këtyre ndryshimeve. Pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që mund ta ëndërrojë ndonjëri nuk mund ta arrijë, duke e interpretuar politikisht të drejtën dhe afatin e mbajtjes së referendumit. Të investuar gabim në këtë drejtim, ata po tregojnë vërtet zellin ndaj kryetarit se kur është puna për të mbrojtur partinë dhe idealet e saj, nuk pyesin për integritet profesional apo diçka më shumë....
Nëse janë ashtu siç shprehen, për pushtete të ndara dhe pavarësi të organeve kushtetuese, muratorët socialistë të murit pengues të mbajtjes së referendumit, duhet t‘ua lënë këtyre institucioneve të drejtën të shprehen në kohën dhe momentin e duhur dhe nuk kanë legjitimitet të investohen për të krijuar klimën mbytëse ndaj këtij procesi. Tjetër në se do ta arrijnë këtë apo jo. Ata duhet të shprehen se pse e pengojnë popullin të ushtrojë demokracinë e drejtpërdrejtë për një çështje të tillë kaq themelore, se ku e bazojnë lirinë e tyre për t‘ia hequr sovranit këtë atribut dhe t‘ia kalojnë demokracisë përfaqësuese të vënë kaq shumë në pikëpyetje, jo vetëm nga aktorë të shumtë të politikës në vend dhe nga lideri socialist që nuk lodhet së atakuari pikërisht këta përfaqësues me moral shumë të dyshimtë në nominimin e tyre parlamentar, por edhe nga aktorë të politikës ndërkombëtare. Kur nuk kanë kurajën të japin këto argumente e sqarime për publikun, futen në politikën bizantine të llogarive që ka në themel vetëm interes personal, interesin e politikës që çimenton pushtetin politik dhe atë ekonomik. Ndryshimi i Kushtetutës në vende serioze demokratike domosdoshmërisht shoqërohet me miratim në popull, aq më shumë kur ajo në miratimin e parë ka kaluar përmes këtij procesi. Por me sa duket ne vazhdojmë të krijojmë alibira të ndryshme me gjërat serioze dhe sillemi seriozisht me mbrojtjen e gjëmës që krijohet nga papërgjegjshmëria e aktorëve të mësuar me abuzivizëm!



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj