Nga Reformat tek .... ... Gandizmi
“E vërteta, pastërtia, vetëkontrolli, vendosmëria, guximi, modestia, uniteti, paqja dhe sakrifica – ja cilësitë thelbësore të një qëndrestari civil”. MAHATMA GANDHI
S’duhet të jesh medoemos një ekspert Indie për të kuptuar se “gandizmi” sot ka gjetur ndoshta terrenin më pjellor për rimbirje e harlisje të shpejtë: Shqipërinë. E njohur vonë me modelet e lëvizjeve shoqërore nëpër botë, jeta politike shqiptare po tregon një dobësi të veçantë ndaj këtij trendi të mes-shekullit të kaluar, i cili padyshim la pas jo vetëm një finale të madhe kombëtare për Indinë, por edhe një trashëgimi eksperiencash e mësimesh për një reagim social e politik ndryshe.
Nuk ka dyshim gjithashtu se “dishepulli” i parë i këtij shembulli dhe përçuesi më elokuent i mënyrës “gandiste” të reagimit e komunikimit është zoti Rama, jo vetëm pas ardhjes në krye të PS-së. Sot, e gjithë sipërmarrja e tij e gjerë politike shfaq disa tipare të konturuara aq qartë, sa që nuk lë vend për të dyshuar mbi modelin e zgjedhur. Që është padyshim Mahatma Gandi i 1930-48-ës. A është ky një lajm i mirë apo i keq? Përgjigja këtu s’është aspak e lehtë. Në formulimin e saj mund të nisemi nga këndvështrimi tradicional mbi politikën dhe luftën ndërpartiake (kështu do të bënin shumica e militantëve në parti). Dhe mund të shtrembëronim buzët. Ashtu si të njëjtën çështje mund ta shikonim edhe ndryshe: si qytetarë që duan një jetë më të mirë (kështu do të bënin shumica e shtetasve të këtij vendi), të cilëve politika s’ju hyn në punë përveçse si një vegël, si një mjet, që çon në rritjen e mirëqenies, sigurisë e jetës së tyre. Dhe në këtë rast miratimi do të lexohej qartë. Do të kishim pra dy vlerësime të ndryshme për të njëjtën pyetje.
E vërteta sipas meje, është se ky model veprimi i zotit Rama ka kaluar një periudhë suksesi nga çdo këndvështrim ta marrësh. Si garanci për këtë mjafton qoftë edhe vetëm fakti që së fundi ‘Dialogu me Shqipërinë’ po rimerret thuajse i kopjuar edhe nga oponenti më i madh politik i PS-së, zoti Berisha. Nëpërmjet turit të tij të porsashpallur; “takim me qytetarët”. Të ishte një metodë koti, Berisha s’do ta kishte përqafuar kaq pa hezitim. Edhe pse shumë i vonuar, ai duket i ndjeu efektet...
***
Nga ana tjetër, ka një pikë kyçe që zoti Rama i pari (dhe zoti Berisha mbas tij) duhet ta nënvizojnë: atë që edhe gandizmi ka kufizimet e “kushtëzimet” e veta. Që ai nuk është as një proces universal, as dogmatik e as i përjetshëm. Jo vetëm për faktin që gandizmi kërkon një Mahatma. Jo vetëm për faktin që mbështetësit e zbatuesit e gandizmit ishin nga India. Por për shumë faktorë të aktualitetit e të rrethanave ku ndodhet Shqipëria me politikën, lidershipet e qytetarin e saj, sot.
Nëse deri më sot “dialogun” Rama mund ta quajmë me plot gojën një tur të suksesshëm, kryesisht në vështrimin njohës, komunikues e emancipues të shoqërisë shqiptare, nuk mund të themi të njëjtën gjë mbi vazhdimin e tij në të ardhmen. Ky cikël e ka arritur pikën e vet të ngopjes dhe ndodhet para dy alternativash: ose me këtë arsenal të ri eksperiencash t’i kthehet politikëbërjes normale (tashmë të pasuruar e modernizuar), ose të kalojë në një stad tjetër më të lartë e më efektiv të “dialogut”. Natyrisht, nëse një model i tillë ekziston. Gjithsesi, vazhdimi i njëtrajtshëm i këtij aksioni s’mund të jetë efektiv më tutje. Mendoj se i ka arritur caqet e optimales.
Një arsye më shumë e “mbingopjes” me këtë metodë, por edhe një sinjal që “ky pilaf s’mban më ujë”, është hyrja në të njëjtën valle e zotit Berisha. “Takimi me qytetarët”
***
Që të jemi më të qartë mbi origjinalin dhe ngjashmëritë e tentuara, por edhe mbi dobinë prej skenizimit të ri të të njëjtës sjellje, le t’i hedhim një sy, ç’sugjeron në fakt modeli “Gandi”? Metoda e tij e ndërveprimit – Satyagraha (shtegu për tek e vërteta), predikon që angazhimi në konflikt (përfshi edhe konfliktin debatues) duhet bërë në mënyrë konstruktive dhe jo mohuese e asgjësuese të kundërshtarit. Parimet bazë të Satyagraha-s si e vërteta, rruga paqësore dhe …vetësakrifikimi, kanë një pikësynim të ndryshëm nga ai tradicional: mënyra se si njerëzit reagojnë thoshte Gandi, është më e rëndësishme se sa ajo se çfarë ata arrijnë. Më të rëndësishme se çdo gjë, sipas tij, janë katër gjëra: së pari, një mënyrë të re komunikimi e cila dalëngadalë pranohet edhe nga oponentët. Së dyti, përjashtimin e akteve të dhunës së çdo forme dhe kërkimin e së vërtetës -ndryshe nga historia e deriatëhershme -si një zgjidhje të negociuar që mund t’i kënaqë të dyja palët në konflikt. Së treti, vlerësimi mbi triumfin apo objektivin final të mos lidhet me pozitën e atyre vetë, por me kapërcimin e situatës, përmes realizimit të një sinteze mes pretendimeve të kundërta apo të ndryshme të palëve. Së katërti, fleksibilitetin ose pranimin e tërheqjes nga pozicionet fillestare, nëse për këtë krijohet një bindje e re si rezultat i përplasjes së ideve. Përmbledhur në dy fjalë, metoda e Gandit ngrihet mbi dy shtylla: komunikimi i hapur e pa paragjykime dhe përjashtimi i dhunës: “The way people behave is more important than what they achieve”. Teknikisht, si mjete kundërshtimi, Satyagraha predikonte qëndresën paqësore dhe mosbindjen civile –terma që sot në Shqipëri i ndeshim jo dhe aq rrallë.
Në ka ndonjë gjë në këtë metodë që mbetet e plotë, ajo është etika e komunikimit “Gandi”. Për studiuesit e komunikimit etik, retorikat nacionale, politike e populiste, kryesisht shihen si joetike. Disa nga normat që prezantojnë ata për etikën në këtë fushë, pra për përcjelljen e ideve publikut të gjerë, janë mendja e hapur në kërkimin e së vërtetës, drejtësia, përparësia e motiveve publike mbi ato private, respekti për mendimin ndryshe, shpallja publike e argumenteve, dhe bindja e njerëzve pa ushtruar presion e pa fshehur faktet. Gjithë veprimi i Gandit të madh për të zgjidhur konfliktet, ngrihet pikërisht mbi këto norma etike të komunikimit. Prandaj ai në radhë të parë klasifikohet si komunikim etik.
***
Pas kësaj njohje me modelin, e kemi më të qartë besoj rrezikun prej vazhdimit të kopjimit të tij. Duket ashiqare se ajo që e gremis direkt gandizmin shqiptar këtej e tutje, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë në material për Servantesin, do të ishin personazhet vetë. Gandisti i ri është zoti Berisha. Merret me mend përqasja e tij me imazhin “gandist” të paqes, arsyes, modestisë, e non-violencës. Ndërsa Rama rrezikon për një arsye tjetër. Pikërisht për pranimin që ai i bën Berishës si bashkëpërçues i gandizmit në Shqipëri. Nëse deri më sot, për koston e ngushtë politike që shkakton kjo “hapje qytetare” ai ka një “skuzë”– dhe kjo është emancipimi shoqëror që aspiron politikani i ri Rama, nesër këtë nuk mund ta ketë. Do të referohet si Rama që pranoi Berishën për bashkemancipues e freskues të politikës shqiptare. Është tamam koha për ta shmangur këtë rrezik.
***
Sidoqoftë, as sa më sipër nuk është thelbi i këtij shkrimi. Dështimi a mosdështimi i “gandizmit” shqiptar, nuk është çështja më e ndjeshme, as për mua e as për miliona shqiptarë si unë. Shumë më e rëndësishme për të gjithë është diçka tjetër: përqafimi i “Gandizmit” si një rrugë për t’i rrëshqitur përgjegjësive. Barazimi i këtij turi nëpër kodra e lugina, thjesht me renë e pluhurit që ngrenë karvanët e Benzave të zinj. Në rastin e zotit Rama, tejzgjatja e këtij refreni s’mund të mos lexohej më si një ikje nga përgjegjësia e të bërit opozitë. Si shmangie nga ai angazhim i dyfishtë “ballor” që ka opozita e sotme shqiptare. E kam fjalën jo aq për rotacionin, pra shndërrimin e maxhorancës në opozitë, se sa për largimin e personit që sundon përballë, e që më qartë se kushdo mishëron tiparet e politikës së vjetër. Ndërsa për vetë zotin Berisha, “gandizmi” sot është vërtet një dhuratë nga qielli, që e ndihmon njëkohësisht t’i rrëshqasë gjithçkaje. Së pari, Gërdecit (ku ka më mirë se sa ndërsa drejtësia e publiku pret sqarime, t’i të shtrish krahët anëve të horizontit duke ri-premtuar ..e ri-sugjestionua). Së dyti, tensioneve të brendshme të maxhorancës (s’ka më mirë se t’i ndjekësh ato nga qafa e Llogarasë). Dhe së treti, si një largim hutues nga reformat e pakryera. Ka një listë të gjatë pikëpyetjesh mbi to. Ç’bëhet me varfërinë, me vaskat e florinjta, me papunësinë, me listat “veresie”, me çmimet e larta, me çështjen e pronës, me “Shqipëria 1 Euro”, me ndotjen e ajrit, me ekologjinë, me kapacitetet administrative, me klimën e biznesit, me konkurrueshmërinë, me “moshën e internetit” me eksportet, etj, etj. Ajo që ndoshta nuk di mirë zoti Berisha e stafi i “turit” të tij është vetëm një gjë: që këto pyetje sot nuk ngrihen vetëm në Tiranë.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
| 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
| 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
| 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
| 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj