24 ore lajme: Gërdeci, Dosja "Berisha" , e plotë! Gërdeci, Dosja "Berisha" , e plotë! ================================================================================ Arben Rrozhan on 10 April, 2008 05:50:00 rejtësia shqiptare prej disa ditësh ka në dorë dosjen e plotë të organizatorëve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Letër-këmbimet e dala në dritë mes drejtuesve të Ushtrisë Shqiptare dhe Kryeministrit të vendit, plotësojnë dosjen "Berisha", duke e bërë atë çelësin kryesor që do të çojë para drejtësisë ideatorët, organizatorët dhe pse jo edhe ata që po përpiqen këto tre javët e fundit të bëhen edhe varrosësit e tragjedisë më të pashembullt që u ka ndodhur shqiptarëve në kohë paqeje, pas kaosit të pranverës 1997 dhe trazirave të shtatorit 1998, të cilat kanë në majë të piramidës ekzekutuese të njëjtin personazh: Sali Berishën. Ajo çka doli në dritë tri ditët e fundit në median shqiptare, plotëson më së miri dosjen për Kryeministrin aktual dhe i jep të drejtë Prokurorisë së Përgjithshme që të kërkojë nga Kuvendi i Shqipërisë, heqjen e imunitetit për deputetin Sali Berisha dhe përparimin e hetimin në gjetjen e tij fajtor për përgatitjen e krimit monstruoz që ndodhi në 15 mars 2008 në Gërdec, me një bilanc lufte: 24 të njerëz të masakruar, 300 të plagosur, mijëra shtëpi të shkatërruara, qindra biznese të rrënuara dhe krijimin e psikozës së pasigurisë totale të një vendi që nuk mund të bëhet kurrë. Përfundimisht Berisha dinte gjithcka për Gërdecin. Dosja gërdeciane e Bërishës është më e plotë se kurrë dhe drejtësia është para një testi vendimtar për të provuar nëse është vegël qorre në duart e qeverisë, apo në shërbim të rivendosjes së dinjitetit dhe rikthimit të paqes sociale dhe të qetësisë në shpirtrat që nuk gjejnë prehje pa ndëshkimin e fajtorëve. Ka me dhjetëra momente, ku kryeministri i Shqipërisë mund të jetë që sot qytetari që dëshmon se si e përgatiti dhe çfarë përfitoi qeveria e tij, apo rrethi i ngushtë familjar nga biznesi vdekjeprurës i municioneve. Duke nisur që me shpirtin e të ndjerit baxhanak që ishte viktimë e shpërthimit, ndërsa bënte supervizorin e fabrikës së vdekjes, të cilin e renditi në mesin e anonimëve të vrarë në 15 mars, dhe shprehej se nuk e kish njohur, megjithëse, ka të paktën dy dëshmi të një politikani të lartë që i kishte shitur shtëpinë viktimës, se shefi i qeverisë e kishte vizituar te shtëpia në rrugën "Irfan Tomini". Është implikimi i emrit të tij dhe të të birit, të cilin nënkontraktori shqiptar i biznesmenit çifut e kishte takuar për ndërmjetësim-sqarim në makinën private. Është mashtrimi që u bë me fondet e Pentagonit, për të furnizuar me armë ushtrinë vendase në Afganistanin e trazuar ku përditë humbin jetë njerëzore vendase dhe të NATO-s, përballë sulmeve të radikalëve islamikë, besnikë të mullahëve. Është vendimi i qeverisë i marsit 2007 për ta rrëmbyer demontimin e municioneve nga tunelet dhe uzinat e specializuara ushtarake dhe për t'ua dhënë aventurierëve milionerë, që ishin përkëdhelur dhe favorizuar nga shumë ministri dhe drejtori që varen dhe komandohen nga Ekzekutivi. Është lënia e dorës së lirë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe nënshtrimi i ushtarakëve të tredhur dhe të joshur nga blerja e heshtjes, që të vinin në dispozicion të një firme, i cila operonte nën sqetullën e pushtetit, si në kohërat e skllavopronarisë. Është injorimi dhe eliminimi i rolit kushtetues të ish-presidentit të vendit, të cilit, për luftë të shpallur politike nga ana e lidershipit të PD-së, nuk i përgjigjej as kasta politike dhe as ajo ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilës duhej t'i dridheshin leqet e këmbëve kur ta kërkonte në raport Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Është ngutja gjakatare dhe e mirëllogaritur për të kundërsulmuar ato segmente të pushteteve, duke mos kursyer as median vendase dhe atë të huaj, siç ishte rasti i denigrimit të paparë të tipit "letër higjienike" për "Neë York Times", për ta përmbysur pozicionin e kryefajtorit dhe për të lartësuar atë të kryeshpëtimtarit. Është përdorimi i ftesës së anëtarësimit në NATO për t'i veshur rrobën euroatlantike një ushtrie të zhveshur nga burrëria, përgjegjësia e uniformës, të keqpërdorur dhe denigruar më shumë se në vitet 1992-1997, kur u shpërbë si kripa në ujë dhe dezertoi, duke e lënë vendin në kaos civil. Është vallja qeveritare që hidhet mbi varret e sapombyllura në Gërdec, dhe që në rastet e sotme thjesht emërtohet "gjenocid shtetëror". Dosja "Berisha" është më e plotë se kurrë dhe kjo nuk është meritë e askujt, përveçse e Kryeministrit, i cili rikthimin në pushtet e përdori për të rivrarë shqiptarët. Ajo është shumë më e plotë se dosja e "grushtit të shtetit" në 13-14 shtator 1998. Atëherë Kuvendi i Shqipërisë pati moralin politik dhe qytetar dhe më 18 shtator, Sali Berisha ishte deputeti pa imunitet. Por vendi nuk kishte prokuror të përgjithshëm kurajoz dhe kryeministri në pushtet ishte vëllai siamez i kryetarit të opozitës dhe nga organizator, ai u kthye në martir. Sot, në prill 2008, Prokuroria e Përgjithshme ka përveç dosjes në ngarkim të Kryeministrit, miliona shqiptarë dëshmitarë okularë, partnerë ndërkombëtarë të mashtruar nga mafia qeveritare përfituese e trafikut të armatimeve dhe municioneve dhe prej saj duhet vetëm kurajo zyrtare dhe qytetare, për të vënë në vend drejtësinë.