Faqja e Pare | Analiza | Midis Kryeministrit dhe drejtësisë

Midis Kryeministrit dhe drejtësisë

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

U bënë ditë, e me siguri do bëhen akoma, që Gërdeci (sikur e parathotë gërmadhën ky emër) po kthehet e po rrotullohet në zgarën e diskutimit të gjithanshëm e të shumëkujt, si një biftek i prerë në një kufomë. Dhe me të gjithanshëm dhe të shumëkujt, nuk kam aspak parasysh reagimin neto civil, që si të gjithë e dimë, mund të konsiderohet i vdekur. Sepse nga gjendja "vdekur" nuk mund ta nxjerrë dot marshimi i heshtjes ndërmarrë nga opozita dhe as ajo protesta spontane e banorëve të Vorës, (vini re, të epiqendrës) që u fashit si një shtjellë gjethesh në vjeshtë, sapo nga supermegafonë të regjur, u cilësua si e manipuluar nga ca bishta politikë lokalë të zonës së hatasë. Dhe absurdi kompletohet si emblemë, kur partitë falënderojnë opinionin që i mbështeti në një protestë, edhe në raste bombardimesh shtetërore(?!) Kur duhej të ndodhte e kundërta, d.m.th. që opinioni të falënderonte politikën në rast mbështetjeje të saj në një protestë civile. Në këtë kornizë nekrologjike, protestën civile në këtë vend mund ta konsiderojmë jo vetëm të vdekur, por edhe të varrosur.

Ndaj le të kthehemi te diskutimet e "profesionistëve", duke e quajtur sikur nuk është fare, ç‘mjerim, protestën qytetare. Dhe natyrisht protagonistë të këtij diskutimi mbeten mediat dhe politika. Rrallë e tek, edhe ndonjë specialist i fushës, po siç merret me mend, aq minor dhe aq i papërfillshëm, sa edhe një violinë në një bandë frymore.

Është evidente puna e mrekullueshme informative e mediave, angazhimi i saj deri në vetëmohim, në kronikën e përminutshme të hatasë së 15 marsit dhe ditëve më pas. Asnjë përbaltje, asnjë mallkim, pavarësisht nga lloji i laringut që e përcjell, s‘mund të hedhë as hijen më të vogël mbi atë heroizëm mediatik. Tjetër gjë se në media fryhen si /////jerarkë edhe njerëz të /////vetëpersonalitetëzuar. Kritikë kot më kot të çdo gjëje dhe të gjithçkaje, që për të ilustruar "idetë" e tyre distrofike, ta bëjnë kokën daulle me citime filozofësh të lashtë e bashkëkohorë. Tjetër gjë se ka mitomanë, ka që s‘dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse vrerin ta vjellin me penë dhe jo me fyt. Tjetër gjë se ka të tjerë që në bidonët e mjaltit të pushtetit lyejnë vetëm gishtin, e pastaj me të lagin majën e kopjativëve anakronikë të lëvdatave pa fund, ndonjëherë edhe kur këtë s‘ua kërkon askush. Po ka mes tyre, edhe "ish"-ë faqeza mëtonjës, dikush i lugës, dikush i garuzhdës, dikush i lopatës së djeshme të pushtetit që nuk e ka më. Mbase çdo pozicionim është në të drejtën e gjithkujt, në kuptimin e mbrapshtë të lirisë që jetojmë. Por në adhurimin e të gjithëve, janë kamerat dhe mikrofonat e drejtpërdrejtë të vajzave dhe djemve që prekën me dorë skëterrën Gërdec. Këta të fundit, nuk kërkuan me kalem e analiza dorëheqjen e Kryeministrit. Këta, heroikisht na vënë në sy masakrën, e thonë "ja tek është"! Na tundin në vesh kambanën e alarmit të madh, me iluzionin e bukur të moshës, me pandehmën e mrekullueshme se opinioni është në gjumë dhe jo krejt i vdekur. Lavdi iluzionit të tyre!

Më në fund politika! Siç kuptohet lehtësisht, ajo opozitare. Heshti dy ditë, sa kufoma Gërdec ishte akoma në mes të shtëpisë e vajtohej nga të gjithë, nga fajtorët dhe viktimat. Heshti sa meritoi dekoratën "u sollët si burra shteti", pastaj bëri zhurmë. Zhurma ishte dhe është akoma e tipit "Të dorëhiqet Kryeministri!" Nga të dyja anët e medaljes socialiste, nga ajo e socialistëve safi dhe e atyre për integrim, kjo zhurmë tamburash është kaq intensive, kaq e lodhshme dhe me kosto! Po fatkeqësisht të zgjon vetëm një qeshje të trishtueshme e keqardhëse, një lloj si ndaj stërmundimit të ndonjë të lëni mendsh, tek rropatet për t‘i vënë qerres një rrotë të pestë. Dhe e korra e mbjellës së deritanishme të opozitës, rezultoi deklarimi fantazmagorik i Kryeministrit në Parlament: "Me ju do të jem edhe 100 vjet në politikë!" Nuk është vendi këtu të analizojmë, nëse ky deklarim hiperbolik, është një aspiratë e errët despotike, apo një autobetim i Kryeministrit në dëshpërim e sipër. Një gjë dihet nga të gjithë dhe dihet mirë, sidomos nga rivalët e tij! Të presësh dorëheqjen e Kryeministrit, do të thotë as më shumë e as më pak, por të të duket se po të mbulon bora në shkretëtirë, në një ëndërr të trëndafiltë, që sjell zakonisht gjumi në kllapinë e buzës së plasur nga etja. Argumentet dhe shembujt për këtë do të ishin të kota, si edhe rrota e pestë e qerres. Edhe nëse në formimin politik të Kryeministrit do të ekzistonte norma dorëheqje, afërmendsh që nuk do të ndodhte. Sepse në këtë vend, dorëheqja në raste kryeministrash dhe presidentësh është njësuar dramatikisht me pasojën Burg. Dhe zor të gjesh dikë, të stolisë vullnetarisht duart, me byzylykë që bëjnë "krrëëëk" në kyçe. Ndaj për këtë shkak të kthyer në normë për politikën tonë bizantine, dorëheqje s‘mund të ketë. Ndaj për këtë shkak ka vetëm shfajësime publike, lënie faji mbi të tjerët, manovra me vakume në ligje, fshehje pas tyre, mistifikim të pritshëm të Samitit të bekuar të Bukureshtit, që perëndia e solli mu në kohën që duhej etj., etj. D.m.th., e më në fund, synim të vetëm, që edhe kjo çudi të zgjasë vetëm tri ditë dhe të mos bëjë aspak përjashtim nga rregulli i çudive të tjera shqiptare. Në këto kushte e në këtë vështrim, "100 vitet në politikë" të Kryeministrit (nuk dihet nëse përfshihen njëzetë të shkuarit, në këtë shekull), arenë të vetme ndeshjeje kanë Parlamentin. D.m.th., mocionin ndaj Kryeministrit, d.m.th. më tej akoma, numrat në të. Një herë për një herë, duke llogaritur edhe zotimin republikan për besnikëri ndaj mazhorancës, ata janë mjaftueshëm shpëtimtarë për Kryeministrin dhe qeverinë e tij. Nëse shtojmë në këtë llogari, edhe reagimin, zakonisht rekomandues politik, gati indiferent ndërkombëtar, sidomos atë të SHBA-së, për shkak të implikimeve të veta në rastin Gërdeci, zhurma politike e opozitës për dorëheqje të Kryeministrit ngjan /////motamo, me zhurmën e havanit që rreh ujë.

Po atëherë? S‘më vjen të besoj se e ditkam unë dhe nuk e ditkan udhëheqësit e sprovuar opozitarë, se objekti i protestës dhe "presionit", në të vërtetë duhej të ishte drejtësia dhe jo Kryeministri. Se marshimi apo marshimet e heshtur dhe jo domosdo të heshtur, duhej të drejtoheshin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe jo te Kryeministria, ku nuk u tha më e nuk dihet, nëse Kryeministri ka vetëm zyrën, apo edhe apartamentin, siç vendosi të bënte kur hyri sefte në seli. Te Prokuroria dhe jo për ta akuzuar, jo për ta përbaltur si Marie Madalenën, jo për ta destabilizuar të punojë dhe të konkludojë me gjakftohtësi të humbur. Po për ta inkurajuar, për t‘i dhënë mesazhin mbarëpopullor "Sot më shumë se kurrë, është dita jote!" Pse jo, edhe me pankarta me urime për jetë të gjatë Prokurores së Përgjithshme, edhe me fotografi të saj e të trupës së hetimit të Gërdecit! (Për fat, janë shumë më të paraqitshëm se mamuthët e kollarisur, që rrinë edhe sot e gjithë ditën fasadave në posterat e fushatës së fundit) Duhej! Sepse përballë kuçedrës së krimit politik dhe politikës kriminale të këtij vendi, një prokurori dhe drejtësi e anatemuar dhe e dërrmuar nga dajaku politik, e pambrojtur nga kërcënimi mafioz, e paguar për faqe të zezë, duhet të ketë me çdo kusht përkrahje dhe inkurajim popullor, për t‘u qëndruar detyrave në raste të këtij rangu. Mëkat që edhe moria e shoqatave jopolitike pluskon në të njëjtën tenxhere me lëvere pazaresh dhe synimesh katran, ku zien e shkumëzon politika. Si orteku që rritet rrugës, këto soj shoqatash duhej të ngryseshin e të gdhiheshin përpara Prokurorisë së Përgjithshme, për t‘i dhënë kurajon aq të domosdoshme tani më shumë se kurrë: "Jemi me ju, na kini ne mburojë"! Përpara Presidencës, për t‘i kujtuar Presidentit se është kumbari i vetëm i shefes së akuzës në këtë republikë. Mendoj se vetëm me këtë imunitet dhe jo nën frikën e sikterisjes së përditshme dhe kryekëput të qëllimshme nga politika, Prokuroria do të zbardhte kartat dhe drejtësia do t‘i vinte kujtdo, qylafin sipas kokës. Edhe Kryeministrit, nëse rezultonte fajtor. Nëse nuk e bën, të japë dorëheqjen drejtësia, pasi një opinion i tërë t‘i ketë dalë borxhit! Midis drejtësisë dhe Kryeministrit apo kryeministrave, ajo që i duhet si ujët e pakët këtij vendi, është drejtësia! Dhe jo një drejtësi dokudo, po një e tipit që vë gishtin edhe mbi një Kryeministër të padorëhequr, e të blinduar me imunitete. Sot ulërin nevoja për një drejtësi jo të drunjtë, as të bakërt. Por të çeliktë. Dhe zjarri i Gërdecit është më ideali i mundshëm, për ta temperuar. Çdo e keqe ka, thuhet, një po aq të mirë pas. Gërdeci tragjik është e keqja që jep shans të bëhemi më në fund me DREJTESI. Ose ndryshe, të fshijmë përfundimisht buzët nga iluzioni për të.

Mirëpo asgjëkund nuk duken shenja inkurajimi për prokurorinë. Të gjithë vetëm thonë "e di ajo, ajo të zbardhë të vërtetën". Po ç‘të vërtetë, atë që do dalë nga kalkulimet e një organi të terrorizuar nga dhuna e përditshme e akuzës politike dhe të shpërfillur deri hiçasgjë, nga opinioni publik?! Nuk rezulton të jetë pakujdesi dhe as arsye parimi, lënia në punën e vet "të pavarur", pikërisht segmenti më kyç i zbardhjes së tragjedisë kriminale, që Gërdecin ka vetëm majë ajsbergu. Lënia e akuzës të konkludojë nën dhunë politike pushtetare dhe opozitare, është gati shpresë ogurzezë dhe shkas kriminal, që gallata e kushtueshme politike të zgjasë pafundësisht si një "Portokalli" tragjike në jetën e këtij vendi. Që palët karrigeshtrydhëse të pushtetit të luajnë stafetën e kusarisë gjakatare dhe fajin t‘ia lënë përjetësisht drejtësisë "së korruptuar". Dhe nëse, larg qoftë, ndodh kështu, nëse lejohet të ndodhë kështu, përpara asaj që na pret, Gërdeci është lule! Ndaj nevojitet me urgjencë të madhe rizgjimi i opinionit publik në mbrojtje dhe inkurajim të mbrojtësit të tij, DREJTESISE. Është i vdekur? Ndodh që edhe të vdekurit ngjallen. Dhe atëherë quhen Mesi! Edhe një popull i tërë mund dhe duhet të jetë Mesia e fateve të veta!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00