24 ore lajme: Komplimenti "Withers" dhe opozita e re Komplimenti "Withers" dhe opozita e re ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 30 March, 2008 07:16:00 Nuk mendoj se duhej kaluar vetëm me një kronikë televizive apo lajm të thatë gazete, ajo që ndodhi në "Sheraton" të premten, ku ambasadorë të NATO-s me ftesë të PS-së, filluan numërimin mbrapsht të anëtarësimit të shumëpritur të Shqipërisë. Ajo që ndodhi aty është në fakt një burim analizash, që me patjetër duhet t‘i bëjmë tani, por edhe nesër kur të kthejmë kokën pas, kur të kemi hyrë në NATO, kur të bëhen zgjedhjet e përgjithshme dhe kur të na duhet të analizojmë atë që sot me plot gojën e meriton të quhet opozita ndryshe e Edi Ramës. Përtej një komplimenti, që një ambasador i fuqishëm i bën Ramës, qëndron një e vërtetë e madhe, një konstatim kuptimplotë për erën e re që po fryn në politikën shqiptare. Le ta nisim me fjalimin e Edi Ramës edhe pse kanë rëndësi gati historike fjalime të tilla. Më shumë se oratoria apo elokuenca e liderit të opozitës, aq të domosdoshme për një politikan, ai fjalim është sipari i një politike tjetër, inspiruese, ku fjalët kanë rëndësi, por sidomos kur ato mbahen, kanë akoma më shumë rëndësi dhe kuptim. Më shumë se kushdo tjetër sot, Rama ka të drejtë të krenohet se po e mban fjalën e bërjes së një politike ndryshe, ose siç e ka sintetizuar vetë në atë fjalim, ai po tregon se di ta ndajë dhe ka vullnetin ta ndajë, tryezën e rëndësishme të brendshme politike shqiptare, nga ajo tryeza e madhe e të gjithëve, tryeza e Shqipërisë. Kjo lloj politike nuk ndodhi vetëm pas Gërdecit, por kishte filluar qysh para asaj tragjedie makabre. Filloi aty ku analistë, opinionbërës, dyshimtarë të përjetshëm dhe sidomos ata që aspirojnë të bëhen kryeministra dhe më e keqja, që mendojnë se e kanë me tapi këtë post, filluan akuzat për një kompromis Berisha-Rama. Kuptojeni njëherë e mirë: nuk është kompromis të punosh për reformat e Shqipërisë, ato jetiket që nuk u bënë kurrë, pikërisht për shkak të interesave të ngushta të atyre që kanë qenë deri dje në postin e lartpërmendur dhe që me të njëjtin mentalitet dhe arrogancë vazhdojnë të mendojnë vetëm për karrierë personale në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Karrierë që më shumë se kurrë sot po tregohet që ka lidhje vetëm me fuqinë e parave, duhet nënvizuar të pista, duhet nënvizuar gjithashtu se është një fuqi e madhe, pse jo vdekjeprurëse. Shpërthimi i Gërdecit është në thelb shpërthim i plagës së korrupsionit aq shumë të njohur në Shqipëri, po që deri dje kishte shkaktuar vetëm rrënim ekonomik të shqiptarëve, ndërsa sot është në statistikat e historisë sonë dhe me viktima reale, kufomat e të cilëve janë ende në kërkim. Post-Gërdeci ishte një test për opozitën, që ose do të rrënonte linjën e re të Ramës, ose do ta përforconte atë. "Rama u soll si burrë shteti", tha ambasadori amerikan dhe ky nuk është vetëm një kompliment që prezantuesi i shtetit më të fuqishëm në botë e bën thjesht i entuziazmuar nga një fjalim emocionues i Ramës, fjalim që u tregoi edhe njëherë ambasadorëve të botës, se rruga e Shqipërisë për në NATO ka kaluar përmes bunkerëve të komunizmit; ajo është dhe me pasoja të përgjakshme, ajo ka qenë një trajektore e vështirë, por ka ardhur dita tashmë ta lëmë pas të kaluarën dhe të shikojmë nga e ardhmja. Le të kuptohemi që në fillim: Anëtarësimet e Shqipërisë në organizata të rëndësishme ndërkombëtare nuk janë vetëm meritë e Shqipërisë. Së pari, ato janë rrjedhojë e ndryshimit të gjeopolitikës botërore dhe fatmirësisht historia kësaj radhe është në krahun tonë. Po jo pa bërë detyrat e shtëpisë, ku ka një rol thuajse të barabartë edhe pushteti, edhe opozita. Ky raport, kjo detyrë shtëpie e domosdoshme ishte një zgiq i një rrënimi më 15 mars 2008, kur kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit mbetën pa frymë nga një fatkeqësi me përmasa biblike. Ku zemërimi për foshnja, gra dhe burra të mbetur nën barut ishte më i furishëm se vetë lotët. Por a e përdori opozita keq politikisht një ngjarje të tillë tronditëse? Për të gjithë ata që mendojnë se "po", le të kujtohen se dikur kemi të shënuar në histori një datë, 14 shtator 1998. Kemi të shënuar një arkivol që thyente derën e Kryeministrisë. Sot janë 25 arkivole dhe të tjerë fatkeqësisht do të shtohen, po dera e Berishës nuk u thye. A mos vallë zemërimi i shqiptarëve për vrasjen e të ndjerit Azem Hajdari ishte më i madh se për viktimat e Gërdecit? Me gjithë dhimbjen për humbjen e një heroi të vërtetë të demokracisë shqiptare, unë them se "jo". Por etja e egërsuar e Berishës për pushtet ishte më e madhe se ai zemërim. Po aq e madhe është qetësia e Ramës sot për ta marrë pushtetin në mënyrë legjitime, pa dëmtuar interesat e atdheut dhe jo nën krisma armësh. Mendoj se zemërimi për Gërdecin është 25-fish më i madh, pse jo 3 milionëfish më i madh, sepse një popull i tërë ndihet i kërcënuar, prej vërteti, pasi i kanë marrë votën, pasi i kanë premtuar qeveri me duar të pastra, më shumë mirëqenie, punë e liri. Zhgënjimi është shumë i madh dhe tronditja fizike po kaq e madhe. Rama ishte në krye të një mase gjigante njerëzish, në një marshim homazh me qirinj, sa i dhimbshëm aq edhe civil, sa natyral aq edhe i jashtëzakonshëm për anët tona. Sa mendoni ju se kërkon që një marshim i tillë të kthehet në një luftë civile? Fare pak dhe historia jonë e 17 viteve të fundit e ka provuar këtë më shumë se njëherë. Kjo është arsyeja që Withers, pasi ka pritur, pse jo i frikësuar se ç‘do ndodhte pas Gërdecit, ka komplimentuar Ramën duke bërë me dije edhe njëherë politikën dhe qytetarët shqiptarë, se kjo është mënyra më e mirë e të bërit politikë, se ka marrë fund koha kur Shqipëria ishte një kokëçarje e madhe për botën, se kanë ardhur kohë të tjera, ku shqiptarët me një udhëheqje të re duhet të dinë si t‘i përballojnë fatkeqësitë si njerëz civilë dhe fisnikë, siç janë prej brezash, por dhe të nxjerrin mësimet e duhura, pasi drejtësia të ndëshkojë shkaktarët. Sa për ndëshkimin politik, edhe atë e ka brenda komplimenti "Withers". Ai tha se anëtarësimi në NATO nuk është pronë e një grupi të caktuar dhe të gjithë dimë të lexojmë nën rreshta e të nënkuptojmë pushtetin. Edhe herë të tjera jemi munduar të themi se çdo hap që Shqipëria bën para nuk është një meritë e vetme e pushtetit. Sot më tepër se kurrë kjo është e qartë si drita e diellit dhe u përforcua nga ambasadori amerikan. Kur Shqipëria firmoste MSA-në, Berisha dhe të tijtë të veshur me kostume balloje, as që lanë vend për të përgëzuar opozitën. Ata e fshinë nga fjalori faktin kuptimplotë se kushti kryesor pse Shqipëria firmosi, ishin zgjedhjet normale të organizuara nga opozita e tanishme dhe se ardhja e tyre në pushtet, sipas një rotacioni legjitim, ishte meritë e madhe e pushtetit të djeshëm. Por shpejtuan të rendisin se lufta e tyre ndaj korrupsionit bëri që Shqipëria të firmoste marrëveshjen evropiane. Në fakt, deri në ato momente ajo luftë ishte vetëm një perceptim i deklaruar me forcë nga Berisha. Sot korrupsioni dhe blofi i luftës ndaj tij, është një realitet. Ndodh ndonjëherë që të jesh me fat në politikë dhe vetëm për arsye rrethanash gjëra të mira ndodhin. Berisha kurrë nuk pranoi se thjesht i ra radha atij të ishte Kryeministër kur Shqipëria nënshkroi MSA-në, kur Kosova shpalli pavarësinë, kur vendi do të anëtarësohet në NATO. Me krenarinë e pashmangshme gjenetike dhe vetëmburrjen klasike të një "heroi mitik", Berisha nuk ka ngurruar t‘i marrë të gjitha të mirat mbi vete. Ja që nuk është kështu. Dhe fati, siç tregohet zemërgjerë në ca raste, ka edhe anën tjetër të medaljes në raste të tjera. Por kryesorja është që gjërat nuk duhen lënë në mëshirë të fatit. Sepse Gërdeci nuk është thjesht çështje fati. Shpesh sot dëgjohet të thuhet: "Sa i pafat ky Berisha, si i ndodhin atij të gjitha fatkeqësitë më tragjike të viteve postkomuniste?" Në fakt, nëse ndodh njëherë edhe mund të jetë rastësi, po kur ka një simetri rrëqethëse "over and over again", nuk është më as rastësi, as fat. Është paaftësi, është keqmenaxhim, është korrupsion dhe së fundi ndëshkim. Ky i fundit ishte një ndëshkim shumë i madh për shqiptarët, së pari për ata gërdecas që mezi mbanin veten me bukë. Është edhe një ndëshkim i madh për Berishën politikisht, është në fakt ndëshkimi që ka merituar prej kohësh. Withers tregoi hapur se Shqipëria po hyn në NATO, sepse politika ka filluar të ndryshojë, reformohet, mendojë për të mirën e atdheut përpara asaj personale. Kreditet për këto ia dha Ramës. Me plotësisht të drejtë.