24 ore lajme: Berisha akuzon median për manipulim me tragjedinë Berisha akuzon median për manipulim me tragjedinë ================================================================================ Fatos Ahmati on 19 March, 2008 03:27:00 Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër disa media vendase, të cilat sipas tij kanë manipuluar me tragjedinë e Gërdecit. Nga ana e tij kreu i PS Edi Rama ka mbrojtur pasqyrimin e kësaj ngjarjeje nga mediat shqiptare, ndërsa ka kërkuar sërisht dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Gjatë një mbledhjeje të qeverisë, kryeministri Berisha i ka quajtur disa media "mercenarë të segmenteve mafioze" si dhe gjuhën e përdorur prej tyre "cinike". Zoti Berisha tha se këto media kanë manipuluar e tragjedinë. Pas këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë kreu i opozitës socialiste Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp duke mbrojtur dhe vlerësuar median e pavarur, i ka cilësuar deklaratat e kryeministrit Berisha si imorale, ndërsa tragjedinë e Gërdecit si pasojë e korrupsionit të pashembullt qeveritar. Zoti Rama shfrytëzoi rastin të kërkonte sërisht dorëheqjen e kryeministrit. Deklaratat e sotme vijnë ndërsa mediat shqiptare po shkruajnë çdo ditë e më shumë për implikim të autoriteteve qeveritare dhe familjareve të tyre në afera biznesi të paligjshëm dhe që kanë kulmuar me tragjedinë e Gërdecit. Më 15 mars në fshatin Gërdec, 20 km në perëndim të Tiranës nga shpërthimi i mijëra tonë municioneve ushtarake, të paktën 17 persona kanë vdekur, pesë konsiderohen të zhdukur, qindra të tjerë janë plagosur, ndërsa dëmet materiale vlerësohen në dhjetra milionë euro.