24 ore lajme: Kryeministri Berisha njofton diten e sotme si Dite Zije Kombetare Kryeministri Berisha njofton diten e sotme si Dite Zije Kombetare ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 18 March, 2008 10:47:00 “Numri i viktimave deri tani arrin në 16, ndërkohë janë edhe 5 të zhdukur, kërkimi për të cilët vazhdon. Duke e konsideruar këtë një fatkeqësi kombëtare, Këshilli i Ministrave vendosi të shpallë, në nderim të këtyre viktimave, ditën e sotme ditë zie kombëtare. Në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje. Flamujt në institucionet shtetërore të ulen në gjysmë shtizë. Këshilli i ministrave ka vendosur që, përveç shpenzimeve të varrimit, t’u akordojë familjeve të viktimave edhe një fond prej 2 milion lekë. Pyetje: Zoti Kryeministër, mbrëmë ju deklaruat se do të ketë një operacion përfundimtar të shpëtim kërkimit, deri kur do të kërkohen trupat? Kryeministri: Kërkimi do të vazhdojë deri sa të gjenden edhe 5 të zhdukurit. Ne nuk mund të lëmë pa bërë çdo përpjekje për t’i gjetur ata, se kjo, për familjet e tyre, përbën një fatkeqësi të dyfishtë. Kërkimet vazhdojnë në zonën e kraterit. Pas kaq ditësh, shanset që ata të gjenden në ndonjë vendndodhje tjetër janë të pakta, ndonëse mundësia nuk përjashtohet. Është e kuptueshme që, nëse do të ndodheshin në vendndodhje të tjera, do të kishin marrë kontakte me familjarët e tyre. Ne do të vazhdojmë të gjithë kërkimet në zonën e shpërthimit, sikundër do të vazhdohet të kërkohet edhe nën rrënojat e banesave. Të dhënat që ne disponojmë janë këto që thashë më lart. Pyetje: Në Komisionin e Emergjencave Civile deklaruat se sot do të kishte një bilanc të dëmeve ekonomike dhe në fakt a do të ketë një bilanc të tillë? Kryeministri: Sot po punojnë 40 ekipe të vlerësimit të dëmit ekonomik. Dje, kanë funksionuar 10 grupe të tilla, që, me gjithë kohën jo aq të favorshme, kanë arritur të vlerësojnë rreth 410 banesa dhe objekte të tjera. Sot, funksionojnë 40 grupe, që është një numër jo i vogël dhe besoj se ato do të kryejnë një vëllim pune disa herë më të madh sesa dje, duke u përpjekur që vlerësimi të kompletohet në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë duhet të ketë vlerësues edhe nga pushteti vendor, ku, krahas grupeve që dërgohen nga Shtabi i Emergjencës, në to duhet të marrin pjesë edhe qytetarë me dijet e duhura nga bashkia e Vorës. Pyetje: A ka ndonjë shifër të saktë të punëtorëve që kanë qenë atë ditë në fabrikë, pasi në mediat ndërkombëtare qarkullojnë shifra marramendëse të viktimave, madje flitet për 70-80 viktima, ndërkohë që ju raportoni 16 viktima e 5 të zhdukur. A ka ndonjë mundësi që kjo shifër të jetë përtej kësaj? Kryeministri: Edhe një herë theksoj se ne po kërkojmë edhe 5 të zhdukur të tjerë. Se çfarë shkruajnë mediat është çështja e tyre, por ne kemi dhënë informacionet më të sakta të periudhës në të cilën janë bërë njoftimet. Sot mungojnë nga lista e të zhdukurve 5 persona. Lista ishte me 13 të zhdukur, ndër të cilët 3 u gjetën gjallë në vende të ndryshme dhe 4 viktima. Sot është gjetur një tjetër viktimë. Të paktën nga të gjitha njoftimet e deritanishme janë vetëm këto. Pyetje: Zoti Kryeministër, banorët kanë kërkuar edhe heqjen e depozitave të gazit që i shohin si rrezik potencial për jetën e tyre. A do të merret ndonjë masë? Kryeministri: Shqipëria është vend i lirë. Ne përpiqemi të ndihmojmë njerëzit në fatkeqësi e do të bëjmë çdo përpjekje për t’u lehtësuar fatkeqësinë. Ata që duan të bëjnë politikë, apo të ndjekin thirrjet e eksponentëve të caktuar të opozitës, janë të lirë, sepse ky është një vend i lirë. Për sa i përket depozitave, do të shqyrtohen të gjitha kondicionet dhe çdo gjë që do të jetë jashtë tyre do të rivendoset, mbi bazën e ligjit, në kondicione. Nuk dua të bëj këtu detyrën e Inspektoratit Shtetëror, por ai do të marrë porosi të prera jo vetëm për Vorën, por për të gjitha vendndodhjet që duhet të jenë në përputhje me standardet.