Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha
Jam para jush për t’ju informuar mbi situatën e ditës sotme.
Në spitale ndodhen 57 të sëmurë. Në tërësi të shtruarit në spital nuk janë në rrezik për jetën, por 8 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe presin të nisen për kurim në Itali. Për shkak të një defekti në avion u shty nisja e tyre dhe pritet që të nisen. 5 të sëmurë janë nisur për në Greqi dhe 4 të tjerë janë nisur mbrëmë për në Itali. Në spitale nuk mungon asgjë për mjekimin e tyre. Unë vizitova të sëmurët në spitalin Ushtarak dhe në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe gjeta tek mjekët një gatishmëri të plotë dhe të gjithë mjetet e duhura për trajtimin e të sëmurëve.
Së dyti, thellohet bilanci i viktimave. Sot, gjatë operacionit të kërkim shpëtimit në vendin ku ka qenë fabrika janë gjetur trupat e tre punonjësve të tjerë. Në rrënojat e shtëpisë, e cila ka qenë më afër me të, është gjetur edhe trupi i një gruaje të vdekur.
Njësitë e ushtrisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë RENEA ndodhen tani në zonën e kraterit, ku ka ndodhur shpëtimi dhe po kërkojnë për viktima të tjera. Nga apeli i bërë, bazuar në listën që përgjegjësi i turnit të fabrikës ka dorëzuar pranë Shtabit të Emergjencës, mungojnë 9 persona. Nuk është e qartë nëse 6 trupat e paidentifikuar janë apo jo të këtyre personave. Unë takova 4 familjarë, të cilët kërkonin njerëzit e tyre, dy prej të cilëve ishin në listën e të humburve, ndërsa dy të tjerë nuk ndodheshin në listën e të humburve. Po bëhen verifikimet e mëtejshme.
Zëvendëskryeministri Oketa, i cili kryeson Komisionin Ndërministror të Emergjencës, është instaluar në Vorë dhe së bashku me autoritetet vendore po ndjekin të gjitha operacionet që zhvillohen në zonën e fatkeqësisë. Përveç qindra forcave të angazhuara në operacionin e shpëtim shpëtimit, janë edhe 500 forca të tjera të specializuara, të cilat po merren me pastrimin e zonës nga predhat e pashpërthyera që janë shpërndarë në zonën e fatkeqësisë.
Shtabi i Emergjencës ka bërë një bilanc paraprak të dëmit material, i cili është shumë i madh. Janë 318 shtëpi të rrënuara tërësisht. Unë vizitova disa prej tyre në fshatin më të goditur. 188 të tjera janë me dëmtime të rënda, mbi 200 me dëmtime të mesme dhe 1600 me dëmtime të lehta. Objektet janë shtëpi banimi, biznese dhe fabrika. Shkatërrimet kanë qenë shumë të mëdha në fshatin Gërdec dhe në fshatrat përreth.
Autoritetet vendore, kryetari dhe Këshilli Bashkiak i Vorës, kryetari i Qarkut dhe prefekti janë të gjithë të instaluar në Shtabin e Vorës dhe po ndjekin situatën.
Në të gjithë këtë përpjekje, problem të veçantë përbëjnë ata që nuk kanë strehë. Unë vizitova banorët e vendosur në dy konvalishencat, në Durrës. Ata kishin aty një kujdes të plotë njerëzor, mjekësor dhe të gjithanshëm. Unë ftoj të gjithë banorët e atyre zonave, të cilët mund të jenë të vendosur tek familjarë e të afërm të tyre, të paraqiten më mirë në ambientet e strehimit Durrës, sepse aty u garantohen të gjitha llojet e shërbimit që ata kanë nevojë, për të kapërcyer këtë traumë të madhe që kanë përjetuar.
Gjithashtu ka një solidaritet të madh qytetar. Janë të shumtë qytetarët dhe bizneset që duan të kontribuojnë me të gjitha mënyrat për të ndihmuar zonën e fatkeqësisë. Ne u jemi shumë mirënjohës. Shtabi i Emergjencës do të publikojë një numër llogarie, ku kushdo mund të japë kontributin e tij.
Në zonën e rrezikut, krahas njësive tona dhe bashkë me ta punojnë për çminimin njësi amerikane dhe së shpejti do të bashkohen me ta edhe njësi daneze dhe norvegjeze, të cilave u shpreh falënderimet. Sërish solidaritet dhe ndihmë kanë ofruar qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila pret nga Shtabi i Emergjencës kërkesat, nga Franca që ka përgatitur dy avionë për t’i nisur, Gjermania, Italia, e cila ka marrë dhe po transporton një pjesë të të sëmurëve rëndë, si edhe në ndihma mjekësore, po kështu nga Greqia që ka tërhequr për kurim 5 të sëmurë, Turqia, Danimarka, Norvegjia, Spanja, Zvicra, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shumë vende të tjera, organizata ndërkombëtare e biznese të mëdha, të cilëve ne u jemi shumë mirënjohës.
Pyetja: Zoti Kryeministër, si është situata për sa i përket rezervave të gjakut në spitale?
Kryeministri: Dje, me qindra e qindra qytetarë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, kanë dhuruar gjak për të ndihmuar të plagosurit. Gjithashtu qeveria greke ka ofruar 180 mijë njësi gjaku. Nuk ka asnjë mungesë në asnjë lloj medikamenti.
Pyetje: Cila është përgjegjësia e Ministrisë së Mbrojtjes, duke pasur parasysh se kjo përgjegjësi është e përcaktuar në vendimin nr. 135, datë 14 mars 2007?
Kryeministri: Unë e theksova edhe dje, se një hetim i plotë i kësaj katastrofe ka nisur tashmë nga prokuroria e vendit. Çdo dokument që i nevojitet asaj për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë, do t’i bëhet disponibël, sapo ajo t’i kërkojë. Mendoj se u takon autoriteteve përkatëse të hetojnë dhe të bëjnë publike hetimin e tyre. Theksoj edhe njëherë se veprimtaria ka qenë tërësisht private. Ministria e Mbrojtjes ka pasur vetëm një detyrë: transportin e materialit tek fabrika. Për çdo problem tjetër, do të jetë institucioni i akuzës që do të nxjerrë të gjitha përgjigjet.
Pyetje: Zoti Kryeministër, i kujt ka qenë vendimi për të ngritur një fabrikë çmontimi në një zonë të banuar, shumë afër aeroportit, shumë pranë autostradës dhe shumë pranë kryeqytetit? A keni pasur ju sinjale apo informacione nga ministri i Mbrojtjes apo banorë të zonës, të cilët sot janë shprehur se e kanë informuar herë pas here Ministrinë e Mbrojtjes për atë që ndodh aty? Ka pasur të punësuar fëmijë, gra që punonin në të zezë në këtë fabrikë?
Kryeministri: Informacioni që unë kam është se vendndodhja ka qenë repart ushtarak. Përzgjedhja dhe përcaktimi është bërë nga kompania, së bashku me autoritetet respektive shqiptare. Nuk kam asnjë të dhënë se ka pasur fëmijë të punësuar, nga lista zyrtare që disponojmë. Për sa i përket asaj ju që thoni, në ka punëtorë që punojnë në të zezë, këtë gjë unë nuk e përjashtoj absolutisht. Madje siç e dini, punëtorët që punojnë në të zezë në Shqipëri i gjen rëndom, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme tonat për ta luftuar informalitetit. Ne kemi marrë një seri masash për të luftuar informalitetin.
Pyetje: Drejtues të firmës amerikane janë shprehur se kontrata e tyre ka përfunduar në 7 dhjetor 2007. Cila ka qenë firma shqiptare nën kontraktuese dhe pas përfundimit të misionit amerikan, a ka pasur kontrolle nga Inspektorati i Punës për punëtorët, apo kontrolle të tjera të domosdoshme?
Kryeministri: Për sa i përket problemit të kontratës, pasi e dëgjova këtë gjë dhe pas verifikimit më raportohet nga ministria se kjo është absolutisht e pa vërtetë, sepse pronari i fabrikës ka bërë kërkesë zyrtare për zgjatjen e kontratës dhe ka ardhur direkt nga vendi i tij për të firmosur kontratën e shtyrjes. Pra, sipas autoriteteve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, kjo është absolutisht e pavërtetë. Ka qenë një kontratë e rregullt me kompaninë amerikane.
Lidhur me firmën shqiptare nën kontraktuese, do të hetohet. Por a është firmë nën kontraktuese, apo janë punëtorë, të cilët i ka trajnuar kompania e huaj, kjo do të sqarohet. Në çdo rast, qoftë kontraktorë, qoftë të punësuar, trajnimi i tyre ka qenë një detyrim i kompanisë së profilizuar në çmontimin e armatimeve. Sipas deklarimeve, trajnimi i punëtorëve është bërë, por, nëse është bëri trajnimi i të gjithë punëtorëve, kjo mbetet çështje hetimi dhe do të hetohet.
Pyetje: Ju paraqitët një bilanc të dëmeve, por a ka një plan veprimi për t’i riparuar ato sa më parë, duke pasur parasysh që të pastrehët janë të shumë. A përbën rrezik kjo zonë?
Kryeministri: Po shkojnë paralelisht dy operacione, ai i shpëtim – kërkimit dhe operacioni i çminimit apo i pastrimit të zonës. Të dy operacionet janë shumë të rëndësishëm. Është rikthyer energjia në Marikaj, po rikthehet energjia në Marqinet, nuk rikthehet dot në fshatin e fatkeqësisë, sepse postblloku nuk lejon, për shkak të rrezikut që ka zona, që punonjësit e KESH-it të punojnë në atë zonë. Sapo të pastrohet zona, qeveria do të marrë të gjitha vendimet ligjore për zonën e fatkeqësisë, që do të thotë që shteti do të marrë përsipër të gjithë kapërcimin e pasojave të saj.
Pyetje: Ngjarja që ndodhi dje, a është një arsye që Shqipëria të mos e marrë ftesën për anëtarësim në NATO?
Kryeministri: Unë nuk mendoj se një aksident, i cili, për fat të keq, ka ndodhur dhe në vende të zhvilluara, të pengojë ftesën për anëtarësim. Aleanca e Atlantikut të Veriut e di se Shqipëria ka një problem shumë serioz me municionin kolosal dhe të vjetruar që disponon dhe është duke na ndihmuar aktivisht.
Vetëm gjatë pranverës dhe verës që kaloi ne kemi shkatërruar me mijëra e mijëra ton silurë, mina detare e armatime të tjera, me të cilat bregu shqiptar ishte pothuajse i minuar me to. I kemi shkatërruar ato në Karaburun, megjithëse banorët nuk ishin fare të kënaqur me këtë gjë, por ne nuk kishim alternative tjetër. Ne jemi në një proces shkatërrimi sa më të shpejtë të mbi 100 mijë ton eksploziv. Ato që shkatërruam ishin eksplozivë detare, tmerrësisht të rrezikshëm. Ndërkohë po bëjmë në mënyrë të pandërprerë çmontim në Poliçan. Qeveria amerikane akordoi për çmontim 42 milionë dollarë dhe 4 milionë të tjera i dha për çmontimin dhe shkatërrimin e municioneve të minave detare. Me gjithë këto që janë shkatërruar, janë mbi 100 mijë ton municione të tjera të vjetra, ruse, kineze, që duhet të shkatërrohen.
Një nga rrugët kryesore të shkatërrimit të municioneve është çmontimi i tyre. Ne kemi pasur dy aksidente në këtë drejtim. Unë mendoj se ne nuk duhet të merremi më me çmontimin e këtij materiali, ka mënyra të tjera, njëra prej të cilave është djegia e hapur, tjetra është eksplodimi. Por edhe këto rrugë kanë rreziqe, sepse kërkojnë transport. Nuk mund t’i eksplodosh dot këto materiale, as t’i djegësh aty ku janë, por duhet të përzgjidhen gropa të thella dhe sa më larg zonave të banuara. Kështu që, ne do të studiojmë, me ekspertë të huaj, këto mundësi. Ne kemi edhe ndihmën e vendeve mike, ndihmën e NATO-s. Me projektet e NATO-s ndërkohë vazhdon çmontimi në Gramsh. Janë disa projekte çmontimi që zhvillohen në Shqipëri.
Për aksidentin e ndodhur, hetimi do të tregojë se cili ishte shkaku i thellë. Por një shkak që mund të lidhet me veteksplodimin për shkak të vjetërsisë së materialit, përbën të domosdoshme largimin e tyre. Askush nuk mund ta dijë se cila prej tyre do të veteksplodojë. Duhet të drejtohemi tek mënyra të tjera të shkatërrimit sa më të shpejtë të këtij materiali, që është një material jashtë përdorimit, nuk është pjesë e municioneve dhe armatimit që i duhet ushtrisë shqiptare. Por likuidimi i tij është një problem jashtëzakonisht madhor.
Pyetje: Kush po e mbikëqyr procesin e sigurimit të çmilitarizimit. Ju thatë se Ministra e Mbrojtjes ka për detyrë vetëm transportin, ndërkohë që municionet janë në varësi të saj. Pse zoti Mediu nuk del përballë medieve të shpjegojë këto akuza që janë hedhur për këtë çështje?
Kryeministri: Në Gërdec, çmontimin e bënte kompania private “Southern Ammunition Company” dhe të gjithë ju mund të shihni kontratën. Në Poliçan, çmontimin e bën Ministria e Mbrojtjes. Por si çmontimi që bëhet në Poliçan, edhe çmontimi që bëhej nga kjo firmë, me këto ritme do të duheshin 10 vjet që të përfundonte. Mendoj se ju, publiku, ka pasur nevojë për një transparencë të plotë dypalëshe dhe kjo transparencë është bërë. Nëse ju doni të bëhen publike kontratat, ato do të bëhen, sepse nuk ka asnjë lloj sekreti në to. Unë do t’i kërkoj Ministrisë së Mbrojtjes t’ua dorëzojë medieve sa më shpejt.
Pyetje: A është e vërtetë ajo që shkruhet në shtypin e ditës se fillimisht ju nuk keni pranuar si qeveri kontraktimin e kompanisë në fjalë dhe është dashur një tjetër formulim për këtë kontratë, për të marrë më pas miratimin e Këshillit të Ministrave?
Kryeministri: Në procesin e çmontimit ka dy rrugë. Një nga rrugët është të paguash paratë dhe të çmontosh, paratë tona dhe të vendeve mike, ku mund të jenë paguar për çmontim rreth 60 milionë dollarë apo më shumë, por mbetjet e çmontimit mbeten të vendit. Një rrugë tjetër është me outsource, domethënë t’ia shesësh të gjithë materialin, me kusht çmontimin, kompanive të profilizuara, që nuk janë të pakta dhe këto kompani japin një shumë të caktuar për gjithë materialin që ato marrin. Në këtë rast, është ndjekur rruga e dytë. Nuk ka pasur asnjë problem parimor për këtë, mund të ketë pasur ndonjë çështje teknike, të cilën nuk e mbaj mend, por e theksoj s’ka pasur asnjë problem parimor. Rruga e dytë, për ne që i kemi fondet e limituara, do të ishte më e përshtatshme, nëse municioni nuk do ishte ky që është. Edhe në rastin e fatkeqësisë në Dhëmblan, nuk ishte duke punuar një kompani private, por ishin punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është një praktikë ndërkombëtare shumë e njohur.
Pyetje: Zoti Kryeministër, sipas kësaj rruge të zgjedhur, materialet për çmontim ia keni kaluar kompanisë në fjalë dhe sa ka përfituar shteti shqiptar?
Kryeministri: Nëse çmontimin e bën vet, si në rastin e Poliçanit, materialin e përfitojmë ne dhe e shesim me ankand. Në këtë proces, shpenzimet, nëse marrim parasysh donacionet dhe paratë e buxhetit tonë, janë mbi 60 milionë dollarë. Ky është një proces i gjatë që vazhdon. Ndërsa në rastin e dhënies së tyre kompanive private, këto të fundit paguajnë diçka për materialin, por nuk të japin asgjë, e marrin vet materialin. E vërteta është që ligji i parë dhe më kryesor është të çlirohemi sa më parë nga ky material. Ky është imperativi ynë më kryesor. Ne kemi kërkuar edhe kompani të tjera për çmontim, nëse ato vinin me këtë mënyrë kontraktimi, sepse ne nuk kemi një buxhet kaq të madh për të çmontuar vetë.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
| 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
| 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
| 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
| 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj