Kryeministri Berisha viziton në spital të lënduarit nga shpërthimi i municioneve në fshatin Gërdec
Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë të lënduarit e shkaktuar nga shpërthimi i municioneve në fshatin Gërdec, në afërsi të Vorës, të cilët ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Duke e cilësuar këtë ngjarje si tepër të rëndë, Kryeministri është shprehur se qeveria është e angazhuar maksimalisht për të dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme për lehtësimin e situatës dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje.
“Ne po e kontrollojmë situatën dhe jemi në kontakt me të dërguarit e qeverisë në vendngjarje. Unë isha në Spitalin Ushtarak pak më parë, atje janë qindra të plagosur por vetëm katër prej tyre janë shumë rëndë. Edhe këtu, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dy prej të lënduarve janë më rëndë. U kërkova mjekëve të bëjnë një bilanc dhe ne jemi të gatshëm, në çdo lloj rasti, të japim të gjithë ndihmën që do të nevojitet”, u shpreh Kryeministri duke përsëritur dhe një herë se Qeveria është e gatshme të japë çdo lloj ndihme.
“Informacion të saktë për në vendngjarja ende nuk kemi por të dhënat paraprake janë jashtëzakonisht të rënda. Forca të ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Brendshme dhe të gjithë strukturat e qeverisë ndodhen në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të nxjerrë viktimat. Në depo, punonjësit e kompanisë së kontraktuar kanë qenë në proces të çmontimit të municioneve”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu përgjigjur interesit të medies, Kryeministri u shpreh se në vendngjarje mund të ketë një numër të konsiderueshëm viktimash.
Më tej, Kryeministri tha, i pyetur nga mediet, se kryeqyteti nuk është i rrezikuar nga këto shpërthime.
I pyetur nëse në depo ka patur oficerë, Kryeministri tha se “mund të ketë patur oficerë të kontraktuar nga kompania pasi ky proces ka qenë tërësisht aktivitet privat i kësaj kompanie”.
Kryeministri Berisha u shpreh se problemi i municioneve është një nga problemet më të rënda për vendin dhe që përbën një rrezik shumë serioz.
“Problemi i municioneve në Shqipëri është një problemet më të rënda që kemi. Ka një sasi kolosale municionesh, që nga viti 1945 e më pas. Një nga mënyrat për asgjësimin e tyre është çmontim por në çmontim, siç e dini dhe ju, ky është aksidenti i dytë shumë i rëndë që ka ndodhur. Në çmontim unë nuk mohoj gabimet njerëzore por vetë vjetrimi i të gjithë mekanizmit të tyre i bën këto municionet të shpërthyeshëm.
Ky është një problem shumë serioz dhe për fatin e keq depot janë të shpërndara në mbarë vendin. Ne po diskutojmë edhe me ekspertë të huaj në mënyrë që të mund t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj sasie kolosale të municionit, e cila përbën një rrezik serioz”, u shpreh Kryeministri Berisha.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (2 vendosur):
Vendosni komentin tuaj