24 ore lajme: Kryeministri Berisha: Është i domosdoshëm hartimi i një plan veprimi për çështjet e mjedisit në kryeqytet Kryeministri Berisha: Është i domosdoshëm hartimi i një plan veprimi për çështjet e mjedisit në kryeqytet ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 12 March, 2008 10:28:00 Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se është e domosdoshme që, së bashku me autoritetet vendore, me shoqërinë civile, me ministrinë përkatëse, të hartohet një plan veprimi për të shëruar problemet e mjedisit në Tiranë. Kryeministri vuri në dukje se gjendja e mjedisit është më problematike në kryeqytet dhe për përmirësimin e situatës është i nevojshëm hartimi i një plani konkret veprimi. “Në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, me organizatat e shoqërisë civile, duhet të ulemi dhe të bëjmë një plan për kryeqytetin, sepse gjendja e mjedisit në kryeqytet është e kundërta e gjendjes në të cilën është vendi në tërësi, edhe pse në Tiranë jetojnë mbi gjysmë milioni qytetarë”, u shpreh Kryeministri. Duke nënvizuar faktin se shërimi i mjedisit në Tiranë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, Kryeministri theksoi se duhet të parashikohen rrugët e biçikletave, korsitë e tyre, të nxitet përdorimi i tyre nga qytetarët, në mënyrë që të dekurajohet disi përdorimi abuziv i makinave. “Tirana në këto momente e ka shumë të nevojshme një plan veprimi me detyra të ndara për qeverinë, bashkinë, etj, në mënyrë që të përmirësojmë mjedisin për qytetarët e kryeqytetit”, tha Kryeministri. Duke folur për objektivat e përcaktuara nga qeveria në Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim, Kryeministri Berisha tha se në këtë strategji mjedisi gjen një nga mishërimet më kryesore. “Qeveria është e vendosur të marrë çdo vendim për mbrojtjen e mjedisit, por me kushtin që të bazohet në standarde, pasi vlerësimi i mjedisit bëhet vetëm mbi standarde”, u shpreh Kryeministri. Në funksion të këtij objektivi, vijoi Kryeministri, qeveria përgjysmoi edhe kapacitetin e hidrocentralit të Ashtës. Kryeministri theksoi se në çështjet e mjedisit vendi ynë ka arritur një pozicion shumë të lakmueshëm dhe mbetet një detyrë e rëndësishme konsolidimi dhe përmirësimi i këtij pozicion, edhe pse nuk është e lehtë.