24 ore lajme: Kryeministri Berisha: Procesi i negociatave për lëvizjen e lirë, dëshmi e ndryshimit të Shqipërisë Kryeministri Berisha: Procesi i negociatave për lëvizjen e lirë, dëshmi e ndryshimit të Shqipërisë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 10 March, 2008 05:03:00 Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Kryeministri Berisha vlerësoi fillimin e procesit të negociatave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë ne hapësirën e BE-së, si mesazhin e madh të besimit që vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian i sollën Shqipërisë në 7 mars. “ Mendoj se ky mesazh përbën dëshminë më spektakolare, së pari, të ndryshimit të këtij vendi nëpërmjet reformave dhe së dyti të një kthese dhe ndryshimi të qartë të besimit tek Shqipëria, shqiptarët, demokracia, nga vendet anëtare të BE”, u shpreh Kryeministri. Duke e vlerësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si lirinë më themelore, pas lirisë së fjalës, besimit dhe iniciativës së lirë, Kryeministri u shpreh se me ketë proces, kjo liri merr dimensione të reja në hapësirën e BE-së. “Nga një liri e kushtëzuar në 28 mijë km katrorë,liria e lëvizjes së lirë të qytetarëve, ridimensionohet në një liri, në miliona e miliona km katrorë, në hapësirën e pafundme të BE-së, gjë e cila bën që shqiptarët të ndihen më evropianë se kurrë.” tha Kryeministri. Kryeministri theksoi se ky proces i rëndësishëm bën që shqiptarët të kenë hapësira shumë më të mëdha se sa aktualisht për të komunikuar, shkëmbyer përvojë, studiuar, si dhe për tu takuar me njerëzit e tyre të dashur. Duke theksuar se ky moment historik për shqiptarët, është fryt i rezultateve konkrete të reformave, Kryeministri nënvizoi se lufta kundër korrupsionit, si dhe lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar ishin vendimtare, në ndryshimin e imazhit të mëparshëm të Shqipërisë nga një vend eksportues, krimi dhe rreziqesh, në vend eksportues sigurie për fqinjët. Kryeministri siguroi se qeveria do të përmbushë me seriozitet të gjitha detyrimet e saj në procesin e negociatave për lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke e vendosur këtë çështje si një nga përparësitë më themelore. “Dua tu garantoj se asgjë, nuk trajtojmë më shpesh sesa përmbushjen e këtyre detyrimeve, si prodhimin e kartave të identitetit të teknologjisë më të avancuar dhe më të sigurtë, prodhimin e pasaportave digjitale të teknologjisë më të mirë, sigurimin dhe kontrollin e integruar të kufijve, luftën me zero tolerancë kundër krimit, etj. Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje që Shqipëria të jetë një vend i sigurtë, për qytetarët e saj dhe ata evropianë.