Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përcjelljes së dy kontingjenteve të paqeruajtësve shqiptarë në Irak dhe Afganistan
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit të 11-të paqeruajtës të regjimentit Komando në Irak dhe të kontingjentit të 12-të të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Afganistan. Në ceremoninë ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare (FASH), Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, ushtarakë të lartë, familjarë të ushtarakëve në mision.
Duke i uruar paqeruajtësit për misionin dhe siguruar se qeveria do t’i mbështesë fuqimisht në përmbushjen me sukses të tij, Kryeministri Berisha u shpreh se ata nisen në një mision në ruajtje të paqes dhe mbrojtje të vlerave të lirisë në dy vende mike.
“Dëshiroj të shpreh gëzimin e krenarinë time, të qeverisë dhe të shqiptarëve në tërësi për ju, familjet tuaja dhe misionin e madh për të cilin ju largoheni sot nga Shqipëria. Ky mision, që mbush me krenari çdo shqiptar, është mision në ruajtje të paqes dhe në mbrojtje të vlerave të mëdha të lirisë, në dy vende dhe kombe mike, të cilat u ndanë nga regjime teokratike dhe terroriste dhe duan të ndërtojnë lirinë, demokracinë dhe vlerat e saj në Afganistan dhe Irak.”
Duke nënvizuar se Forcat e Armatosura Shqiptare tashmë po konsolidojnë një traditë në misionet paqeruajtëse, Kryeministri i cilësoi paqeruajtësit si ambasadorët më të shkëlqyer të vendit, që kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
“Ju shkoni në këto vende për të zëvendësuar kontingjentet e mëparshme, shkoni në konsolidim të një tradite të shkëlqyer që Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Turqisë, kanë krijuar gjatë këtyre viteve. Me qëndrimin, aftësitë dhe përkushtimin tuaj ju keni fituar respektin, dashurinë dhe simpatinë e ushtarakëve amerikanë, turq dhe ushtarakëve të vendeve të tjera aleate dhe partnere, popullit mik e qeverisë së Afganistanit dhe Irakut. Ju jeni shndërruar në ambasadorë të shkëlqyer të vendit dhe keni luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u integruar në NATO, jeni shndërruar në një faktor kryesor të këtyre përpjekjeve.”
Kryeministri theksoi se qeveria do t’i japë mbështetje të fortë shndërrimit të FASH-ve në një Forcë tërësisht profesioniste, brenda vitit 2010 dhe të respektuar në gjirin e Aleancës.
“Ne do t’i japim mbështetje të fuqishme Forcave tona të Armatosura që brenda vitit 2010 ato të jenë tërësisht profesionale, të afta të shpalosen në njësi edhe më të mëdha, aty ku NATO dhe SHBA-të do të jenë. Duke bashkëpunuar në Irak dhe Afganistan me dy ndër ushtritë më të shkëlqyera të globit, ju fitoni një eksperiencë të madhe, e cila, së bashku me trashëgiminë pozitive të luftëtarëve shqiptarëve që fillon nga Kruja dhe para saj, vazhdon me luftën çlirimtare të shqiptarëve, do t’u bëjë ju një nga ushtritë më të afta dhe të respektuara në gjirin e Aleancës. Ju uroj faqe të bardhë në misionin tuaj dhe uroj me gjithë zemër që kur të ktheheni në atdhe ta gjeni Shqipërinë një vend të ftuar për anëtarësim në NATO.”
Paqeruajtësit shqiptarë u përshëndetën edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Uidhers.
Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar komandove të kontingjentit të 11-të në Irak dhe ministri Mediu kontingjentit të 12-të në Afganistan.
Më pas, Kryeministri u përshëndet me komandot, familjarë dhe të afërm të tyre.
Kontingjenti i i11-të paqeruajtës, i cili përbëhet nga efektiva të një kompanie të Regjimentit Komando, do të kryejë detyra në kuadër të misionit “Liria e Irakut” në Mosul, duke vepruar me trupat amerikane në këtë mision.
Kontingjenti i 12-të paqeruajtës, në përbërje të të cilit janë efektiva të një toge të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, do të kryejë detyra në kuadër të misionit “ISAF” të NATO-s në Kabul, duke bashkëvepruar me trupat turke, pjesëmarrëse në këtë mision.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
| 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
| 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
| 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
| 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj