Kryeministri Berisha takon një grup mësuesish me rastin e Ditës së 7 Marsit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup mësuesesh dhe mësuesish të shkollave të Tiranës me rastin e Ditës së 7 Marsit.
Me këtë rast Kryeministri Berisha u uroi mësuesve në të gjithë vendin ditën e 7 Marsit, ditën e madhe të dijes.
Kryeministri theksoi se shpërndarja e internetit në shkolla do të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa nënvizoi se synimi i parë i qeverisë për dyfishimin e buxhetit për arsimin, ishte ndryshimi i gjendjes së vështirë në të cilën ata punonin.
Duke vlerësuar rolin e mësuesve, Kryeministri Berisha theksoi se ata janë njerëzit më të rëndësishëm jashtë familjes, për fëmijët tanë.
Më tej Kryeministri nënvizoi se për zhvillimin e arsimit nevojitet një pakt kombëtar.
“Çrrënjosja e korrupsionit vjen mbi të gjitha nga ju sepse ju i edukoni fëmijët tanë me luftën kundër këtij fenomeni, e cila është pjesë e kulturës europiane”, theksoi Kryeministri Berisha.
Gjithashtu Kryeministri e vuri theksin në domosdoshmërinë e trajnimeve dhe kualiffikimeve të stafit pedagogjik me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
Lidhur me numrin e nxënësve në klasa, Kryeministri Berisha tha se qeveria po punon për të mos pasur më shumë se 30 nxënës për klasë.
Nga ana e tyre mësuesit u shprehën se zbatimi i reformës në arsim, e cila ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të tyre, është i prekshëm dhe shprehën besimin se qeveria do të mbajë premtimet për thellimin e reformës në arsim.
“Unë u takova me një grup mësuesesh dhe mësuesish të shkollave të Tiranës. I ftova për t`iu uruar përzemërsisht 7 Marsin këtë ditë të madhe të dijes, këtë ditë të madhe të shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri pas takimit me grupin e mësuesve të shkollave të Tiranës.
Duke evidentuar vendosmërinë e qeverisë për dyfishimin e buxhetit për arsimin, Kryeministri Berisha vlerësoi se detyra e mësuesit është një mision i madh, misioni i dijes, formimit dhe edukimit.
“E ftova këtë grup mësuesesh dhe mësuesish në zyrën time për t`u dhënë zotimin se qeveria ka vlerësimin më të madh për misionin e tyre”, tha Kryeministri.
Në këtë kontekst, vijoi më tej Kryeministri Berisha, për qeverinë çdo investim për arsimin është investimi më i mirë për ta, pasi nga përkushtimi i këtyre mësuesve dhe mbarë mësuesve të Shqipërisë, më shumë se çdo gjë tjetër varet e ardhmja e këtij vendi, aq sa do të përcaktojë brezat në formimin e tyre, ndërtimin e të ardhmes së tyre dhe të vendit të tyre.
“Qeveria po ecën drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin. Qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të rritur cilësinë e arsimit, por u është shumë mirënjohës mësuesve dhe të gjithë pedagogëve të universiteteve për përkushtimin e madh që tregojnë në përmbushjen e detyrës së tyre fisnike. Edhe njëherë shfrytëzoj rastin t`ju uroj gëzuar këtë ditë, në të cilën ne festojmë garën e dijes, nderojmë mësuesit, misionarët e kësaj gare”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Nje ish mesues qe e kujton kete dite nga diaspora- Kanadaja.
Vendosni komentin tuaj