24 ore lajme: Kryeministri Berisha fton biznesin hungarez të investojë në Shqipëri Kryeministri Berisha fton biznesin hungarez të investojë në Shqipëri ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 04 March, 2008 11:53:00 Kryeministri Berisha mori pjesë në një mëngjes pune, të organizuar nga Agjencia Hungareze për Investimet dhe Tregtinë (ITD Hungary), ku ishin të pranishëm drejtues të kompanive të mëdha hungareze, përfaqësues të korporatave bankare, të medias, miq të Shqipërisë etj.. Në prezantimin e tij, Kryeministri u ndal gjerësisht në reformat ekonomike dhe fiskale si reduktimi i procedurave burokratike për biznesin, krijimi i “One Stop Shop”, krijimi i një baze ligjore të standardeve evropiane për investimet, ulja e taksave, që e ka bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, digjitalizimi i procedurave me aplikimin e e-taksave, e-doganave, e-prokurimeve etj., në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit, informalitetit dhe krimit të organizuar, që ka sjellë rezultate të prekshme. Shqipëria, - tha Kryeministri - është një vend dinamik, me rritje ekonomike 6 për qind dhe me një shkallë kreditimi të ekonomisë ndër më të lartat. Këto rezultate dëshmohen edhe nga rritja e investimeve të huaja në vend. Kryeministri Berisha i njohu biznesmenët hungarezë edhe me nismën “Shqipëria një euro”, e cila krijon hapësira të mëdha për investitorët e huaj. Shqipëria, - tha Kryeministri - paraqet potenciale të mëdha në shumë fusha, sikundër ofron tregun më të favorshëm, më të ri, dinamik e me koston më të ulët të punës në Europë, duke u shndërruar atë në një vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj. Ndër fushat me interes për të investuar në vendin tonë, Kryeministri përmendi turizmin, që, me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar, ofron mundësi të jashtëzakonshme, sektori i energjisë, si një vend me burime të shumta hidrike, fusha e shfrytëzimit të mineraleve, ku Shqipëria është e pasur në krom, baokside, nikel etj.. Kryeministri theksoi se vëmendje e veçantë i kushtohet edhe zhvillimit të korridoreve rrugore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë, Shqipërinë me Kosovën e më tej, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Bashkëpunimi për projektet rajonale rrugore, të cilat mund të realizohen me investime publike, private apo financime ndërkombëtare, është me interes të përbashkët për rajonin. Më tej, Kryeministri i njohu sipërmarrësit hungarezë me procesin e privatizimeve që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, duke e konsideruar këtë vit si vitin e privatizimeve të mëdha, të ALBPETROL, ARMO, INSIG etj.. Kryeministri u shpreh se investitorët hungarezë janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë proces. Biznesmenët hungarezë shfaqën interes për zhvillimet ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, veçanërisht për procesin e privatizimeve. Ata u interesuan gjithashtu për resurset turistike, energjinë dhe infrastrukturën, sidomos për portet dhe qarkullimin detar të njerëzve dhe mallrave. Duke i ftuar të investojnë në Shqipëri, në fushat me interes për ta, Kryeministri Berisha u garantoi se do të kenë mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet dhe suksesin e tyre. Shqipëria, tha Kryeministri, është një histori ku dalin të gjithë të fituar.