24 ore lajme: Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Hungarisë Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Hungarisë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 04 March, 2008 04:51:00 Pas mbërritje në Budapest, Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule në Monumentin e Heronjve hungarezë në Sheshin e Heronjve. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi disa intervista me mediat ndërkombëtare e hungareze që shprehën interesimin e tyre për vizitën e Kryeministrit Berisha. Kryeministri ju përgjigj interesit të gazetarëve të Reuters TV, të BBC radio, si dhe televizionit hungarez DUNA TV, të cilët i njohu mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe ecurinë e reformave në vend. Kryeministri Berisha u shpreh se vizita e tij në Hungari është vizita në një vend tradicionalisht mik i Shqipërisë, me të cilin do të ketë bashkëpunim të përhershëm e pozitiv në fushat e ekonomisë, Forcat e Armatosura, shfrytëzimin e resurseve natyrore e njerëzore të Shqipërisë, si dhe për të inkurajuar bizneset hungareze për të investuar në Shqipëri. Për këtë, theksoi më tej Kryeministri, janë ndërmarrë reformat ë thella për të bërë vendin tonë tërheqës për investitorët e huaj, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja. Shqipëria, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë interesimit të gazetarëve, po tregon se ka një demokraci dhe ekonomi të tregut funksionale, shtylla këto tejet të rëndësishme për një vend të lirë e të zhvilluar. Gjithashtu Kryeministri u ndal edhe në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, si dhe në kontributin e tyre në misionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Ballkan dhe më pas në Darfur, në ndihmë të forcimit të demokracisë në këto vende dhe përkrah NATO-s dhe standardeve të saj. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare po punon shumë për të realizuar dy planet e saj më madhore, integrimin në NATO dhe BE. Interesim të gjerë pati nga gazetarët mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe mbi pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimet e Serbisë në këtë aspekt. Kryeministri Berisha u shpreh se ai e shihte me optimizëm ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës, e cila ka tashmë njohjen dhe mbështetjen e shumë shteteve të fuqishme të botës. Ky proces do kohën e tij dhe maturinë e duhur politike nga klasa politike kosovare, por është një proces që do të ndërtojë një të ardhme të re për Serbinë dhe do të hapë një kapitull të ri për integrimin e saj dhe të popullit serb në Europë. Kryeministri Berisha theksoi me bindje se pavarësia e Kosovës është një kontribut mjaft i çmuar për stabilitetin, paqen dhe progresin e rajonit.