Kryeministri Berisha pret ministrin e Pushtetit Lokal të Kosovës, zotin Sadri Ferhati
Kryeministri Berisha priti sot në mbrëmje ministrin e Pushtetit Lokal të Kosovës, zotin Sadri Ferhati, i cili shoqërohej në këtë vizitë në Shqipëri edhe nga kryetari i Bashkisë së Prishtinës, zoti Isa Mustafa.
Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, zoti Sadri Ferhati pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, i shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe të mbarë politikës kosovare për kontributin tejet të çmuar në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe në tërësi në zhvillimet në rajon, duke u shprehur se për kosovarët është një nder i madh që ndajnë me
Kryeministrin Berisha dhe gjithë shqiptarët këtë gëzim të madh të pavarësisë.
Gjithashtu ai u shpreh se, ndonëse e priste, gjeti në institucionet e qeverisë shqiptare një vullnet shumë të madh për të bashkëpunuar me shtetin Kosovar dhe për të përkrahur dhe mbështetur progresin e tij.
Kryeministri Berisha duke i uruar ministrit Ferhati mirëseardhjen, u shpreh se këto vizita do të shtohen ashtu siç do të shtohet edhe bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në fusha të ndryshme, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve.Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës më 17 shkurt është pavarësia e vërtetë e kombit, vetëm një komb i lirë sheh me optimizëm dhe zhvillon të ardhmen e tij, vijoi Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri shtoi se do të ketë një bashkëpunim mjaft të frytshëm midis institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të implementimit të standardeve të decentralizimit, si dhe në bashkëpunimin në kuadër të programit "Intereg" të Komisionit Evropian dhe programeve të tjera të këtij lloji të mbështetura nga institucionet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha shprehu dhe vlerësimin e tij për festimet mjaft dinjitoze të pavarësisë në Kosovë, duke u shprehur se Kosova tani ka më shumë miq se kurrë dhe se rruga për zhvillimin dhe integrimin e saj është e hapur.
Kryeministri Berisha uroi për detyrën e re edhe kryebashkiakun e Prishtinës, zotin Isa Mustafa, duke u shprehur i sigurt se ai do të punojë me dedikim dhe profesionalizëm për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Kryebashkiaku i Prishtinës, pasi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e qytetarëve të Prishtinës, u shpreh se kryeqyteti i Kosovës e ka të gjithë përkrahjen, të gjitha mundësitë dhe potencialet për të njohur vetëm progres.
Kryeministri Berisha përcolli përmes ministrit të Kosovës përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të mira për Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe mbarë qytetarët e Kosovës.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj