24 ore lajme: E pashembullt: Keshilli i Ministrave ne mbrojtje verbale te ministrit te akuzuar per korrupsion ne pengim te hapur te drejtesise E pashembullt: Keshilli i Ministrave ne mbrojtje verbale te ministrit te akuzuar per korrupsion ne pengim te hapur te drejtesise ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 11 December, 2008 01:14:00 Me poshte eshte e plote deklarate e Ministres Majlinda Bregu bere ne emer te Keshillit te Ministrave te Shqiperise. Permbajtja e saj shpalos nje situate absurde, ku e gjithe qeveria e Shqiperise, ne bllok, i ben mbrojtje verbale ministrit te akuzuar per korrupsion , duke i bere presion te hapur organeve kushtetuese te hetimit te bejne punen e tyre, dhe organeve te drejtesise te thone fjalen e tyre te pavarur. lexoni deklaraten : Këshilli i Ministrave duke marrë shkas nga publikimi nga Prokuroria e Përgjithshme i disa materialeve dhe spekulimet në disa media në lidhje me rrugën Durrës-Kukës deklaron sa më poshtë: Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, veprës më madhore të shqiptarëve, është realizuar dhe mbështetet tërësisht dhe ekskluzivisht në vendimet e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Secili prej këtyre vendimeve është marrë në kushtet e transparencës, mirinformimit dhe përgjegjshmërisë së plotë ligjore të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave hedh poshtë pretendimet absurde se i ka marrë këto vendime në kushte të mos informimit të plote apo të keqinformimit nga Ministri Basha, si trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohërat e dënimeve kolektive. Akuza se Ministri Basha ka shkelur barazinë në tendera në rastin e përzgjedhjes së konsulentit ndërkombëtar është një manipulim i pastër me faktet dhe ligjin pasi përzgjedhja e këtij konsulenti nuk është bërë me tendër, por në përputhje me ligjin, me prokurim të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave, i cili ka marrë të gjitha përgjegjësitë ligjore me VKM nr. 460 datë 10 korrik 2006. Këshilli i Ministrave deklaron se VKM nr. 460, datë 10 korrik 2006 për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar është marrë në kushtet e disponimit të të gjithë informacionit dhe rrethanave të nevojshme. Ky vendim shpreh vullnetin politik për të proceduar me ndërtimin e përshpejtuar të segmentit Rrëshen-Kalimash, në kushtet e mungesës së projektit. Hartimi i këtij projekti teknik u autorizua po nga Këshilli i Ministrave me VKM nr. 158, datë 15.03.2006. Pretendimi se këto vendime bien ndesh me njëri- tjetrin është po kështu një abuzim i pastër. Këto dy vendime janë pjesë e pandarë e të njëjtit vullnet të Këshillit të Ministrave për ndërtimin e të njëjtës vepër. Me VKM nr. 158 datë 15.03.2006 u autorizua hartimi i projektit teknik për segmentin Rrëshen-Kalimash, ndërsa me VKM nr. 460 datë 10 .07.2006 u autorizua marrja e konsulencës së veçantë për kontraktimin e ndërtuesit të segmentit Rrëshen - Kalimash me metodën projektim-ndërtim. Është trill i qartë, absurd, qesharak dhe i pabazë pretendimi i prokurorisë se Ministri Basha i ka fshehur Këshillit të Ministrave një vendim të marrë po nga Këshilli i Ministrave. Këshilli i Ministrave, me vendimin për përzgjedhjen e konsulentit ndërkombëtar, mundësoi fillimin e bërjes realitet të projektit Rrëshen-Kalimash brenda një kohe shumë të shkurtër. Më 4 shkurt të vitit 2007 pas një pune paraprake disa mujore ky projekt u inaugurua zyrtarisht me fillimin e punimeve në tunel. Pra, si rezultat i vendimeve të Këshillit të Ministrave u arrit që puna për segmentin Rrëshen Kalimash të nisë brenda një kohe fare të shkurtër. Këto fakte hedhin poshtë, si të pavërtetë dhe jologjik, pretendimin e prokurorisë se Këshillit të Ministrave iu paraqit një situatë jo e vërtetë për të justifikuar lidhjen e kontratës me konsulentin ndërkombëtar. Këshilli i Ministrave deklaron se vendimi i tij nr. 651, datë 27.09.2006 për miratimin e kontratës ndërmjet qeverisë se Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë së përbashkët Bechtel-Enka për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit Rrëshen-Kalimash shënon momentin kulmor të mishërimit të vullnetit të qeverisë shqiptare. Ky vendim, përkundër pretendimeve absurde të prokurorisë, është marrë në kushtet e informimit të plotë dhe të përgjegjshëm të Këshillit të Ministrave mbi procesin e negocimit të kontratës si dhe të konstatimit nga Këshilli i Ministrave të zbatimit rigoroz, të plotë dhe të përpiktë të vendimeve të tij nr. 481, datë 14.07.2006 dhe nr. 526, datë 02.08.2006, nga MPPTT dhe DPRR. Si përfundim, Këshilli i Ministrave deklaron se në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk është keqinformuar dhe se ka disponuar informacionin e plotë dhe të nevojshëm për vendimet që ka marrë. Këshilli i Ministrave ka proceduar me vetëdije të plotë dhe përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për miratimin e të gjitha vendimeve përkatëse në lidhje me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Ministri Basha ka zbatuar me përpikëri, transparencë dhe përgjegjshmëri të plotë të gjitha detyrimet e tij që rrjedhin nga Vendimet e Këshillit të Ministrave për ndërtimin e rrugës. Akuzat e formuluara ndaj Ministrit Basha janë thjesht përpjekje primitive dhe të dështuara për të shndërruar prokurorinë në një parti politike nga armiq dhe kundërshtarët e korridorit shqiptar.