24 ore lajme: Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare, e re, dinamike dhe entuziaste Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare, e re, dinamike dhe entuziaste ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 16 May, 2008 09:29:00 Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Forumin Ekonomik të Crans Montanas, i cili po zhvillon punimet në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha prezantoi disa nga reformat dhe nismat më kryesore që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e taksave dhe reduktimin e procedurave me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. Kryeministri Berisha veçoi marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO dhe implementimin me sukses të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dy elementë thelbësorë që kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme imazhin e vendit në Europë dhe më gjerë. Duke iu referuar vlerësimeve të Komisionit Europian në raportin vjetor për Shqipërinë, Kryeministri Berisha tha se në këtë raport qeveria shqiptare vlerësohet për dy gjëra esenciale, që janë respektimi i plotë të drejtave të njeriut dhe mosndërhyrja në tregun e lirë. Kryeministri theksoi se ekonomia shqiptare paraqitet e re, dinamike dhe entuziaste me një rritje vjetore 6 %, rritje të eksporteve me 28 për qind dhe të investimeve të huaja me 87 % në vitin 2007 krahasuar me vitin paraardhës. “Shqipëria është një vend i vogël me një potencial të jashtëzakonshëm në turizëm, me 400 km brigje të paeksploruara dhe më të bukurat në zonën e Mesdheut. Shqipëria ka pasuri të mëdha hidrike. Kompani të mëdha europiane nga Norvegjia në Izrael kanë projekte për ndërtimin e HEC-eve në vendin tim. Ju e dini që ne jemi një vend shumë i pasur në minerale, i treti ose i katërti në botë për rezervat e kromit, por jemi më të pasur me nikel dhe shumë të pasur në hekur. Lajme shumë të mira kemi për rezervat e naftës”, theksoi më tej Kryeministri Berisha gjatë forumit të Crans Montanas. Kryeministri Berisha iu përgjigj gjithashtu interesit të pjesëmarrësve të shumtë në këtë forum, lidhur me investimet në infrastrukturë dhe energji, procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe zhvillimet në rajon. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh: Së pari dëshiroj t`ju falënderoj për këtë eveniment të madh që ju z. Jean Paul, dhe të gjithë pjesëmarrësit organizuat dhe mbajtët në Shqipëri. Për shkak të zhvillimeve shumë të rëndësishme që nga viti i kaluar në shumë aspekte ju gjeni sot një vend ndryshe. Shqipëria ia doli të meritojë dhe të marrë ftesësn e anëtarësimit në NATO, e cila nënkupton se vendi po bëhet gjithnjë e më shumë kontribues i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Shqipëria po implementon me sukses Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në raportin e tij Komisioni Europian e vë theksin tek dy momente thelbësore të këtyre reformave; së pari qeveria shqiptare respekton të drejtat e njeriut, dhe kjo është shumë thelbësore dhe së dyti ajo nuk ndërhyn në sektorin privat, ajo respekton lirinë e tregut. Përveç kësaj qeveria ime po punon shumë për ta bërë Shqipërinë një vend gjithnjë e më tërheqës për investimet e huaja, për të përmirësuar gjithnjë e më shumë klimën e biznesit. Pas një viti, ju gjeni një vend ndryshe, një vend ku barra fiskale është më e ulëta në Europë, taksa e sheshtë është 10 %, taksa e sigurimeve shoqërore është relativisht e ulët, një vend ku iniciativa “Shqipëria 1 euro”, po sjell çdo ditë e shumë investitorë nga e gjithë bota. Ka shumë kontraktorë që kanë marrë toka me një euro, për qëllime industriale, bujqësore apo turistike. Iniciativa “Shqipëria një euro” po fiton gjithnjë e më tepër terren. Dje ne vendosëm që çdo anije që prek portet tona, të paguajë një taksë vetëm një euro. Lista e taksës një euro po bëhet gjithnjë e më gjatë. Projekte të mëdha janë bërë për të hequr pengesat burokratike për bizneset. Tani në të gjithë vendin po funksionon regjistrimi i biznesit me një sportel të vetëm. Gjatë këtij muaji ne po adoptojmë liberalizimin e plotë të licencave në shumë sektorë, por ato që do të mbeten do të përfshihen në one-stop-shop. Ne po punojmë në kuadër të projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit për të vendosur një sportel të vetëm për licencat dhe lejet. Taksat on-line kanë filluar dhe po progresojnë çdo vit. Prokurimet elektronike janë realitet në Shqipëri. Ligji i ri i konçesioneve është realisht shumë tërheqës dhe shumë i vlerësuar nga investitorët. Përpjekje të mëdha janë bërë për ta sjellë vendin në moshën dixhitale. Penetrimi i Teknologjisë së Informacionit në vendin tim mori një kohë të gjatë, por tani ai po dyfishohet dhe mbidyfishohet çdo vit. Askush nuk përfiton më shumë nga mosha dixhitale se sa bizneset, sepse koha është më e vlefshme se për këdo, për biznesmenët. Ne po progresojmë me shpejtësi drejt kësaj moshe. Shikoni panoramën e ekonomisë tonë, është e re, entuziaste, dinamike, me një rritje më të lartë se 6 për qind, e njëjtë ose më e lartë se mesatarja e asaj europiane. Eksportet u rritën me 28 për qind, është rritur kreditimi për ekonominë dhe shumica e tyre për biznesin. Shqipëria është një vend i vogël, por është e vendosur në një rajon të ekonomisë së lirë, të marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë nga Kroacia në Moldavi. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë që i jep ndihmë të madhe kompanive perëndimore, që importojnë lëndën e parë nga Turqia për prodhimet e tyre dhe të cilat kanë si destinacion tregun europian. Kjo do të thotë 12.5 % taksë më të ulët për ta. Ne i përmbahemi me forcë rritjes së stabilitetit makroekonomik. Investimet e huaja u rritën me 87 % më shumë në 2007 krahasuar me 2006, ishte 3 herë sa mesatarja e 8 viteve, në 2006. Vitin e kaluar në banka dhe telekomunikacion ne kemi patur më shumë investime se sa vitin e mëparshëm. Shqipëria është një vend i vogël me një potencial të jashtëzakonshëm në turizëm, 400 km brigje të paeksploruara dhe më të bukurat në zonën e Mesdheut. Shqipëria ka pasuri të mëdha hidrike. Kompani të mëdha europiane nga Norvegjia në Izrael kanë projekte për ndërtimin e HEC-eve në vendin tim. Të gjithë lumenjtë nga Vjosa deri në lumnejtë e Alpeve kanë ngjallur një interes shumë të madh për investitorët. Ju e dini që ne jemi një vend shumë i pasur në minerale, i treti ose i katërti në botë për rezervat e kromit, por jemi më të pasur me nikel dhe shumë të pasur në hekur. Lajme shumë të mira kemi për rezervat e naftës. Një interes shumë i madh po shfaqet për portet tona. Ju e shikoni se korridori Durrës-Prishtinë dhe që ndoshta do të përfundojë më vonë në Nish ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme rëndësinë e porteve tona. Ka me dhjetra projekte të paraqitura për porte të reja në Vlorë, Shëngjin, Durrës, Porto Romano, sepse ky korridor i bën portet tona më të afërtit me një rajon më të madh nga Sofja në Novi Pazar. Çdo ditë në zyrën time unë takoj investitorë. Të gjithë janë shumë entuziastë, unë jam shumë i bindur se investimi në Shqipëri është një histori fitoj-fitoj. Kjo është arsyeja që unë jam shumë mirënjohës për vëmendjen tuaj për të investuar në vendin tim dhe unë ju siguroj se qeveria ime mbështet fuqishëm përpjekjet tuaja. Pyetje: Çfarë po bën Shqipëria përsa i përket infrastrukturës dhe së dyti a mendoni se projektet rajonale po pengohen nga stabiliteti në rajon? Kryeministri Berisha: Po punojmë sidomos për segmentin Durrës-Vlorë, i cili do të përfundojë së shpejti në vjeshtë. Do të fillojmë segmentin Shkodër-Hani i Hotit që na lidh me Malin e Zi. Ne jemi të interesuar të aplikojmë standarde shumë të mira në autostradën në bregdetin jonian tonin nga Vlora në Sarandë që do të përfundojë në fund të këtij viti ose deri në prill të vitit që vjen. Qeveria ime po investon shumë euro që Shqipëria ta përfundojë këtë korridor së bashku me Malin e Zi dhe Kroacinë. Kam biseduar me personalitete të këtyre vendeve dhe ata janë shumë të interesuar dhe po punojnë në këtë fushë. Stabiliteti në rajon është shumë thelbësor. Tendenca e rajonit është drejt stabilitetit sepse është një situatë pak problematike le ta themi. Nuk mund të them se nuk ka konsensus. Stabiliteti po mbisundon gjithnjë e më shumë. Ka patur disa shenja dhune në Maqedoni ne e kundërshtojmë këtë me forcë, ne jemi në kontakt me shqiptarët atje, besoj se ata po bëjnë të pamundurën më të mirën për të parandaluar çdo dhunë dhe shpresoj e parashikoj që zgjedhjet do të zhvillohen në situatë normale. Çështja e stabilitetit mbetet vetëm për 2-3 komuna në Mitrovicën Veriore, por është një faktor i rëndësishëm që serbët në Kosovë të jetojnë në paqe të plotë dhe në siguri dhe harmoni me shqiptarët. Pra të jetojnë në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin dhe grupet e tjera etnike. Nuk ka asnjë shqiptar që nuk do të dëshironte të jetonte në paqe dhe të ishte i integruar. Unë shpresoj që manipulimet do të marrin fund pak nga pak sepse në çdo vend të Europës, apo vende të tjera ekzistojnë të tilla mosmarrëveshje. Politika është dhe hartohet që të respektohen standardet edhe në rajonin tonë. Në këtë rast qëllimi është që të ketë autoritete lokale rajonale, të cilat të parandalojnë këto raste dhune nuk duhet të ketë më kërcënime, duhet të ndalojnë manipulimet dhe kërcënimet dhe paqja dhe progresi do të ecin përpara dhe do të lulëzojnë. Pyetje: Vitin e kaluar ka pasur vështirësi në furnizimin me energji. Cilat janë projektet tuaja për zgjidhjen e këtij problemi në një kohë afatshkurtër, afatmesëm dhe për Kosovëm afatgjatë? Kryeministri Berisha: Besoj se vërejtja juaj është e drejtë dhe sektori energjetik është një çështje shumë serioze dhe ne po punojmë shumë që ta përballojmë atë në shumë drejtime duke rritur prodhimin. Ky është një nga drejtimet që ne po punojmë. Një TEC është duke u ndërtuar në Vlorë, një hidrocentral po ndërtohet në Kalivaç, por ende po bëhen përjekje të mëdha për të gjeneruar burimet tona të energjisë që do të thotë se burimet tona kanë një potencial shumë më të lartë se 900 megavat. Janë 26 kompani të kontraktuara nga Këshilli i Ministrave për hidrocentrale të përmasave të ndryshme . Ka projekte të tjera, të cilat janë duke u shqyrtuar, janë në procese tenderimi që po zhvillohen dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojë më shumë se 20 milionë kv/h nga burimet hidrike të vendit. Është me shumë interes për shumë kompani. Ne po punojmë me qeverinë e Kosovës për të ndërtuar një TEC së bashku në Kosovë që është i përmasave të mesme. Banka Botërore po kërkon bashkëpunim edhe me donatorë të mëdhenj sepse ka një TEC të madh atje më shumë se 4400 megavat, por si qeveri ne po kërkojmë të ndërtojmë një TEC më të vogël sepse e jep prodhimin më shpejt. Është në interesin e kompanive të ndërtojnë TEC-e me teknologji të lartë. Ne jemi të hapur edhe për centralet bërthamore dhe po shikojmë dhe duam të bashkëpunojmë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë, po përgatisim kuadrin ligjor dhe sapo ajo të jetë gati ne do të fillojmë negociatat me Maqedoninë , Kosovën, Malin e Zi në përpjekje për të hartuar një projekt të përbashkët, sepse mendojmë se ky duhet të jetë burimi më i qëndrueshëm i energjisë. Ne po punojmë dhe jemi në procesin e ndërtimit të një linje të re që lidh Tiranën me Podgoricën, është një linjë që lidh Tiranën me Prishtinnë , gjithashtu është deklaruar se do të mbështetet dhe një lidhje mes Tiranës dhe Shkupit. Ne po ecim në këtë drejtim, ndeshemi me probleme dhe fatkeqësisht ky është një treg që megjitëhse është kondsideruar i unifikuar në Ballkan është unifikuar me shumë pengesa. Pyetje:Pyetja ime ka të bëjë me pranimin e Shqipërisë në Europë. Ju keni arritur suksese lidhur me procesin dhe projektet drejt Europës. Po të kemi parasysh zhvillimet në Rumani dhe Bullgari kur u bënë vende kandidate ku do ta vendosnit Shqipërinë? Duke pasur parsysh zhvillimin në ato vende sa rrugë ju ka mbetur për të bërë? Kryeministri Berisha: Perspektiva e Shqipërisë drejt BE-së është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian. Problemet që ekzistojnë është se duhet bërë më shumë progres drejt kandidimit dhe marrëveshjes së hyrjes më vonë në BE. Rumania dhe Bullgaria ishin më të avancuara në shumë aspekte. Ju e kuptoni miqtë e mi se rumunët vuanin nga diktatura, por kishin pallate dhe ndërtesa madhështore, por trashëgimnia jonë ishin vetëm bunkerët. Ju mund t`i shikoni akoma ato atje jashtë. Ju duhet të kuptoni progresin e madh që kemi bërë. Ne po punojmë, po rrisim standardet, por më vjen keq dhe ndiej dhimbje që nuk ka një projekt të madh infrastrukturor të madh europian për të gjithë rajonin. Këtë çështje e ngre në të gjitha takimet. Ne jemi një rajon që ende kemi konflikte. Retë e luftës dhe të konflikteve kanë qenë të vazhdueshme gjatë 15 viteve. Po të shikoni s`ka korridor të madh, s`ka linja të mëdha, prandaj mendoj se ne duhet ta shikojmë më me vëmendje këtë rajon ta përgatisim për një integrim më të mirë dhe të ndihmojmë në fushën e infrastrukturës. Pyetje: Tregjet lokale në rajonin e Ballkanit janë shumë të vogla dhe kjo përbën pengesë reale për investitorët e huaj. Këto vende rrallë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe rrallë punojnë për uniformitetin e regjimeve të kontratave. A mendoni se qeveritë e Ballkanit duhet të punojnë së bashku për të tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaja në mënyrë që gjithë vendet të kenë një sportel, one-stop-shop ? Kryeministri Berisha: Jam dakord me ju që unifikimi i procedurave standarde dhe kuadrit ligjor të taksave do të heqë shumë pengesa, do ta bëjë këtë rajon shumë më atraktiv për investitorët e huaj. Marrëveshjet e tregtisë së lirë ekzistojnë dhe pavarësisht se cfarë janë qeveritë, të majta apo të djathta, taksat janë shumë të ulëta. Hapa të mëtejshme janë të nevojshme për t`u marrë . Ne filluam të punojmë me fqinjët tanë me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi pasi ne jemi një vend i vogël. Sigurisht ne do të vazhdojmë përpjekjet tona me fqinjët e tjerë Bullgarinë, Rumaninë Serbinë dhe vendet e tjera. Ky do të jetë një zhvillim jashtëzakonisht i madh për rajonin.