24 ore lajme: Kryeministri Berisha takon përfaqësues të forcave politike të Luginës së Preshevës Kryeministri Berisha takon përfaqësues të forcave politike të Luginës së Preshevës ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 31 March, 2008 04:23:00 Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim një përfaqësi të forcave politike të Luginës së Preshevës. Politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës i shprehën Kryeministrit Berisha ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre për tragjedinë e Gërdecit si dhe shprehën mbështetjen e tyre për përpjekjet e qeverisë shqiptare për të normalizuar situatën dhe vlerësimin pozitiv për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për pastrimin e zonës, kurimin e të lë lënduarve dhe rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga shpërthimi. Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës për ndjenjat e afërsisë dhe të dhimbjes për tragjedinë e Gërdecit dhe i njohu ata me situatën në zonën e prekur nga shpërthimi dhe me masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për pastrimin e zonës dhe sigurimin e saj, për sistemimin e banorëve të larguar pas shpërthimit nga shtëpitë e shkatërruara, për reagimin me efikasitet të sistemit tonë shëndetësor që u kujdes për kurimin e rreth 260 të plagosurve, disa prej tyre në spitalet jashtë shtetit, duke shpëtuar dhjetëra jetë. Operacioni, u shpreh Kryeministri Berisha, filloi menjëherë pak minuta pas shpërthimit dhe nuk është ndalur për asnjë minutë. Forcat policore të Vorës, të cilët ndërhynë të parët, dhe forcat e shpëtimit më pas, punuan në rrezikshmëri të lartë dhe u erdhën në ndihmë personave të prekur nga kjo tragjedi me një përgjegjshmëri dhe vetmonim të rralle. Përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës u shprehën se shqiptarët ndajnë së bashku dhimbjet e mëdha dhe gëzimet e mëdha, ndaj ata i shprehën Kryeministrit Berisha kënaqësinë dhe bindjen e tyre se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës biseduan gjerësisht edhe për zhvillimet politike në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare. Përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës u shprehën për nevojën e respektimit të të drejtave themelore për shqiptarët në Serbi dhe Kryeministri Berisha i siguroi ata se do të kenë përkrahjen e qeverisë shqiptare për kërkesat e tyre të ligjshme.