Kryeministri Berisha takon përfaqësues të forcave politike të Luginës së Preshevës
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim një përfaqësi të forcave politike të Luginës së Preshevës. Politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës i shprehën Kryeministrit Berisha ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre për tragjedinë e Gërdecit si dhe shprehën mbështetjen e tyre për përpjekjet e qeverisë shqiptare për të normalizuar situatën dhe vlerësimin pozitiv për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për pastrimin e zonës, kurimin e të lë lënduarve dhe rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga shpërthimi.
Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës për ndjenjat e afërsisë dhe të dhimbjes për tragjedinë e Gërdecit dhe i njohu ata me situatën në zonën e prekur nga shpërthimi dhe me masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për pastrimin e zonës dhe sigurimin e saj, për sistemimin e banorëve të larguar pas shpërthimit nga shtëpitë e shkatërruara, për reagimin me efikasitet të sistemit tonë shëndetësor që u kujdes për kurimin e rreth 260 të plagosurve, disa prej tyre në spitalet jashtë shtetit, duke shpëtuar dhjetëra jetë.
Operacioni, u shpreh Kryeministri Berisha, filloi menjëherë pak minuta pas shpërthimit dhe nuk është ndalur për asnjë minutë. Forcat policore të Vorës, të cilët ndërhynë të parët, dhe forcat e shpëtimit më pas, punuan në rrezikshmëri të lartë dhe u erdhën në ndihmë personave të prekur nga kjo tragjedi me një përgjegjshmëri dhe vetmonim të rralle.
Përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës u shprehën se shqiptarët ndajnë së bashku dhimbjet e mëdha dhe gëzimet e mëdha, ndaj ata i shprehën Kryeministrit Berisha kënaqësinë dhe bindjen e tyre se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit.
Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës biseduan gjerësisht edhe për zhvillimet politike në Serbi në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Përfaqësuesit e forcave politike të Luginës së Preshevës u shprehën për nevojën e respektimit të të drejtave themelore për shqiptarët në Serbi dhe Kryeministri Berisha i siguroi ata se do të kenë përkrahjen e qeverisë shqiptare për kërkesat e tyre të ligjshme.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj