Kryeministri Berisha: Forcat e Armatosura Shqiptare, kontribut të jashtëzakonshëm në kapërcimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së NATO-s në Tiranë. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen dhe falenderimet e tij, Gjeneralit Anastasio Rintis, ekipit dhe Komandës së NATO-s për ndihmën dhe kontributin e çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtij viti përcaktues në përpjekjet e Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit.
“Gjatë këtij viti ju keni dhënë një kontribut madhor në të gjithë përpjekjet e Forcave tona të Armatosura dhe në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësimin në NATO, ne ndërmorëm reformat për të arritur standardet e ushtrive të vendeve të Aleancës”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Anëtarësimi në NATO, vijoi më tej Kryeministri, është projekti, të cilin shqiptarët e mbështesin më shumë se çdo komb tjetër.
“Unë jo rrallëherë pyes veten pse shqiptarët e mbështesin kaq shumë NATO-n, këtë aleancë, më të mrekullueshmen e të gjitha kohërave. Një nga shkaqet, mendoj unë është se kombi im ka vuajtur më shumë se cdo komb për të ardhmen. Një nga arsyet që shqiptarët e duan kaq shumë NATO-n është se tek anëtarësimi në Aleancë ata shohin sigurinë më të madhe të së ardhmes së tyre, lirisë dhe demokracisë që ata po ndërtojnë”, tha Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri theksoi se në çdo gjë që qeveria shqiptare ka bërë për të marrë ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit , ka patur ndihmën e madhe të NATO-s, Komandës së saj në Tiranë, Komandës së Bashkuar të Napolit, me të cilat Forcat e Armatosura Shqiptare kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.
Gjithashtu Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e madh për Forcat e Armatosura Shqiptare, oficerët, nënoficerët, ushtarët dhe të gjithë anëtarët e kësaj force duke i siguruar ata se shqiptarët u janë shumë mirënjohës për kontributtin e madh që ata kanë dhënë në procesin e integrimit në NATO, dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Shqipëri dhe rajon.
Kryeministri theksoi se Forcat e Armatosura Shqiptare janë të shpalosura bashkë me ushtritë e NATO-s në zonat më të rrezikshme të planetit, në mbrojtje të idealeve dhe parimeve më të larta që NATO përfaqëson.
“Forcat tona të Armatosura janë në Kabul, Herat dhe në Mosul dhe do të jenë kudo që të ndodhet NATO-ja”, u shpreh Kryeministri.
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e çmuar që dhanë Forcat e Armatosura në kapërcimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit, Kryeministri Berisha tha se përmasat e kësaj tragjedie do të mund të ishin shumë më të mëdha, në rast se nuk do të ishte kurajoja, guximi dhe përkushtimi i Forcave të Armatosura.
“Unë dua t`u jap një përshëndetje të veçantë dhe t`u shpreh mirënjohjen time shumë të thellë për kontributin e tyre që dhanë në kapërcimin e pasojave të tmerrshme dhe dramatike të tragjedisë së Gërdecit. Tragjedia e Gërdecit ishte një tragjedi e tmerrshme sepse në të humbën jetën 24 qytetarë shqiptarë, u plagosën mbi 250 të tjerë, u shkatërruan me mijëra shtëpi dhe objekte të tjera. Unë dua të informoj shqiptarët se përmasat e saj do të ishin shumë më të mëdha në rast se nuk do të ishte kurajo, guximi dhe përkushtimi i anëtarëve të Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Kryeministri duke shtuar se gjakftohtësia dhe trimëria me të cilën ata operuan, u shpëtoi jetën dhjetëra qindra qytetarëve të Bashkisë së Vorës.
“Anëtarët e Forcave tona të Armatosura, ushtarakë, komandantët e tyre më 15 mars operuan në një zonë ku fluturuan me mijëra e mijëra predha të kalibrave të ndryshme. Ata shkuan deri në metrat e fundit afër kraterit të shpërthimit, duke evakuuar me dhjetëra të plagosur, duke dëshmuar në këtë mënyrë sensin e vetëmohimit, por duke dëshmuar gjithashtu se janë të aftë dhe të zotë të ndërmarrin operacione të shkëlqyera kërkim-shpëtimi”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri i shprehu mirënjohjen Gjeneralit Rintis dhe Komandës së NATO-s në Tiranë dhe ekipeve të vendeve mike, të cilët dhanë një ndihmë shumë të madhe në këtë emergjencë.
Duke iu referuar Samitit të NATO-s në Bukuresht, Kryeministri Berisha theksoi se java që vjen është një javë historike për Aleancën e Atlantikut të Veriut, por është më tepër historike për Shqipërinë. “Është historike për NATO-n sepse ajo shtrin hapësirat e saj në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të demokracisë. Është historike për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse shpresojnë të marrin ftesën, sepse ata shohin në këtë projekt realizimin e ëndërrave të tyre”, theksoi Kryeministri duke e siguruar gjeneralin e ri të Komandës së NATO-s në Tiranë, Vasil Dimitrov , për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë për konsolidimin e mëtejshëm të reformave.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj