Kryeministri Berisha priti kryetarin e BDI Ali Ahmeti
Kryeministri Berisha prit sot kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë Ali Ahmeti dhe drejtues të tjerë të kësaj partie.
Zoti Ahmeti i shprehu Kryeministrit ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai informoi Kryeministrin për gatishmërinë e shprehur nga shumë komuna në Maqedoni për të ndihmuar bashkinë e Vorës. Kryeministri Berisha falënderoi zotin Ahmeti për solidaritetin, mbështetjen dhe kontributin që të gjithë shqiptarët në Maqedoni, si edhe qeveria maqedonase kanë dhënë në përballimin e kësaj ngjarjeje tepër të rëndë.
Kryeministri e njohu delegacionin e BDI-së me masat e menjëhershme për menaxhimin e situatës, operacionin e kërkim-shpëtimit dhe me skemën për zhdëmtimin e dëmeve të pësuara nga kjo tragjedi. Në këtë drejtim, zoti Ahmeti vlerësoi angazhimin e shpejtë të qeverisë për lehtësimin e pasojave të tragjedisë.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Ahmeti diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe Maqedoni. Zoti Ahmeti e njohu Kryeministrin me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitin e Bukureshtit.
Kryeministri përshëndeti qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni për qëndrimet e tyre në interes të integrimit të vendit në NATO. Gjithashtu, zoti Berisha siguroi se qeveria shqiptare mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në dobi të paqes dhe stabilitetit.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti u prononcuan për mediat në lidhje me bisedimet mes tyre.
Kryeministri Berisha: Sapo përfundova një takim vëllazëror me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, zotin Ali Ahmeti dhe drejtuesit e tjetër të kësaj partie, të cilët kanë ardhur këtu për të shprehur solidaritetin e tyre vëllazëror për fatkeqësinë e Gërdecit. Unë falënderova me shumë mirënjohje zotin Ahmeti, të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, si dhe qeverinë e Maqedonisë për solidaritetin e madh që dëshmuan. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë autobusët e mbushur me qytetarë nga Struga, Dibra e zona të tjera, të cilët, për shkak të radhëve të gjata pranë qendrave të tyre shëndetësore, erdhën në Elbasan e qendra të tjera në Shqipëri për të dhuruar gjak.
E njoha zotin Ahmeti me të gjithë menaxhimin e kësaj fatkeqësie gjatë kësaj periudhe, si dhe me përmasat e operacionit të kërkim-shpëtimit, që zhvillohej në një territor, ku, njëkohësisht, mbi të ranë mbi 5600 predha artilerie të kalibrave të ndryshëm. Por kjo nuk i pengoi dhe dekurajoi njësitë më të mira të ushtrisë shqiptare, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, qytetarët e Vorës që të ngrihen mbi çdo rrezik e po atë natë, të shkonin të tërhiqnin të plagosurit afër zonës së kraterit, duke shpëtuar me dhjetëra e dhjetëra jetë.
E njoha zotin Ahmeti, gjithashtu, me mobilizimin e madh të sistemin tonë shëndetësor për të ndihmuar mbi 260 të plagosur që iu drejtuan spitaleve të Tiranës dhe qyteteve përreth. Po ashtu edhe me operacionin e gjerë që ushtria shqiptare po kryen për pastrimin e një zone prej 1 mijë hektarësh, ku janë grumbulluar deri tani rreth 700 predha të paplasura e mbi 5 mijë predha të plasura, si dhe me skemën e vendosur nga qeveria për zhdëmtim të plotë të të gjitha dëmeve të krijuara.
Me zotin Ahmeti patën një diskutim të thelluar mbi zhvillimet në rajon dhe Maqedoni. Unë përshëndes qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të zotit Ahmeti, qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe forcave të tjera politike, të cilat kanë vendosur atlantizmin dhe integrimin e Maqedonisë në NATO si interesin më të mirë kombëtar, si interesin më të mirë të Maqedonisë e rajonit dhe kanë ndërtuar në këtë periudhë të gjitha qëndrimet politike në funksion dhe në kontribut të procesit të integrimit, duke luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Unë e përgëzova zotin Ahmeti, sikundër e sigurova se qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin fqinj mik, Maqedoninë.
Zoti Ahmeti: Vizita jonë është shprehje e solidaritetit me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, me rastin e tragjedisë së Gërdecit. Ne e njohëm Kryeministrin me të gjitha aktivitetet që vullnetarisht njerëzit kanë marrë, deri edhe tek dhurimi i gjakut. Nuk kemi pasur mundësi më të mëdha që t’u ndodhemi pranë vëllezërve tanë, por gjithsesi u dhurua gjak, duke filluar që nga Struga, Dibra dhe rajone të tjera si Kërçova, Tetova, Shkupi e Kumanova.
Ishte kënaqësi për ne kur dëgjuam angazhimin jashtëzakonisht të madh të Kryeministrit të Shqipërisë për t’u krijuar mundësi njerëzve të pastrehë të kthehen në shtëpi të reja. Gjithashtu, ndjeva vërtetë dhimbje, por, njëkohësisht, ndamë dhimbjen për të gjithë ata njerëz që humbën jetën në këtë tragjedi, si edhe shpirtin e sakrificës që unë vërejta te Kryeministri, për t’u qëndruar këtyre njerëzve sa më afër dhe t’ua lehtësojë dhimbjen. Kjo na gëzoi vërtetë si delegacion.
Gjithashtu, ka një interesim nga kryetarët e komunave në Maqedoni që të solidarizohen me bashkinë e Vorës. Jo shumë larg, vizita dhe takime të tilla do të bëhen në nivel komunash, për të parë se çfarë mund të bëhet më tutje, në mënyrë që gjendja atje t’i kthehet normalitetit.
Gjithashtu, ne e informuam Kryeministrin me zhvillimet politike në vend. Tani ndodhemi në prag të një ngjarje jashtëzakonisht historike për ne si Maqedoni, por edhe Shqipërinë. Të dy vendet presim ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit , për të cilën kemi punuar në vazhdimësi. Gjithashtu, ne do të punojmë edhe në të ardhmen që në këtë Samit të bëhemi anëtarë të NATO-s. Ne kemi bërë punë jashtëzakonisht të mirë, konstruktive dhe këtë angazhim maksimal do ta japim deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë. Tani do të hapim për zgjidhje çështje, të cilat kërkojnë tashmë zgjidhje në Maqedoni, siç jeni në dijeni të gjithë, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe probleme të tjera që ne i kemi afirmuar edhe në marrëveshje me Kryeministrin e Maqedonisë dhe partitë në pushtet në këtë vend.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj