Berisha priti Kompanite e Sigurimeve te Kosoves qe dhane 150 mije euro per te demtuarit nga tragjedia
Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, të cilët i komunikuan Kryeministrit Berisha donacionin e Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve të Kosovës prej 150.000 euro në ndihmë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Në emër të kësaj shoqate, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës u shpreh se mbarë Kosova është e prekur pa masë dhe ndjen dhimbje të thellë për këtë tragjedi që tronditi mbarë kombin shqiptar.
Për të shprehur këtë solidaritet dhe ngushëllimin për ngjarjen tragjike të Gërdecit, Kryetari i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Ivica Pezo i komunikoi Kryeministrit Berisha kontributin simbolik prej 150.000 euro në ndihmë të të prekurve nga tragjedia e Gërdecit.
Ndër të tjera, përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës i shprehën Kryeministrit Berisha vendosmërinë e tyre që kjo ndihmë të mos mbaronte këtu por premtuan se shumë prej këtyre kompanive do të ndërtonin nga e para disa prej shtëpive të shkatërruara pas tragjedisë.
Kryeministri Berisha i njohu të pranishmit me ecurinë e operacioneve të kërkimit në zonë dhe të pastrimit dhe sigurimit të terrenit si dhe me punën e grupeve të ekspertëve për të bërë sa më shpejt vlerësimin material e më pas financiar të dëmeve të shkaktuara nga tragjedia.
Kështu Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare do të rindërtojë të gjitha shtëpitë e shkatërruara dhe të dëmtuara, infrastrukturën e disa prej fshatrave, shkollat dhe të gjitha objektet që janë prekur nga tragjedia.
Më tej Kryeministri Berisha theksoi se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe mirëkuptimi që banorët e zonës kanë treguar për veprimet e qeverisë për stabilizimin e situatës.
Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës për kontributin e tyre prej 150.000 euro dhe u shprehu mirënjohjen për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e tyre.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj