Newsletter
Email:
Votim: Zbardhja e Gerdecit
A besoni se drejtesia shqiptare do te zbardhe plotesisht Gerdecin?
Faqja e Pare | Shqiperia | Lajme nga Presidenti | Presidenti Topi takohet me banorë të Rrëshenit në Pallatin e Kulturës “Mirdita”

Presidenti Topi takohet me banorë të Rrëshenit në Pallatin e Kulturës “Mirdita”

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Presidenti Topi gjatë fjalës në takimin me përfaqësues të pushtetit vendor, intelektualë dhe banorë të Rrëshenit

Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Mirdita” të qytetit të Rrëshenit, me rastin e vizitës së Kreut të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu drejtua autoriteteve vendore, Imzot Kristofor Palmierit, përfaqësueve të grupeve të interesit dhe biznesit, intelektualëve dhe të pranishmëve të shumtë, që ishin mbledhur për ta mikpritur e përshëndetur.

Në përshëndetjen e tij Presidenti Topi duke vlerësuar traditat e Mirditës tha se ato “duhet patjetër që të përsosen më tej, sepse janë mjaft të vlefshme traditat dhe sidomos ato tradita, të cilat mbartin vlera të spikatura të qytetarisë, të institucioneve që kanë funksionuar këtu. Edhe për të evidentuar një fakt tjetër: kanë kaluar mjaft situata të tjera në Shqipëri në të kaluarën, në mënyrë të veçantë në zonën e Mirditës dhe jo pa qëllim të gjitha shigjetat e persekutimit në mënyrë të koncentruar kanë qenë të fokusuara në këtë zonë dhe jo pa qëllim ne themi që kjo zonë ndonëse ka qenë shumë e persekutuar, ka ditur të mbijetojë dhe sot është në gjendje jo vetëm të vlerësojë të gjithë këtë mbijetesë, por mbi të gjitha të projektojë të ardhmen, një e ardhme kjo e sigurtë për qytetarët e Rrëshenit, të Mirditës, në një shoqëri të lirë demokratike dhe mbi të gjitha në një shoqëri të prosperitetit dhe të zhvillimit ekonomik. Dëshiroj edhe një herë t’ju falenderoj për vlerësimin që më bëtë! Është një vlerësim i cili më mbush më shumë me impenjim për të qenë më afër jush, më afër impenjimeve të Institucionit të Presidentit për të gjitha hallet dhe të gjitha sfidat që ka Shqipëria, por në mënyrë të veçantë zona e Mirditës.

Ne sot padyshim ishim të detyruar që të bënim edhe një ndryshim të axhendës, i cili vjen për shkak të një ngjarjeje tragjike dhe këto ngjarje tragjike kur ndodhin, nuk të paralajmërojnë. Ato janë të befta, janë të tilla që ne duhet të dimë t’i vlerësojmë, padyshim duke mos iu shmangur detyrimeve të një vizite pune. Gjithsesi kam rastin që në këtë vizitë të shpreh atë që edhe populli i Mirditës e shprehu nëpërmjet përfaqësuesve të tij, nëpërmjet njerëzve të pushtetit këtu në Rrëshen, atë ndjeshmëri dhe solidaritet që kanë shqiptarët për shqiptarët në momente të tilla hidhërimi. Ajo tragjedi e mbrëmshme natyrisht ka pllakosur në zi familjet, të cilat u përfshinë në këtë tragjedi, por pa diskutim ka mbushur me hidhërim zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Unë erdha sot në Mirditë jo vetëm mbi bazën e një premtimi të dhënë kohë më parë, por edhe si rezultat i një motivimi të brendshëm për të ardhur sa më shpesh në këto zona të traditës, mbi të gjitha, zona që kanë një perspektivë të qartë të zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror. Kemi thënë edhe në takime të tjera, që do të vijë dita, kur kjo zonë do të jetë pranë një aksi, i cili do të konsiderohet një aks historik. E kam fjalën për aksin rrugor Durrës-Kukës, që kalon pikërisht në zonën tuaj, në zonën e Mirditës. Ky është një eveniment i spikatur, jo vetëm historik sepse lidh Shqipërinë me Kosovën, në një moment shumë historik për kombin shqiptar, në momentin kur Kosova jo vetëm ka shpallur pavarësinë, por çdo ditë vjen njohja nga vendet më me vlerë në rruzullin tokësor, nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lista e vendeve që po e njohin Kosovën po shtohet dita ditës. Zona e Mirditës ka një shans historik që ta përjetojë jo vetëm si një eveniment që i takon të gjithëve, i takon të gjithë shqiptarëve kudo ata jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, por që ka bëjë edhe me të ardhmen e tyre ekonomike. Pra, jeni sot pranë një mundësie shumë të madhe që duhet të dini ta vlerësoni, duhet të dini ta vlerësoni, sepse kësaj zone nuk i kanë munguar asnjëherë potencialet intelektuale, potencialet e profesionistëve, potencialet vizionare për ta parë të ardhmen e Mirditës ashtu siç ne e kërkojmë, pra për të qenë realistë në standardet e kërkuara dhe për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Unë jam i bindur që pushteti vendor, biznesi, intelektualët në përgjithësi duhet të dinë të projektojnë të ardhmen e tyre në këtë zonë. Sigurisht koha e sotme njeh tendencat për lëvizje demografike, për lëvizje nga fshati drejt qytetit dhe këto janë tendenca normale. Çdonjëri sot është i lirë që të zgjedhë se ku dëshiron që të jetojë. Por është shumë e rëndësishme që të vlerësohen edhe potencialet e zhvillimit të perspektivës në zonën ku ju keni jetuar dhe vazhdoni të jetoni. Unë besoj që këtë mundësi do ta kenë edhe të tjerë, që ndonëse banojnë në zona të tjera do të ushtrojnë aktivitetet e biznesit në këtë zonë. Ju duhet të shfrytëzoni këtë moment për të projektuar të ardhmen tuaj, të ardhmen e bizneseve të familjeve të Mirditës pikërisht në këtë zonë ku kalon aksi shumë i rëndësishëm që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, por do të jetë një aks shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, zhvillimit të turizmit dhe unë jam i bindur që ju do të dini që ta vlerësoni me shumë maturi dhe me shumë profesionalizëm këtë mundësi të madhe që iu është dhënë.

Unë jam i bindur gjithashtu që zona juaj ofron mundësi shumë të mëdha të aktiviteteve jo vetëm në qytet, por në radhë të parë në zonat e fshatit. Unë e di që ka edhe investitorë të huaj që janë të interesuar që të vijnë dhe të punojnë, të eksplorojnë zonën tuaj. Pra, rritja e ndërgjegjes qytetare është shumë e rëndësishme për të zhvilluar jetën dhe aktivitetin tuaj në këtë zonë. Unë si President i Republikës kam qenë gjithmonë i prirur që të zhvilloj dialogun me qytetarët, të shkoj në çdo pjesë të Shqipërisë për të kontaktuar, për të marrë mesazhet e qytetarëve, për të pasur mundësinë për të korrigjuar dhe mbi të gjitha është e rëndësishme në këtë situatë që sot ne po jetojmë në prag të disa sfidave shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ju e dini që debati politik në Shqipëri ka qenë gjithmonë një debat i pranishëm, shpeshherë me tone të forta, por që gjithsesi në një botë demokratike debati është i vlerësueshëm, është i mirëpritur. Sot është një klimë e tillë që partitë politike në përgjithësi kanë arritur të gjejnë gjuhën e dialogut për çështje të rëndësishme, për çështje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në NATO. Nga data 2 deri në datën 4 prill mblidhet Samiti i NATO-s në Bukuresht dhe janë të gjitha shpresat, janë të gjitha informacionet pozitive se Shqipëria do të marrë një ftesë në këtë Samit për t’u bërë pjesë e kësaj organizate të fuqishme të paqes dhe besoj që kjo do të jetë jo vetëm një fitore historike për institucionet e Shqipërisë, por do të jetë në shans i madh për çdo shqiptar, që ta ndiejë veten pjesë të familjes euroatlantike, por duke garantuar në këtë mënyrë edhe mundësinë e rritjes së sigurisë në Shqipëri, të sigurisë në çdo zonë të Shqipërisë, në çdo zonë të Ballkanit dhe mbi të gjitha të sigurisë, që do të kenë investitorët, të cilët mezi presin që të kenë një klimë të garantuar për biznesin e tyre.

Ne kemi një sfidë tjetër, që është sfida e integrimit në Bashkimin Evropian. Padyshim që është një rrugë më e gjatë, që kërkon patjetër zhvillim të standardeve dhe ne jemi të bindur që këto standarde nuk vijnë me një ditë. Duhet të punojmë shumë, duhet të punojmë fort duke filluar nga standardi i zgjedhjeve në Shqipëri, duhet të punojmë shumë nga standardi i edukimit arsimor, nga standardi i trajtimit shëndetësor dhe nga shumë standarde të tjera që lidhen me standardet ekonomike të familjes. Unë pata rastin sot të shoh një realitet mjaft optimist në qytetin e Rrëshenit. Së bashku me zotin Palmieri dhe përfaqësues të pushtetit vendor vizituam shkollën profesionale. Ishte një shkollë model, që do ta kishin zili të gjitha shkollat e tjera, shkollë e ndërtuar me standarde, por mbi të gjitha mbi bazën e një kurrikule perëndimore me thelbin praktik që zor se do ta gjejmë në ndonjë shkollë tjetër. Kjo do të thotë që ajo që po sillet në Mirditë është pikërisht ajo që e kanë shkollat e përparuara në perëndim, pra gjëra konkrete, gjëra praktike, jo shumë teorike, të cilat shpeshherë shkojnë në abstraksion dhe nuk përdoren, por gjëra të karakterit praktik që ne i ndiejmë të nevojshme çdo ditë. Dhe nëpërmjet shkollës fëmijët kanë mundësinë të marrin edukatën, të fitojnë një gjuhë të huaj, të dinë të sillen si qytetarë të standardeve evropiane dhe unë jam i bindur që ky sistem edukimi, që po futet në Rrëshen, të kontribuojë që shumë familje jo vetëm të punësojnë fëmijët e tyre duke e gjetur tregun e punës, por mbi të gjitha duke futur elementë të formimit qytetar që janë shumë të vlefshme për shoqërinë tonë.

Unë kam pasur rastin që kohë pas kohe të vij në Mirditë dhe shpeshherë kemi folur edhe për persekucionin. Ky lloj persekucioni ka qen unikal për këtë zonë. Por ka qenë edhe diçka tjetër unikale që ju duhet ta vlerësoni shumë: është pikërisht qëndrueshmëria e karakterit të mirditorit, i cili ruajti të pastër jo vetëm besimin, por ruajti të pastër edhe karakterin dhe nderin e familjes. Kjo erdhi padyshim jo në mënyrë spontane, por ka qenë një edukim i gjatë, shekullor që e ka bërë Mirditën që besimin katolik ta ruajë të pastër edhe nga influencat e kishave sllave, apo kishave helene, ç’ka do të thotë që këtu çdo gjë është e pastër, besimi është i pastër, qytetaria është mjaft e pastër dhe mbi të gjitha këto tradita juve duhet të dini që t’i çoni më tej. Unë, gjatë vizitës në Katedrale i thashë zotit Palmieri që misionarët e fesë në Mirditë kanë ditur të ushtrojnë aktivitetin e tyre shpirtëror, edukativ dhe kanë ditur që në rastin e edukimit të jenë edukues dhe mësues të mirë, në rastin e halleve dhe fatkeqësive të jenë misionarë të moralit dhe të mëshirës, kanë ditur mjaft mirë të jenë edhe shëronjës të mirë, të jenë doktorë të vërtetë dhe mbi të gjitha ata po shpalosin të gjitha linjat e perspektivës së moralit të kësaj zone që patjetër do të kontribuojë në mënyrë harmonike në të gjithë zonën.

Sot ne jemi në një moment kur duhet jo vetëm të vlerësojmë traditën e zonës, por edhe në një moment kur disa plagë të shoqërisë duhet t’i shohim drejt e në sy. Sot një preokupacion i madh i familjeve është standardi ekonomik, është punësimi, hapja e fronteve të punës dhe padyshim është edhe drejtimi i vëmendjes në familjet që janë në hall dhe në nevojë. Kështu që kombinimi i politikave të qeverisë qendrore, institucioneve të shtetit dhe i pushtetit vendor patjetër duhet të jetë i tillë që të merren në konsideratë njerëzit që janë në halle, të cilët jo në pak raste qëndrojnë jo në vëmendjen e duhur. Kjo është ndjenja, sensi i solidaritetit që ju e keni të shprehur, por duhet ta lartësoni më shumë këtë virtyt dhe këtë cilësi. Sot ekonomia shqiptare po ecën padyshim, po bën progresin e vet, institucionet shqiptare vijnë edhe konsolidohen, drejtësia shqiptare ka nevojë të shërohet. Ju keni dëgjuar, keni qenë vazhdimisht në kontakt edhe nëpërmjet mesazhe që sjell media, që drejtësia shqiptare duhet të kthehet patjetër në drejtësinë e qytetarit. Ka filluar një reformë; ju është e nevojshme që të informoheni më tej dhe kjo reformë prek në radhë të parë bazat e legjislacionit që rregullon gjyqësorin. Në këtë reformë janë përfshirë aktorët e politikës, është përfshirë Parlamenti, është përfshirë gjyqësori. Kemi dëgjuar edhe akuza të ndërsjellta, kemi dëgjuar edhe gjuhë të ashpër të përdorur në ambientet e gjyqësorit, por ju garantoj me sigurinë që ju jep Presidenti i Republikës, por edhe qytetari i thjeshtë i shoqërisë që është shumë e domosdoshme që në shoqëri të ketë debat, debat të fortë dhe nxjerrje të papastërtive në shesh. Ky sistem ka nevojë të shërohet dhe shërimi nuk vjen në një ditë. Shërimi duhet të vijë së pari nëpërmjet motivimit që duhet të ketë politika, duhet të kenë insitucionet e shtetit, por duhet të vijë edhe nëpërmjet motivimit që duhet të kenë vetë gjyqtarët, apo prokurorët. Në mjaft raste ne jemi koshientë që jepet drejtësi, por në mjaft raste ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk jepet drejtësia e merituar. Kjo do të bëjë që ne të rrisim mundësinë e lutës ligjore kundër korrupsionit, kjo do të na japë mundësinë që do qytetar i Republikës të jetë i vlerësuar, kjo do të na japë mundësinë që shoqëria jonë të ecë pa diskriminime, pra ai që ka para të shkojë të blejë procesin dhe ai që s’ka para edhe pse ka të drejtë nuk merr drejtësi. Unë jam i motivuar dhe së bashku me mua natyrisht edhe pjesa më e shëndoshë e politikës dhe pjesa më e shëndoshë e gjyqësorit që të reformojmë këtë sistem, sepse po u vendos në rregull sistemi i së drejtës në Shqipëri, të gjitha gjërat e tjera natyrisht do të vijnë mirë dhe do të vijnë duke u rregulluar.

Unë gjithmonë jam mësuar që dialogun me qytetarët ta realizoj në mënyrë të thjeshtë, të marr prej tyre mesazhe, por edhe të kthej mesazhe. Ne jemi në një situatë kur gjërat nuk mund të bëhen, nuk mund të kryhen vetëm nga një grup njerëzish, qofshin këta edhe përfaqësuesit politikë, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel kombëtar. Ka nevojë për një angazhim qytetar, intelektual të të gjithëve. Përfaqësuesit që keni këtu, megjithëse kanë bërë shumë do të jenë të detyruar të bëjnë shumë për njerëzit që i kanë zgjedhur. Ka nevojë që për veprat e mëdha të jenë të gjithë së bashku, të jenë solidarë, të ngrenë problemet që ka komuniteti dhe aty ku janë hallet e komunitetit, sigurisht që dallimet partiake janë shumë më të vogla. Unë jam i bindur që kjo zonë edhe në perspektivë, do ta zhvillojë këtë lloj komunikimi me qytetarët, ta zhvillojë këtë lloj komunikimi me institucionet dhe unë ju siguroj për diçka që unë do të jem shumë i vëmendshëm për të gjitha sfidat, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjitha sfidat që ka kjo zonë. Do të jem i pranishëm, e thashë edhe pak më parë, me protokoll, pa protokoll, unë e ndjej të nevojshme që kohë pas kohe të vij në Mirditë, të takoj miqtë, të marr mesazhe të drejtëpërdrejta nga kjo zonë, sepse është zonë e traditës, është një zonë shumë e mençur, është një zonë që di të japë mesazhe për perspektivën. Çdo politikan e ka të nevojshme të vij këtu, të retushojë edhe qëndrimet e veta. Unë jam i bindur që këtë do ta bëj në mënyrë shumë të natyrshme, sepse kur vij në Mirditë, vij si në shtëpinë time.

Ju faleminderit”!

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0