24 ore lajme: Presidenti Topi shpreh dhimbjen për tragjedinë e ndodhur në liqenin e Farkës dhe ngushëllon familjarët e viktimave. Presidenti Topi shpreh dhimbjen për tragjedinë e ndodhur në liqenin e Farkës dhe ngushëllon familjarët e viktimave. ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 06 March, 2008 07:06:00 Lajmin e humbjes së jetëve të pafajshme në tragjedinë e Farkës e përjetoi me dhimbje e trishtim edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka shprehur publikisht ngushëllimet për familjarët, gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Rrëshenit. “Sinqerisht nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe trishtimin që më ka pllakosur në momentin kur mora vesh lajmin e kësaj tragjedie, që përfshiu tre familje”, - u shpreh Kryetari i Shtetit, duke vijuar: “Një tragjedi e këtyre përmasave sigurisht të mbush me shumë trishtim dhe njeriu e ka të vështirë të zgjedhë fjalët e duhura. U konsumua një tragjedi, për fat të keq, në konturet e një absurdi. Një pakujdesi, të cilën ne po e ndeshim në mënyrë shumë të shëmtuar. Janë shumë jetë njerëzish, jetë njerëzish që fshihen brenda disa çastesh. Ndjej një hidhërim shumë të thellë, para së gjithash për familjarët e mbijetuar, por unë dëshiroj gjithashtu të ndaj dhimbjen time me dhimbjen e familjarëve. Dëshiroj t’u shpreh edhe njëherë familjarëve ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ju dhëntë kurajo dhe vullnet për ta përballuar këtë dhimbje kaq të madhe. Më tej, Kryetari i Shtetit ka garantuar familjarët se “së bashku me dhimbjen dhe hidhërimin e thellë që ndjej, dëshiroj të shpreh sigurinë se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar do të jenë pranë familjarëve, të cilët, në këto çaste, kanë më shumë se asnjëherë tjetër nevojë për kurajo, ndihmë dhe mbështetje!”