Newsletter
Email:
Votim: Zbardhja e Gerdecit
A besoni se drejtesia shqiptare do te zbardhe plotesisht Gerdecin?
Faqja e Pare | Shqiperia | Lajme nga Presidenti | Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi kërkojnë ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi kërkojnë ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Zonja e pare duke dhuruar lule per femijet jetime

Zonja e Parë, Teuta Topi, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi morën pjesë sot paradite në aktivitetin e organizuar me rastin e 15-vjetorit të Degës së Pogradecit të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë dhe Festave të 7 e 8 marsit në qytetin e Pogradecit.

Presidenti dhe Zonja e Parë janë pritur dhe përshëndetur nga anëtarët e kësaj shoqate, Prefektja e Korçës Elfrida Zefi, Kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, Kryetarja e Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit Manushaqe Kromollari dhe Kryetari i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alia.

Në hapje të aktivitetit, Kryetarja e Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit, Manushaqe Kromollari, bëri një përshkrim të punës së shoqatës dhe objektivave të saj.

Gjatë aktivitetit festiv, Zonja e Parë dhe Presidenti i Republikës kanë bashkëbiseduar ngrohtësisht e me ndjeshmëri të veçantë me përfaqësuesit e kësaj shtrese sociale, fëmijë jetimë e prindër të vetëm mbi vështirësitë, me të cilat përballen në jetën e përditshme dhe përpjekjet për t’i kapërcyer ato.

Në përshëndetjet e tyre Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi dhe Kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi shprehën gatishmërinë e strukturave vendore për të asistuar këtë shtresë specifike të shoqërisë në nevojat e tyre të përditshme.

Vëmendje në drejtim të arsimimit të kësaj shtrese ka ofruar edhe Drejtoresha e Arsimit të Pogradecit, Sofika Binishi.

Në përfundim, fëmijët e Pogradecit dhanë një shfaqje artistike me këngë, valle dhe poezi të recituara për nder Presidentit Topi dhe Zonjës së Parë, e cila u shpërndau lule të pranishmëve edhe me rastin e Festës së mësuesit më 7 mars dhe asaj të grave më 8 mars.

 

Fjala e zonjes Topi

 

Të nderuara nëna dhe motra,
Të dashur fëmijë,

E prita me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet me rastin e përvjetorit të 15-të të krijimit të degës, të Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit. Është një kënaqësi të jesh në këtë qytet shumë të bukur me plot tradita e me bukuri natyrore. Gjej rastin për ta përgëzuar këtë shoqatë, e cila si pjesë Shoqatës Kombëtare të Jetimëve punon me shumë përkushtim dhe me shumë humanizëm për të ndihmuar dhe për të integruar në jetën e përditshme këtë grup fëmijësh dhe njëkohësisht e falenderoj për traditën, të cilën ajo ka krijuar që në ditë festash të jenë të gjithë fëmijët së bashku. Ky grup fëmijësh e ka të domosdoshme që të festojë së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Ju jeni një pjesë e shoqërisë dhe keni të drejtë të jetoni dhe të punoni njëlloj si gjithë të tjerët, si të gjithë bashkëmoshatarët tuaj. Ndjehem shumë mirë që Shoqata juaj përpiqet për integrimin tuaj real në jetën shoqërore. Unë ju uroj nga zemra që të jeni fëmijë të mbarë dhe gjithmonë të dashur me të gjithë fëmijët e tjerë! Nuk duhet harruar asnjëherë kjo! Gjithmonë së bashku do të bëni të mundur që qyteti juaj, i cili është një perlë që e ka dhuruar natyra, një resurs natyror siç është liqeni i Ohrit, një perlë në të gjithë gadishullin e Ballkanit, pra, ju do ta ktheni qytetin tuaj në një perlë turistike. Është një detyrë që ju takon juve për të ardhmen tuaj.

Por ky përvjetor i kësaj shoqate përkon edhe me festat e 7 dhe 8 Marsit. Unë doja me këtë rast të uroja të gjitha nënat, ato gra që tregojnë dedikimin e vërtetë që ka një nënë brenda qënies së saj për të rritur fëmijë jo vetëm të shëndetshëm, por për të rritur fëmijë të edukuar, fëmijë të arsimuar dhe fëmijë, të cilët do të jenë e ardhmja e vendit dhe që do t’i shërbejnë sa më shumë atij. Me këtë rast unë dua t’ju përgëzoj të gjithave dhe t’ju uroj suksese në jetë dhe në punë! Ju uroj nga zemra gjithë të mirat!

Fjala e presidentit Topi

 Së pari dëshiroj ta filloj fjalën time me një përshëndetje të veçantë për fëmijët, ndjeshmëria për të cilët na bëri që të gjithëve, që të realizojmë këtë takim. Së dyti për nënat, por edhe për ndonjë baba që mund të jetë i pranishëm këtu dhe i cili është i detyruar nga rrethanat e jetës që të vuajë njësoj atë që vuan nëna, kur i ikën bashkëshorti. Dëshiroj gjithashtu të falenderoj organizatorët për këtë mundësi që na dhanë, për të shprehur jo thjesht sentimentet personale, apo të momentit, por për të shprehur përkushtimin dhe detyrimin për përkushtim institucional. Unë dëshiroj gjithashtu të falenderoj Kryetarin e Bashkisë, Prefekten, të gjithë zotërinjtë që janë këtu, të cilët realisht po japin shembullin e krijimit të një klime, e cila është jo vetëm e nevojshme, por është e domosdoshme për të trajtuar problemet mjaft komplekse, që kanë të bëjnë me jetimët.

Me Kryetarin e Shoqatës Kombëtare unë jam takuar disa herë në cilësi të ndryshme, por një moment unë nuk do ta harroj. Kemi qenë në Kuvendin e Shqipërisë, në mos gaboj ka qenë nëntor i vitit 1996, në momentin kur Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin për jetimët, nga galeria sipër erdhën duartrokitje dhe besoj që ishte një moment shumë i rëndësishëm, kur kjo shoqatë, e cila u krijua dhe vazhdon të operojë, jo thjesht mbi një sfond, apo bazament human, por me detyrimin që të jetë mbrojtëse e interesave të jetimëve të Shqipërisë, arriti që së bashku me kolegët dhe me të gjithë parlamentarët ta fusë aktivitetin e saj në një rrafsh ligjor. Kanë kaluar 15 vite dhe 15 vite nuk janë pak. Por gjatë kësaj kohe fati dhe drejtimi i jetës sjell gjithmonë situata kur fëmijët mbesin jetimë, por kurrësesi nuk duhet të mbesin jetimë nga përkujdesi i shtetit, nga përkujdesi i shoqatave, tek e fundit nga përkujdesi human, nga përkujdesi njerëzor. T’i themi gjërat në një sens më realist. Sot është e vështirë, për shkak të vrullit, ritmeve që ka jeta, për shkak të vështirësive që ka jeta, për shkak vetë periudhës që kalojmë, kur secili kërkon të stabilizojë pozicionin, aktivitetin e tij, është e vështirë që të edukosh, që të rrisësh fëmijën duke pasur të dy prindërit. Përfytyroni se sa e vështirë është kur njëri nga prindërit mungon, përkushtimi i nënës apo i babait në rastin tjetër është i tillë që duhet të na bëjë ne, të mos ta shohim duke bërë sehir. Në duhet patjetër të rikthejmë ndjeshmërinë në parametrat humanë tek gjithësecili. Por edhe kjo nuk mjafton. Ne duhet të jemi të vëmendshëm që të organizojmë një rrjet të të gjitha institucioneve, qofshin këto institucione të shtetit, qoftë edhe institucione të tjera që janë pjesë e shoqërisë civile, janë pjesë e kontigjentit të biznesmenëve, unë besoj që edhe pushteti lokal ka një përgjegjësi të drejtëpërdrejtë.

Shoqata Kombëtare vërtet funksionon në të gjithë Shqipërinë. Fakti që sot jemi në Pogradec, fakti që kemi qenë edhe në qytetet e tjera, ndoshta jo me këtë tematikë specifike, por kemi dëgjuar të njëjtën problematikë, por edhe plani që kemi për të vizituar në të gjithë Shqipërinë e për të pasur afër pikërisht përfaqësues të kësaj shoqate nëpër qytete të Shqipërisë, tregon që ne jemi të përkushtuar që ta trajtojmë këtë problem. Problemet janë mjaft komplekse, problemet fillojnë me çështjet ekonomike, me çështje të punësimit, vazhdojnë me probleme të strehimit. Ne e pamë në strukturë, në përqindje që rreth 56% e jetimëve në rrethin tuaj jetojnë në fshat dhe pjesa tjetër në qytet. Sigurisht secili ka vështirësitë e veta. Ne jemi sot këtu jo vetëm për të përkujtuar një eveniment në prag të festave të 7 dhe 8 Marsit, pra janë dy festa shumë sinjifikative, njëra dita e mësuesit, që është shumë i lidhur me edukimin e fëmijëve. Unë besoj që ndjeshmëria tek mësuesi është për të mbuluar atë pjesë të edukimit në shkollë të fëmijëve pa përjashtim, por do të thoja me një mesazh në mënyrë të veçantë për fëmijët jetimë, sepse mbush një boshllëk. Pjesa tjetër ka të bëjë me festën e 8 Marsit, që është festa e nënës, të cilat përveç humbjes së bashkëshortit kanë edhe preokupimin e madh për të rritur fëmijët.

Kjo është pjesa që ne padyshim e evidentojmë. Pjesa tjetër shumë e rëndësishme është se çfarë duhet të bëjmë? Ajo që duhet të bëjmë, duhet të jetë shumë e menduar shumë e organizuar. Unë do t’i sugjeroja Shoqatës, e cila natyrisht ka bazamentin e vet ligjor, ka veprimtarinë e vet, ka përkushtimin dhe preokupacionin e vet që duhet të dijë të ndërtojë në mënyrë shumë të studiuar të gjithë problematikën. Sigurisht që e gjithë problematika nuk përballohet me një ditë dhe me një muaj, sepse janë çështje mjaft komplekse. Por shoqata duhet të dijë në mënyrë specifike të evidentojë rastet më problematike që mund të fillojnë me përkujdesjen, me ndihmën ekonomike, por ka mjaft raste që konsiderohen shumë shqetësuese përsa i përket edhe strehimit. Pra e rëndësishme është që të ndërtojmë një rrjet të mirëorganizuar të të gjitha institucioneve. Është shumë e rëndësishme që në këto kohë edhe media të bëjë një punë më të kualifikuar dhe me një vëmendje më të madhe ndaj këtij kontigjenti fëmijësh, në mënyrë që këta fëmijë të ndiejnë gjithmonë kujdesin që vjen jo vetëm nga familja, por edhe nga shoqëria. Së dyti është shumë e rëndësishme që pa asnjë lloj hezitimi duhet të krijohet një ndjeshmëri tjetër edhe tek politika, duhet të krijohet një lobing i vërtetë edhe në Parlament për çështje që nuk mjaftojnë të futen në rrugën e reformimit të ligjit, por edhe një lloj suporti edhe nëpër institucionet e tjera. Çdo qytet përfaqësohet në Parlament, do të ketë ndoshta një përfaqësim më të mirë, më harmonik me mundësinë që kemi, të paktën për atë që kanë deklaruar partitë politike për të ndryshuar sistemin zgjedhor, kur në mënyrë shumë harmonike do të përfaqësohen të gjitha rajonet e Shqipërisë. Me këtë dua të them që ekziston mundësia e plotë që të rritet vëmendja dhe përkujdesi për fëmijët jetimë. Unë natyrisht do të bëj më të mirën, brenda mundësive të mia dhe të institucionit, për të promovuar, stimuluar dhe për të qenë i pranishëm jo thjesht për efekt psikologjik, por për të demonstruar që ka nevojë që të ketë një nxitje në këtë drejtim, në mënyrë që njerëzit të mos futen në konturin e halleve të tyre dhe të indiferencës së tyre, por të jenë më sensibël, për të kontribuar në mënyrë të veçantë për këtë kategori, sepse fëmijët do të rriten, sepse është vetë vitaliteti i moshës, është vetë jeta që do ta bëjë të vetën, fëmijët do të rriten. E rëndësishme është që këta fëmijë të rriten me përkujdesin e duhur. Unë sinqerisht ju falenderoj për organizimin e këtij takimi dhe në 15-vjetorin e Shoqatës ju uroj që të rrisni patjetër cilësinë e veprimtarisë së Shoqatës tuaj dhe për këtë jam i bindur, duke ju ofruar publikisht ndihmën dhe kontributin e pakursyer të Institucionit të Presidentit.

Faleminderit!

 

Me poshte keni foto nga aktivitetet:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente (1 vendosur):

blerta ne 06 March, 2008 04:41:03
avatar
te lumt z.president sepse humanizmi juaj shihet qart, mjafton nje perkdhelje e juaja per keta femij te vuajtur shpirterisht,ju lumt

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Vlereso artikullin
0