Presidenti Topi priti Kryesinë e Federatës kosovare të Futbollit të udhëhequr nga Fadil Vokrri.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave Kryesinë e Federatës kosovare të Futbollit të udhëhequr nga Kryetari i saj, ish-futbollisti i njohur kosovar, Fadil Vokrri.
Gjatë takimit të ngrohtë dhe miqësor, Presidenti Topi shprehu urimet më të mira për pavarësinë e Kosovës, duke vënë në dukje që shteti më i ri, sovran, i pavarur, shumëetnik dhe që respekton të drejtat e pakicave sipas standardeve ndërkombëtare, e ka qetësuar përfundimisht rajonin tonë, pavarësisht disa përpjekjeve të izoluara ekstrimiste që po fashiten me kalimin e kohës, duke bërë të mundur futjen e Ballkanit në rrugën e pakthyeshme të integrimit në familjen e madhe euro-atlantike.
Kreu i shtetit, pasi vuri në dukje përpjekjet e Shqipërisë për kapërcimin me sukses të dy sfidave integruese për në NATO dhe në Bashkimin Europian, theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe lidhjeve të gjithanshme, ku veçoi ndërtimin e Rrugën Durrës-Morinë që do të mundësonte dhe lehtësonte lëvizjen dhe zhvillimin më të shpejtë e më të sigurtë të biznesit, të turizmit dhe të të gjitha aspekteve të tjera, ku padyshim futet edhe fusha e sportit. Në këtë pikë, Presidenti Topi vlerësoi kontributin e madh të lojtarëve kosovarë në përfaqësuesen tonë kombëtare të futbollit, duke shtuar se në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme, sidomos atyre sportive, mund të konsiderohet edhe organizimi i takimeve të ndryshme miqësore mes ekipeve shqiptare të futbollit dhe atyre kosovare.
Përfaqësuesit e Federatës kosovare të Futbollit, edhe në emër të të gjithë klubeve dhe udhëheqësve të futbollit kosovar, i shprehën mirënjohjen e thellë Presidentit Topi, Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar për rolin e çmuar e të pazevëndësueshëm në interes të çështjes së Kosovës dhe arritjes së pavarësisë së saj. Zoti Vokrri u shpreh se Federata kosovare e Futbollit po përpiqet të anëtarësohet në FIFA dhe për këtë do t’i nevojitet edhe mbështetja e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, për të cilën u sigurua edhe nga Presidenti Topi.
Në përfundim të takimit, Përfaqësia e FKF-së pasi falenderoi Kreun e shtetit për mikpritjen, i dhuroi Presidentit Topi emblemën zyrtare të Federatës kosovare të Futbollit.
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg
Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj