Faqja e Pare | Shqiperia | Lajme nga Presidenti | Fjala e hapjes se presidentit Topi ne mbledhjen e Keshillit te Larte te Drejtesise

Fjala e hapjes se presidentit Topi ne mbledhjen e Keshillit te Larte te Drejtesise

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Presidentit Topi në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Unë sot hap mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sikurse jeni vënë në dijeni rendi i ditës është kompleks, por pika më e rëndësishme është rishikimi i kritereve për emërimin e kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të Gjykatave të Rrethit Gjyqësor dhe të Apeleve. Jemi në një moment mjaft të rëndësishëm, unë dëshiroj nga ky pozicion të vlerësoj vendimin e ri të miratuar ditët e fundit nga Parlamenti shqiptar për gjyqësorin, i cili erdhi si rezultat i kohezionit të vullnetit politik të partive politike parlamentare, për një reformë që është bazale në sistemin e drejtësisë, për t’i dhënë shans pozitiv jo vetëm për imazhin e Shqipërisë në sfidat e integrimit euroatlanik, por për t’i dhënë në radhë të parë mundësinë çdo qytetari që të ndihet i sigurtë tek drejtësia, pra për ta kthyer këtë shtet në shtetin e së drejtës në shtetin e qytetarit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë vazhdimisht i vëmendshëm dhe këtë e kam konstatuar tek gjithësecili prej jush, që momente të tilla kur kërkohet të bëhet një reformë në sistemin e drejtësisë, gjithsecili nga ju është ofruar profesionalisht për të dhënë mendimet e veta, për të qenë pjesë e këtij debati shumë të rëndësishëm, që, sikurse e kemi thënë, nuk është thjesht një debat politik, por është një kombinacion i nevojshëm, i domosdoshëm i opsioneve politike dhe i mbështetjes profesionale. Në një debat të tillë, kaq të gjerë kuptohet që ka edhe elementë të nevojshëm për bashkëpunimin, mund të ketë edhe mospërputhje, por e rëndësishme është që në këtë fazë, në esencë gjërat po shkojnë mirë dhe ky është një sinjal shumë pozitiv që hap pas hapi i gjithë sistemi do të vijë duke u reformuar. Natyrisht do të ketë një reformim të kujdesshëm dhe është e kuptueshme që ky reformim vjen nga vullneti që shprehet në Parlament. Pra është e drejtë ekskluzive e Parlamentit shqiptar që të bëjë reformimet ndaj kuadrit ligjor, që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë dhe të gjitha strukturat e tjera që janë në gjyqësor e që do të dëgjohen hap pas hapi për të shprehur mendimet, vlerësimet e tyre dhe kështu ecin gjërat në demokraci. Pra, bashkërendimi i të gjitha drejtimeve në nivel ndërinstitucional është momenti më i mirë që do të na bëjë të gjithëve të jemi pjesë dhe të konsiderohet gjithësecili si pjesëtar mjaft i rëndësisshëm, i qenësishëm në këtë proces. Pra, dhe momenti që ne do të fillojmë ta diskutojmë ka të bëjë pikërisht me rishqyrtimin e kritereve të emërimit të kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor dhe të Apelit, ka të bëjë pikërisht me këtë proces. Jemi në sinkron edhe me ligjin e miratuar dhe është shumë e rëndësishme që të absorbohet nga të gjithë, edhe ata që do ta ndjekin nëpërmjet medias. Këtu nuk bëhet fjalë për anulime mandatesh, këtu nuk bëhet fjalë për mënjanime nga konkurimi, këtu fusha konsiderohet e hapur për të gjithë, qofshin ata që nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e strukturave drejtuese, qofshin ata që konsiderohen të larguar nga ky pozicion, janë të gjithë në garë, në konkurencë dhe ky është elementi më i rëndësishëm që ia jep edhe ligji, që ia jep edhe fryma me të cilën ne kemi diskutuar dhe unë besoj që ky është një moment që duhet t’i interesojë çdo gjyqtari që aspiron të bëhet kryetar, apo zëvendëskryetar i Gjykatave të Rrethit Gjyqësor dhe të Apelit. Pra, në këtë frymë ne do të diskutojmë dhe kuptohet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka të drejtën e vet kushtetuese, ligjore që të merret me kriteret dhe në këto pika të shqyrtojë rast pas rasti të gjitha ato modalitete që do ta bëjnë këtë proces koherent me ligjin, me frymën e ligjit dhe, ç’është më e rëndësishmja, me ndjeshmërinë qytetare dhe ndjeshmërinë publike. Pra, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pa dyshim, duhet t’i kushtojë këtij procesi të përzgjedhjes një rëndësi mjaft të veçantë, sepse vetë specifika e kushteve në Shqipëri është e tillë që ka rrethe gjyqësore, që nuk kanë përmasat e asaj që ka Tirana, që ka Durrësi, që kanë edhe qytetet më të vogla, ku komuniteti në çdo lloj rrethane është mjaft i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Kështu që ky proces duhet të konsiderohet një proces shumë transparent. Natyrisht askush nuk eleminon të drejtën ekskluzive kushtetuese që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por të gjithë së bashku, ne e kemi konsumuar këtë bisedë, dëshirojmë të dalim në një metodikë të re, ku të marrim në konsideratë jo vetëm konturet e këtij auditori, të kësaj salle, të kësaj strukture, por të pasqyrojmë frymën e bashkëpunimit me komunitetet në mënyrë që ajo që është kërkuar gjithmonë nga strukturat e drejtësisë, pikërisht ajo që ka të bëjë me transparencën, të implementohet dhe të bëhet diçka e praktikueshme. Unë nuk kam dëgjuar askënd deri më sot që kërkon t’i marrë vendimet në salla të mbyllura. Fakti që ne jemi të hapur për median është një nevojë jetike për komunikimin, ndryshe gjithçka do të kthehej në retorikë, gjithçka do të kthehej në deklarata të panevojshme për t’u bërë dhe ne dëshirojmë që reformimi i sistemit të drejtësisë, krahas asaj që bëhet në frymën e ligjit, të jetë edhe në metodën që do të shkojë në sinkron me frymën e ligjit, pikërisht me atë që i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pavarësisht nga pozicioni, apo nga kompetencat e mirëpërcaktuara, kryetari i gjykatës, që do të zgjidhet, në mënyrë të paevitueshme është imazhi i trupës gjyqësore që ai kryeson dhe standardi që ai reflekton në marrëdhënie me të tretët duhet të demonstrojë gjithnjë e më shumë përfaqësuesin e gjyqësorit me integritet profesional dhe moral. Ç’ka do të thotë që metodika e përzgjedhjes të kryetarëve të gjykatave, duhet të jetë një metodikë shkencore, nuk duhet të bëhet në mënyra të vrullshme revolucionare, por duhet të bëhet, përderisa ka termin “shkencore”, duhet të bëhet në mënyrë shumë objektive, larg subjektivizmave, jashtë influencave të segmenteve të caktuara, që pa e paragjykuar, por, në një vlerësim shumë parimor mund të jetë nga vetë gjyqësori, mund të jetë nga komuniteti, mund të jetë nga politika, mund të jetë nga institucionet, pra ne duhet ta bëjmë një proces të pastër. Ka shumë rëndësi se si udhëhiqet, ka shumë rëndësi se si merr pjesë në këtë proces, ka shumë rëndësi se me sa seriozitet ndiqet ky proces. Unë kam bindjen në këtë moment shumë të rëndësishëm, kur edhe psikologjikisht, qoftë faktorët politikë, qoftë faktorët e institucioneve më të rëndësishme, qoftë njerëzit e komunitetit të gjyqtarëve janë vendosur në momentin më të rëndësishëm të historisë së institucioneve shqiptare, pikërisht në ato momente kur kërkohet angazhim, kërkohet motivim që të mos bëhet asnjë gabim, në momentet kur ne presim që të marrim ftesa konkrete në sfidat tona integruese. Është momenti më i rëndësishëm kur institucionet e shtetit e strukturat e gjyqësorit, duhet të shtojnë kooperimin e tyre. Debatet publike janë gjithmonë të rëndësishme, por kur gjërat shtrohen në tryezë, është shumë e rëndësishme që kooperimi të bëhet në mënyrë institucionale, të bëhet në mënyrë civile, në mënyrë shumë të pjekur, sepse po projektojmë shtetin e ri modern me standardet që kërkojnë strukturat ku ne do të integrohemi. Këtu nuk ka asnjë lloj shpikjeje, nuk ka asnjë lloj eksperimentimi, standardet janë. E kemi shumë të domosdoshme që të forcojmë standardet etike të komunikimit. Janë pikërisht ato që krijojnë premisat që i gjithë procesi të jetë i harmonizuar në funksion të qëllimit që kemi. Unë jam i bindur që edhe kjo çështje kaq e rëndësishme që po merret nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të operojë më tej me shumë sukses, natyrisht do të kërkojë mjaft angazhim, sepse të gjithë duhet të jemi në lëvizje për të ndjekur problemet nga afër dhe, besoj ajo që shpreha që në fillim në fjalën time, objektiviteti i vendimmarrjes është ai që konsiderohet më i rëndësishmi.

Unë mendoj që duhet të përmend në përfundim të fjalës sime se qëndrimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë jo vetëm që është në koherencë me ligjin e ri, që ka të bëjë me periudhën e qëndrimit në detyrë të kryetarëve të gjykatës, por, duhet të përqendrohemi në këtë pikë për ta ripërsëritur, për ta ritheksuar, i jep të drejtën e rizgjedhjes në pozicionin drejtues edhe atij që konsiderohet i larguar. Në prezantimin e programit të drejtimit të gjykatës në prani të një audience të gjerë, me përfaqësues të zgjedhur të komunitetit, çdo kandidati i jepet mundësia që të shprehë jo vetëm vizionin e tij, por natyrisht, të dalë përpara komunitetit edhe për të marrë vlerësimin e këtij komuniteti. Ju e dini fare mirë që eksperienca e të gjithë këtyre viteve të tranzicionit, e ka bërë ndoshta me probabilitetin më të lartë, që çdo qytetar të ketë patur patjetër shansin për t’u përballur me strukturat e drejtësisë, ç’ka do të thotë që komuniteti është mjaft i azhornuar me problemet e gjyqësorit, sepse ka qenë i azhornuar me problemet e veta, kështu që ai është në gjendje sot pas kaq vitesh të japë një gjykim, jo vetëm për gjyqësorin, por të japë një gjykim edhe për aktorët, të cilët do të jenë në garë. Unë mendoj që ne po realizojmë një aspekt të rëndësishëm të asaj që ëhtë dhe vazhdon të ritheksohet, aspekti i parë i domosdoshëm i transparencës ndaj publikut. Pastaj çështjet e profesionalizmit, çështjet që kanë të bëjnë me pozicionin kushtetues, ligjor që i takojnë këtij Këshilli, natyrisht e keni ju, e kemi të gjithë ne, dhe në përfundim të të gjithë këtij procesi natyrisht ne do te jemi sërish në komunikim me mediat për të bërë transparent edhe vendimet që do të marrim sot.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
0