Konferencë e përbashkët për shtyp e Presidentit Topi dhe Presidentit Crvenkovski
Në përfundim të bisedimeve, Presidenti Topi dhe Presidenti Crvenkovski iu përgjigjën interesimit të mediave:
Presidenti Topi:
Përshëndetje të gjithëve! I nderuar zoti President!
Kam dëshirë të ripërsëris edhe para përfaqësuesve të medias me këtë rast fjalët e mirëseardhjes. Kemi vlerësuar së bashku që niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve tona është mjaft i mirë. Sikurse është konstatuar niveli i dialogut politik është mjaft cilësor në të gjitha nivelet institucionale: me Institucionin e Presidentit të Republikës me qeverinë, me parlamentin. Kemi konstatuar që ndajmë mendime të përafërta, edhe për çështje të tjera identike përsa i përket zhvillimeve në rajon, por mbi të gjitha kemi evidentuar edhe një herë faktin që Shqipëria dhe Maqedonia kanë të njëjtën prespektivë atë të integrimit në familjen euro-atlantike. Kemi diskutuar rreth situatës dhe zhvillimeve politike në dy vendet tona. Institucionet e Shqipërisë janë të motivuara të zhvillojnë reformat e karakterit politik, ekonomik; reformat mjaft komplekse që lidhen me institucionet e drejtësisë si një një shprehje jo vetëm e vullnetit politik të forcave politike dhe institucioneve në Shqipëri, por edhe një kërkesë për respektimin e standardeve në rrugën e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane dhe në NATO.
Natyrisht ne diskutuam edhe për çështjet e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe bizneseve, për çështje të projekteve të përbashkëta në fushën e energjitikës, në fushën e transportit, në fushën e telekomunikacioneve dhe kemi konstatuar që porti i Durrësit, qyteti i Durrësit si portë hyrëse e Korridorit 8, patjetër që është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, por është mjaft i rëndësishëm edhe për interesat e biznesit maqedonas. Kam informuar zotin President Crvenkovski për perspektivën e qartë të zhvillimit jo vetëm të Durrësit, por edhe të infrastrukturës publike në Shqipëri edhe ajo që po konstatohet edhe në ditët tona, pra e kam fjalën për sezonin e verës, për një zhvillim të rëndësishëm të turizmit, fluksi i qytetarëve të Maqedonisë drejt brigjeve shqiptare do të jetë patjetër në një tendencë në rritje në ditët në vazhdim. Kam përshëndetur hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar dhe kemi inkurajuar gjithashtu hapjen e pikave të tjera në mënyrë që lëvizja e njerëzve të jetë më e lirë në funksion të bizneseve dhe turizmit.
Një pjesë të rëndësishme të bisedave tona e ka zënë çështja e Kosovës. Kosova është një realitet i ri në rajonin ballkanik. Kemi përshëndetur jo vetëm njohjen nga 43 shtete të rëndësishme të botës, por unë personalisht kam përshëndetur gjithashtu edhe konferencën e donatorëve që u realizua më datën 11 korrik, ku Kosovës i është dhënë një ndihmë e rëndësishme financiare nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, çka demostron se njohja e Kosovës nuk është thjesht në planin politik, por ajo tani po ndihmon edhe ekonomikisht. Unë edhe një herë kam demostruar pikërisht mirënjohjen për lidershipin kosovar inkurajimin e misionit të tyre politik dhe intitucional për të ndërtuar një shtet mbi bazat e multietnicitetit një shtet demokratik, i cili perspektivën e tij patjetër do ta ketë si vendet e tjera të rajonit në Evropën e Bashkuar dhe në NATO. Kam vlerësuar me nota kritike tendenca ultranacionaliste që destabilizojnë sidomos pjesën e veriut të Kosovës në Mitrovicë. I kam bërë thirrje,dhe po e bëj sërish sot këtu që këto tendenca duhet patjetër që të sfumohen në mënyrë që të përjashtohet çdo lloj skenari i mundshëm që qëndron në kokat dhe në mëndjen e ultranacionalistëve për një mundësi ndarjeje të Kosovës. Kosova është projektuar si një shtet i ri, integral ku në mënyrë absolute nuk do të ketë asnjë lloj shansi për ndarje të territoreve të saj ku nuk duhet të ketë ndërtime institucionesh mbi baza etnike sikurse mendohet nga qarqet ultranacionaliste që të realizohet në komunat me shumicë serbe. Ne besojmë që misioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki Mun për rikonfigurimin e Misionit të UNMIK-ut të Kosovës dhe bashkëpunimi i UNMIK-ut, i EULEKS-it dhe i KFOR-it është shumë i rëndësishëm për moskrijimin e vakumeve institucionale në territorin e Kosovës.
Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet në rajon. Ne mirëpresim që të realizohet sa më shpejt qeveria e re në Maqedoni, e cila tashmë është projektuar mbi bazën e një koalicioni të ri, ku kësaj radhe në qeveri do të jetë një parti shqiptare, ajo e Bashkimit Demokratik për Integrim të z. Ahmeti dhe jemi të bindur që stabiliteti dhe integriteti i Maqedonisë është mjaft i rëndësishëm dhe jemi të bindur gjithashtu që do të ketë dhe një zbatim rigoroz të marrëveshjes së Ohrit që është një marrëveshje bazale për funksionimin e institucioneve dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari në Maqedoni. Shpresojmë që shumë shpejt Maqedonia do të arrijë të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Është një rrugë që e kemi nisur së bashku. Kemi shpresuar shumë që në Samitin e Bukureshtit ftesa të ishte për të tre vendet e Kartës së Adriatikut, kuptohet për një çështje që ka të bëjë me emrin ka bërë që ky proces të vonohet, por unë besoj dhe jam optimist që dialogu politik është ai që do të vendosë edhe për këtë çështje me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të OKB-së. I mbetemi atij qëndrimi sikurse janë shprehur të gjitha institucionet e Shqipërisë që çështja e emrit është një çështje ekskluzive e dy vendeve që janë përfshirë në këtë çështje. Shqipëria nuk ka interferuar, nuk interferon dhe nuk do të interferojë në këtë çështje, por dëshira është që rajoni ynë ballkanik të ketë probleme të kapërcyera, të zgjidhura dhe të jemi pjesë e asaj ëndrre që kanë të gjithë vendet tona për t’u integruar në BE dhe NATO. Kemi inkurajuar klimën jashtëzakonisht pozitive që ka të bëjë me vizat pas atij problemi që u krijua para disa muajve. Tashmë konsiderohet një problem i kapërcyer. Kam prekuar çështje mjaft të rëndësishme të transportit hekurudhor që patjetër duhet të bëjë të mundur lidhjen e rrjetit hekurudhor të Shqipërisë me atë të Maqedonisë por edhe mjaft probleme të tjera që kanë qenë pjesë e diskutimit të dy delegacioneve. Natyrisht takimet e punës do të vazhdojnë. Edhe një herë i uroj mirëseardhjen zotit President në Shqipëri! Ju falenderoj për predispozicionin dhe klimën mjaft të mirë të dialogut dhe patjetër që e ardhmja jonë është e padiskutueshme në ato referenca që tashmë ne i kemi shprehur së bashku në BE dhe NATO!
Presidenti Crvenkovski:
I nderuar zoti President! Të nderuar zonja dhe zotërinj!.
Përfitoj nga rasti që në fillim të shpreh një kënaqësi të madhe për vazhdimin e takimeve periodike të punës. Kjo është një mundësi e mirë që të vlerësojmë marrëdhëniet tona bilaterale, mirëpo të dërgojmë dhe mesazhe tek institucionet, tek qytetarët për marrëdhëniet tona që janë në vijim e sipër. Sot vlerësuam bashkarisht se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë janë në nivel jashtëzakonisht të mirë dhe kuptohet në dobi të të dy vendeve. Cilësia e këtyre marrëdhënieve është e gjithanshme, bashkëpunimi në nivelin politik, ekonomik, social, në fushën e kulturës, së arsimit po edhe në fushën ekonomike. Atë që mund të potencoj se marrëdhëniet prej dita ditës, prej vitit në vit po rriten, ja dhe sivjet shënon një rritje të jashtëzakonshme, mirëpo është përsëri nën nivelin e mundësive tona dhe do të shpresoj që të gjitha këto elemente do t’i shfrytëzojmë që në të ardhmen të kemi marrëdhënie më të mira.
Ne sot, një pjesë të kësaj bisede ia kushtuam fushës së bashkëpunimit që është në interes jo vetëm të Maqedonisë dhe Shqipërisë, jo vetëm të rajonit, por në përgjithësi të Evropës, bashkëpunimit në fushën e energjitikës. Folëm për ndërtimin e korridoreve tranzit të energjisë, konkretish folëm për ndërtimin e një korridori 400 voltësh. Por, po ashtu për bashkëpunimin në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjitike. Problemi është rajonal, sfidat janë rajonale ndaj edhe në bashkëpunimin rajonal mund të ballafaqohemi me këtë problem. Maqedonia dhe Shqipëria synojnë një të ardhme të njëjtë pra drejt integrimit euroatlantik. Tani edhe një herë përfitoj nga rasti që këtu nga Durrësi, nga kjo foltore edhe një herë t’i uroj Shqipërisë pranimin e saj në NATO. Kuptohet që na vjen keq që ne së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë nuk e firmosëm këtë, por sido që të jetë për hir të një problemi që nuk ka lidhje me plotësimin e standardeve dhe kritereve bazike të NATO-s, domethënë një problem që është larg këtyre standardeve na pengoi që të jemi dhe ne anëtarë të NATO-s. Kuptohet bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë drejt integrimit tonë në NATO, por edhe në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Disa fjalë edhe në lidhje me Kosovën. Ne jemi fqinjë të drejtëpërdrejtë dhe jemi të interesuar që gjendja të jetë e mirë atje dhe gjendja të vendoset nën kontroll. Ne shprehim një keqardhje dhe një shqetësim në lidhje me disa tendenca që shkojnë drejt një ndarjeje të butë, le të themi të Kosovës. Kemi shqetësim se kjo dukuri mund të zgjojë nga gjumi radikalistët në vende të tjera. Republika e Maqedonisë ende nuk e ka përcaktuar qëndrimin e vet në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Sipas Kushtetutës sonë kjo është kompetencë e qeverisë. Në para disa kohësh kishim zgjedhjet parlamentare dhe kjo është periudha e konstituimit të qeverisë së re. Unë supozoj që pas konstituimit të qeverisë së re se në njërën nga mbledhjet e para, takimet të qeverisë do të vendoset si pikë në renditje pikërisht kjo çështje. Nuk mund ta përvetësoj vendimin e qeverisë, mirëpo jam i bindur që qeveria do të niset nga interesat nacionalë të shtetit dhe kuptohet në bashkëpunim me vendet e mëdha të Bashkimit Evropian.
Zoti President edhe një herë faleminderit shumë për mikëpritjen e ngrohtë dhe të sinqertë!
Agjensia maqedonase e lajmeve “MIA”:Zoti Crvenkovski, siç dihet Shqipëria i ofron Maqedonisë portin e Durrësit, çfarë në të kundërt u jep vlerë Maqedonia bizneseve shqiptare?
Presidenti Crvenkovski: Unë jam i bindur që jo vetëm ky takim, por edhe të gjitha takimet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë mund të ndikojnë pozitivisht në rritjen e bashkëpunimit të bizneseve dhe ekonomike midis dy vendeve tona. Unë thashë se prej viti në vit po rritet shkëmbimi i mallrave dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona dhe sivjet ne kemi arritur një shumë prej njëqind milionë euro që është absolutisht nën mundësitë reale të dy ekonomive tona, nëse merret parasysh para së gjithash se struktura ekonomike në Maqedoni dhe Shqipëri nuk janë konkurente, por janë kompatibël në vetëvete. Më gëzon fakti që një numër shumë i madh i firmave të Maqedonisë investojnë dhe punojnë këtu në Shqipëri dhe ky është një rast i mirë për zhvillimin e biznesit. Unë mendoj që firmat tona, kompanitë tona kanë prodhime cilësore dhe çmim të volitshëm dhe që mund të jenë të pranueshme në tregun e Shqipërisë. Dua të them se porti i Durrësit nuk duhet shikuar vetëm si alternativë e portit të Selanikut, por pikërisht edhe si një port ku mund të jepen me të vërtetë oferta të mira për biznesin e Maqedonisë. Në lidhje me këtë gjë, pyetja nuk ka të bëjë vetëm me vlerësimin, performancën e portit të Durrësit, por e gjithë struktura midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Dhe prandaj ndërtimi i Korridorit 8 është primar në bashkëpunimin mes dy vendeve tona dhe lidhjen midis tyre.
Top Channel: Zoti President Crvenkovsi, pas një letre që Kryeministri Gruevski i ka dërguar homologut të tij grek Karamanlis, ka pasur një reagim të ashpër nga pala greke. Desha të di nëse çështja e emrit të Maqedonisë në fakt ka hyrë në një rrugë pa krye pas këtij momenti?
Presidenti Crvenkovski: Javën e kaluar në Nju Jork u mbajt një takim i mediatorit të OKB-së me përfaqësuesit e dy vendeve tona. Ka disa paralajmërime se do të vizitojë Shkupin dhe Athinën. Mirëpo nuk është konfirmuar ende gjatë këtyre takimeve, nëse gjatë këtyre vizitave do të këtë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes. Për momentin nuk mund të paralajmërojmë një përafrim serioz në lidhje me çështjen e emrit. Unë edhe një herë do e përsëris qëndrimin e Maqedonisë: ne mbesim aktiv në këtë çështje, në këto negociata me qëllim që të përafrohemi, që të vijmë deri tek zgjidhja e kësaj çështjeje. Ne jemi të interesuar shumë që kjo çështje bilaterale të zgjidhet dhe kuptohet me këtë do të zgjidhet edhe çështja e përafrimit tonë deri tek integrimet euroatlantike. Republika e Maqedonisë është e gatshme për një kompromis dhe për një zgjidhje të kuptueshme. Por në atë që nuk jemi të gatshëm domethënë që dikush të diktojë emrin tonë. Pra edhe nëse nga pala greke dëshmohet një qëndrim konstruktiv mendoj se edhe kjo çështje mund të zgjidhet.
Top Channel: Z. President Topi, cili është qëndrimi i Presidencës shqiptare për këtë çështje?
Presidenti Topi: Përsa i përket kësaj çështjeje mund t’ju them që në parim ne jemi të mendimit që çështje të karakterit formal kurrësesi nuk mund të prekin dhe s’duhet të prekin në substancë perspektivat e integrimit euroatlantik, ndonëse se edhe çështja e emrit është një çështje mjaft e rëndësishme që ka të bëjë me ndjesitë e secilit vend. Por edhe në politikë, edhe në vendimmarje të tilla kaq të rëndësishme, e rëndësishme është të vlerësohet se kush është dominanti. Dhe jam i bindur që dominanti në vendet tona është pikërisht integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Unë u shpreha pak më parë që kjo është një çështje ekskluzive e dy vendeve që janë në këtë debat për çështjen e emrit. Jo rastësisht në këtë proces nuk ka mediatorë të tjerë përveç Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky proces sa i thjeshtë mund të duket aq edhe delikat është. Fakti që palët kanë një kohë relativisht të gjatë që po merren me këtë problem, edhe unë besoj që predispozicioni dy palëve më së fundi do të arrijë në një përfundimin pozitiv në mënyrë që të mos ketë më pengesa në integrimin e vendeve të rajonit tonë ballkanik qoftë në Bashkimin Evropian, qoftë në NATO.
Televizioni Shtetëror i Maqedonisë: Presidenti Topi, një temë në takimin tuaj sot është pikërisht edhe një temë që Presidenti ynë në Samitin e Liderëve të Evropës Juglindore në Ohër e nxiti, çështjen e energjitikës. Më intereson a ka ndonjë datë, a ka ndonjë periudhë të cilën e keni caktuar se kur mund të fillohet me realizimin e të gjitha këtyre projekteve, jo vetëm në dobi të dy shteteve, por edhe të çështjeve të rajonit në përgjithësi?
Presidenti Topi: Unë besoj që për një temë kaq të rëndësishme nuk ka nevojë për retorika politike, se qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia vuajnë nga të njëjtat siptoma të krizës energjitike. Përveç bisedës së dy Presidentëve, ju besoj keni informacionin e duhur që ka pasur vizita reciproke të ministrave që merren me këtë çështje specifike. Këtu çështja është shtruar për zgjidhje sepse janë përcaktuar metodikat, është përcaktuar sistemi, që është 400 kilovolt dhe po të merrni informacionin e duhur në dikasteret specifike do të shihni që ka hapa konkretë në këtë drejtim. Sepse ne sot jo vetëm kemi probleme me burimet energjitike, por kemi probleme me sistemin e transmetimit, ç’ka do të thotë që edhe kur ekzistojnë mundësitë për të importuar, mund të mos kesh aksesin e nevojshëm në rrjet. Institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë të intersuara dhe të preokupuara për t’u përfshirë në një marrëdhënie me shtetet fqinjë pikërisht për çështjet e sistemit të transmetimit, por dhe të ndërtimit të burimeve të reja energjitike. Unë i thashë zotit President që në Shqipëri ka dëshira të shprehura të biznesit për të ndërtuar hidrocentrale të vegjël. Janë burime që nuk janë ezauruar dhe janë plotësisht të mundshme për të dhënë energji në zona të caktuara të Shqipërisë. Është ndryshimi i një politike për të kaluar nga varësia e burimeve hidrike, për të kaluar në termocentrale dhe duke folur edhe për një çështje që është e diskutueshme sot edhe në politikën institucionale botërore, çështja e centraleve nukleare. Gjithsesi kjo është një mundësi, por deri tani ne jemi në trajtimin dhe ezaurimin e burimeve që ka Shqipëria, e cila dëshiron të ketë burime alternative si termocentralet dhe pastaj për t’u futur në një rrjet bashkëpunimi edhe me mundësitë që ka Maqedonia. Çështjet e tjera pastaj janë çështje të një rëndësie të veçantë, janë ndërmarrje shumë të rëndësishme, janë ndërmarrje që kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme dhe patjetër bashkëpunim me shtete të përparuara në teknologji që gjithsesi janë opsione për të ardhmen.
Televizioni Publik Shqiptar: Një pyetje për Presidentin Topi. Dëgjuam Presidentin maqedonas, i cili tha se marrëdhëniet janë shumë të mira, por ende të pamjaftueshme për kapacitetet e tyre. A jeni ju dakord me këtë dhe a ka projekte qeveria shqiptare apo shteti shqiptar për të përmbushur ato kërkesa dhe atë ofertë që ka nga pala maqedonase?
Presidenti Topi: Padyshim që ndaj të njëjtin mendim me Presidentin Crvenkovski për mundësitë që kemi përpara për të nxitur intensitetin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, pra në fushën e biznesit. Qoftë për analizat politike, por dhe për ato ekonomike e rëndësishme është që të shikoni tendencën. Tendenca është në rritje, por sigurisht mundësitë janë shumë larg ezaurimit të tyre. Pra e nisim nga porta e Korridorit 8, nga projekti që ka Durrësi qoftë për portin, qoftë për parkun energjitik, infrastrukturën publike. Dhe mos merrni në konsideratë vetëm Korridorin 8, por merrni në konsideratë edhe një korridor tjetër shumë të rëndësishëm, atë që lidh Durrësin me Kosovën. Kjo do të bëjë që biznesi të mos jetë në marrëdhënie të segmentuara, por ajo që është thënë dhe paralajmëruar prej kohësh, biznesi dhe marrëdhëniet ekonomike të jenë pjesë e një tregu rajonal. Mendoni se sa anakronike do të ngjanin marrëdhëniet e segmentuara ekonomike në një kohë kur sot ka politika globale në rrafsh global. Kështu që është e detyrueshme dhe do të ishte vetëm në vijën e kompeticioneve të biznesit, që tregu i Ballkanit të jetë një treg mjaft kompetitiv së pari duke rregulluar dhe duke intensifikuar marrëdhëniet midis tyre. Kështu që unë shoh se shumë pak mundësi janë ezauruar në marrëdhëniet midis bizneseve të vogla të vendeve tona. Ka një tregues që ka të bëjë jo thjesht me sezonin veror, por ka një rritje të fluksit të turistëve që vijnë nga Maqedonia për në brigjet shqiptare dhe një tendencë për ta përdorur gjithnjë e më shumë infrastrukturën që vjen nga porti i Durrësit. Kemi diskutuar edhe diçka tjetër që është në funksion të kësaj pyetjeje që bëtë ju. Ka zona turistike që ende mbeten të paeksploruara, janë liqenet e mrekullueshme të Prespës dhe duhet që vendet kufitare të zhvillojnë infrastrukturën në vendet e tyre në mënyrë që këto vende të bëhen të frekuentueshme dhe t’i japin mundësi jo vetëm turizmit, por edhe biznesit.
Televizioni Publik Shqiptar:Një pyetje për Presidentin Crvenkovski, i cili ka qenë njëri ndër nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit. A shihni të realizuara pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje sot dhe a janë të qëndrueshme pretendimet e faktorit shqiptar në Maqedoni që të respektohen ato?
Presidenti Crvenkovski: Unë jam një firmëtar e Marrëveshjes së Ohrit, por jo vetëm kaq. Kuptohet që unë jam dedikuar në mënyrë të plotë për realizimin dhe aplikimin e plotë të marrëveshjes kornizë së pari si lider i opozitës dhe pastaj si Kryeministër dhe tani si President. Nëse duhet të shprehemi me gjuhën e matematikës, mund të them lirisht se 95% e Marrëveshjes kornizë të Ohrit tanimë është realizuar, është zbatuar. Pra është një punë e rrumbullakësuar tërësisht, sepse duhet thjesht duhet të zbatohen, apo të plotësohen ato që kanë mbetur. Pres që qeveria e re po ashtu me përkushtueshmëri t’i kushtohet realizimit të kësaj çështjeje. Shtatë vjetë pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje domethënë prej vitit 2001 ne sot mund të flasim se ne kemi marrëdhënie të mira ndëretnike, marrëdhënie të cilat mund të jenë shembull për rajonet, për vendet e tjera.
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj